Ngjarje

Covid dhe refugjatët drejt Europës. Grekja i pyet shqiptarët: Ku t’i sjell?

Prej muajit mars kufijtë janë të mbyllur nga pandemia dhe natyrisht edhe lëvizja e lirë. Por jo për klandestinët dhe migrantët e paligjshëm që po përdorin jo vetëm rrugën tokësore. Për trafikantët ky mund të jetë moment shumë i favorshëm për t’i kaluar ata përmes shtigjeve që të fusin në Shqipëri dhe mandej të nxjerrin drejt vendeve të tjera të Ballkanit. Është ngritur një infrastukturë e vërtetë, - pohon një ekspert policor për gazetën “Si”. Duke veçuar trafikantët e migrimit që i braktisin në rrugë, të tjerë i mbajnë me qira, ditët e fundit që kanë nisur tolerimet për qarkullim, ata gjejnë mënyra nga më të pabesueshmet për të kryer lëvizjen e migrantëve. Kanë shtëpi ku i strehojnë derisa i përcjellin drejt Kosovës apo Malit të Zi ku i presin trafikantët e tjerë, përshkruan oficeri për gazetën “Si”. Ndërkohë të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë shkurtit u konstatuan në vendin tonë 1843 emigrantë të parregullt, shifra më e lartë e shënuar nëse do ta krahasojmë me periudhën e shkurtit të vitit të kaluar që zbuloi 706 shtetas të huaj të paligjshëm. Por ndërsa muaji mars shënoi edhe mbylljen e Shqipërisë në karantinë, shifra e migrantëve të paligjshëm të zbuluar në Shqipëri është 1180 migrantë të parregullt të gjetur rrugëve apo edhe të kapur sapo kanë hyrë në kufi. Sërish shifra është dyfishi i krahasuar me të njëjtin muaj të 2019-s, i cili ka një trend alarmant përderisa në të njëjtën kohë pra në mars 2017 u kapën vetëm 6 migrantë të huaj. Një nga dosjet që gazeta “Si” disponon tregon se si po organizohet trafiku i klandestinëve që zbulohen lehtësisht nëpër akset kryesore të vendit.

Javën e kaluar Halit Akayya, Alattin Aydin dhe Selahattin Akayya ishin fshehur në një automjet që drejtohej nga shtetasi Kol Dedaj. Një kontroll rutinë i policisë pranë rrethrrotullimit të Vorës i zbuloi migrantët, të cilët kishin kërkuar të mbërrinin deri në Shkodër dhe prej andej do udhëtonin në këmbë drejt Malit të Zi apo Kosovës. Shoferi pranoi menjëherë se po u ndihmonte të kalonin kufirin, por bëri me faj rastësinë. “Gjendesha pranë Spitalit Ushtarak dhe një i njohur më tha nëse kisha kohë e mundësi të transportoja tre shtetas të huaj. Pranova dhe të nesërmen shkova në vendin e quajtur Pika e Rërës, duke udhëtuar nga Spitali përmes Shinave të Trenit, mandej në autostradë derisa më ngriti tabelën policia”. Por ndërkohë ekspertët e kriminalistikës ndërsa kanë regjistruar rrëfimin e 32-vjeçarit, sekuestruan po ashtu edhe telefonin e të dyshuarit për t’u bindur nëse vërtet bëhej fjalë për një rastësi, apo shoferi i migrantëve, ishte pjesë e një rrjeti apo grupi trafikantësh. Ne gjetëm në telefon përshkruan eksperti se K. D komunikonte me një person tjetër që i shkruante “janë shumë emigrant, na duhet edhe makina jote”.

I dyshuari flet po ashtu në telefon me një shtetas nga Cas Blanka që i kërkon t’i lëvizë deri në Shkodër. Nga veprimet e mëpasshme hetimore u zbulua identiteti i porositësit që ishte Ahmet Idlehim, një emigrant i përkohshëm në Shqipëri. Ai tregoi se e kishte paguar Kolën 210 euro që të çonte tre miqtë e tij deri në kufi me Kosovën dhe se më tej ata do vazhdonin në këmbë. Marokeni tregon edhe njohjen me shoferin shqiptar të migrantëve. “Numrin e tij ma nisi një shok që mbahet në kampin e refugjatëve në Kosovë. Mendoj se ai merret me transportin e refugjatëve brenda vendit. 

Struktura e policisë që po merret me këtë çështje shpjegon më tej për gazetën “Si” se rrjeti i përbërë edhe nga shqiptarë siguron transportin përballë 60 apo 70 euro për person, duke i lëvizur migrantët nga jugu në veri, ku ata shoqërohen nga të tjerë për të kaluar përmes rrugëve tokësore. Por në aparatet e telefonave të të dyshuarve janë gjetur edhe numra grekë, që posedohen nga individë, të cilët sigurojnë lëvizjen e migrantëve që vijnë nga vendet e luftës drejt kufinjve shqiptarë. “Në njërin nga telefonat ishte një numër me emrin Mari, e cila ka komunikim me të dyshuarit, - thotë për gazetën zyrtari i policisë. Maria jo vetëm që dërgon numra telefoni, por edhe pyet “deri ku t’i sjell?”. Më pas në telefonin e trafikantëve të dyshuar u zbuluan numra arabë që shkruajnë në arabisht; Jemi dy njerëz të gatshëm për të shkuar në Kosovë”. Në dosje thuhet se migrantët në anën tjetër të telefonit ankohen për tarifën që trafikantët kërkojnë për t’i lëvizur ata nga Tirana drejt Shkodrës. “Vëllai im shkruan refugjati, fatura është e shtrenjtë, ne gjetëm të tjerë që do na çojnë për 50 euro në krahun ku do vazhdojmë për në Montenegro”.

Të implikuarit flasin shpesh për numra që nënkuptohen se janë refugjatë. Gjashtë, pesë, shtatë. Në një moment ata grinden edhe mes njëri-tjetrit. Kur njëri nga transportuesit shkruan “nuk ia kam futur kujt në jetën time, dhe nuk ekziston ai p. motre tma fusë, për ato të shtatë që më more sot ke me mu përgjigj. Jam djalë me zakone e sjam laper”, kërcënon e pastaj flet për traditën i dyshuari tjetër. Ne mendojmë deklaron për gazetën “Si” zyrtari i policisë se vetëm duke parë këto komunikime gjatë muajve të pandemisë, bindesh se trafikantët mes tyre edhe nga ata që kanë marrë leje qarkullimi për të kryer furnizime me ushqime kanë lëvizur duke transportuar njerëz, si pjesë të rrjeteve që pavarësisht pandemisë nuk e kanë ndalur asnjë ditë punën e tyre. Është provuar se vetëm të dyshuarit e mësipërm, arrinin të fitonin 35 euro nata në disa raste, pasi kishin gjetur dhoma me qira për refugjatët, të cilët qëndruan në Tiranë vetëm një javë dhe synonin të vazhdonin udhëtimin pa u vonuar.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë