Para

Covid-19 ndryshon buxhetin për herë të dytë. Borxhi rritet me 14,9 mld lekë

Qeveria shqiptare ndryshon sërish buxhetin e 2020-ës përmes një akti normativ.

Ndryshimet janë udhëhequr në krahun e shpenzimeve dhe kufirin e borxhit publik. Të ardhurat kanë mbetur të paprekura.

Ky është ndryshimi i dytë brenda një kohe të shkurtër, pas atij të mesit të marsit, ndryshim të cilin Ministrja për Financat dhe Ekonominë Anila Denaj e kishte paralajmëruar pak ditë më parë si pasojë e situatës që ka shkaktuar Covid-19.

Referuar aktit normativ, kufiri i borxhit publik rritet me 1 % ose 14, 9 miliardë lekë (116 mln euro).

Kurse në raport me PBB-në e vitit 2019, sipas ndryshimeve të fundit, borxhi publik është rritur me 0,8%.

Sipas aktit normativ, rritja e borxhit publik do të përdoret për të fuqizuar fondin rezervë të Këshillit të Ministrave i cili shkon në rreth 16,2 miliardë lekë ose 116 milionë euro nga 1.7 miliardë lekë që ishte planifikuar në ligjin e buxhetit 2020, ku pjesa më e madhe tij do të përdoret për financimin e paketës sociale anti-Covid.

Ndryshimi i fundit i buxhetit ka shkurtuar shpenzimet e qeverisë qendrore me rreth 5,5 miliardë lekë, duke i çuar në 407,2 miliardë lekë.

Të ardhurat totale nuk kanë ndryshuar. Megjithatë për tremujorin ato rezultuan me një tkurrje prej 4%, kurse në mars, ranë me 19%.

Të ardhura për 2020, në buxhetin e rishikuar në mes të marsit priten në 490 miliardë lekë

Mënyra se si do të përdoret fondi i ri rezervë me vlerë 16, 2 mld lekë

Sipas aktit normativ, fondi rezervë i buxhetit përdoret nga Këshilli i Ministrave, si më poshtë vijon:

– 1 700 milionë lekë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme;

– 13 500 milionë lekë si kontingjencë për paketën sociale anti-Covid-19.

– 1 000 milionë lekë për emergjenca të tjera në kuadër të masave anti-Covid 19.

Kontingjenca për rrisqet e borxhit prej 4 000 milionë lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për Financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.

Përjashtimisht për vitin 2020, kritereve të shpërndarjes së fondit rezervë i shtohen edhe shpenzimet për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.

Qeveria ka marrë më herët në formë borxhi për emergjencën 174 milionë euro nga FMN përmes aktivizimit të Instrumentit të Shpejtë të Financimit (RFI), ndërsa ka siguruar në tregun e brendshëm 100 milionë euro, përmes emetimit të obligacioneve me interes fiks dyvjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë