Biznes

Kërkesat e Tregtisë dhe Industrisë për humbjet nga Covid-19

Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Durrës i kërkon qeverisë për lehtësimin e bizneseve të Qarkut Durrës dhe Tiranë për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 të marrë një sërë masash krahas futjes së vendit në karantinë.

“Duke marrë parasysh situatën e krijuar aktualisht pas përhapjes së virusit Covid-19, shumica e bizneseve të mëdha, shoqërive me kapital të huaj dhe ata të përbashkët që operojnë në Shqipëri po kalojnë në vështirësi operative lidhur me aktivitetin, prezencën fizike të personave përgjegjës dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, në referim të Vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave të datës 10.03.2020 për kufizim të veprimtarive të një pjese të konsiderueshme të punonjësve dhe aktiviteteve, Dhomat e Tregtisë kërkojnë mbështetje për biznesin”- citohet në njoftimin e përbashkët të Dhomave të Tregtisë e Industrisë Tiranë e Durrës.

Ato kërkojnë që: Punonjësit që do të rrinë në shtëpi për arsye të mbylljes së aktiviteteve, si dhe ato që do të vetekarantinohen, të trajtohen si të sëmurë dhe të paguhen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, për një periudhë të paktën 1 mujore dhe pastaj sipas situatës,

Shtyrja e afatit të dorëzimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2019, pranë Tatim Taksave,

Pezullimi i pagesave fiskale, minimumi për dy muaj dhe pastaj sipas situatës,

Pezullimi i interesave dhe kësteve të kredive të Sipërmarrjes private për një periudhë 3 mujore minimalisht

Për të gjitha sipërmarrjet e afektuara nga masat e marra të rimbursohen rast pas rasti sipas dëmit të krijuar pas një ekspertize të argumentuar dhe të certifikuar nga ekspertët,

Të mos bllokohen llogaritë bankare për efekt të detyrimeve fiskale për afatin e kohëzgjatjes së situatës virale,

Të mos ndërpriten energjia elektrike, uji dhe shërbimet e tjera bazike për arsye mospagesash,

Të mund të pezullohet me ligj (duke i zeruar të gjitha detyrimet) aktiviteti i subjekteve të pezulluara me urdhër nga qeveria (bar, restorante, palestra, transport publik, etj.)

“Si rezultat i realizimit të këtyre kërkesave, do të kishim një lehtësim e përmirësim të situatës së bizneseve, rikuperimin dhe rifillimin e punës sa më shpejt të jetë e mundur. Kërkojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve Shtetërore me qëllim që t’u japin qytetarëve mundësinë dhe besimin për rifillimin e jetës, aktivitetit ekonomik të qytetit si dhe kthimin e gjendjes së jashtëzakonshme në normalitet.”- citon deklarata e përbashkët e biznesve të Tiranës dhe Durrësit.

Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë reagim qeveritar për një paketë të mundhsme masash në ndihmë të biznesit apo familjeve në karantinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë