Para

Conte do të pritet me protesta në Tiranë. Emigrantët: Duam pensionet!

Ylvi Selimaj është një prej personave që ka emigruar me eksodin e parë drejt Italisë më 6 mars 1991.

Ai ka punuar në shtetin fqinj 27 vite në profesionin e saldatorit derisa vendosi të kthehej përgjithmonë në Shqipëri më 12 prill 2018.

“Sapo kam mbërritur në Itali kam punuar. Në të zezë fillimisht se vinim nga një sistem totalitar komunist dhe nuk e kishim fare idenë e kapitalizmit. Kur më paguanin 30 mijë lireta për 12 orë që saldoja serbatorët e anijeve të peshkimit, më dukeshin shumë”, rrëfen Selimaj për Gazetën “Si”.

Gjatë bisedës ai sjell ndërmend sakrificat dhe kënaqësitë që i kanë sjellë vitet e jetesës në anën tjetër të Adriatikut. Ai kujton se pasë punëve të para në të zezë dhe me orë të tejzgjatura arriti të fitonte një punë dinjitoze pranë kompanisë së njohur Ital Gas.
“Mora edhe patentën e saldimit pranë institutit që e ofronte në Genova dhe mu hap drita jeshile”, tregon Selimaj, aktualisht në pension, por pa asnjë të ardhur.
Me kompaninë Ital Gas - thotë Selimaj - ka punuar në të gjithë Italinë dhe jashtë saj; në Gjermani e Francë.

Duke biseduar ai kujton edhe vështirësitë për të marr familjen pasi i duhej një vendqëndrim, rezidencë dhe ai nuk e kishte pasi jetonte nëpër hotele i detyruar nga lëvizshmëria e madhe që i diktonte puna.

Më 1994 merr familjen në Itali dhe më 1997 lë punën sepse ishte i detyruar të qëndronte larg familjes dhe vendoset në një apartament në Treviso, të cilin e blen.

Fëmijët e Selimaj pasi rriten vendosin të jetojnë jashtë Italisë; djali në Angli dhe vajza me bashkëshortin në Australi. Bashkëshortja e Selimit sëmuret rëndë.

I ndodhur mes vështirësive familjare, ai vendosë të bëjë kërkesën për të dalë në pension. Selimaj ka nisur të punojë në Shqipëri që më 1975-ën në metalurgjikun e Elbasanit. Ai numëron 22 vite e 4 muaj punë në Shqipëri sëbashku me 6 vitet në të zezë që ka punuar në Itali, kontributet e të cilave i ka paguar këtu.

Pra, në total Selimaj numëron 43 vite e 4 muaj punë në të dy anët e Adriatikut. Në Itali në 21 vite punë Ylvi Selimaj ka derdhur 369 mijë euro kontribute ose mesatarisht 25 mijë euro në vit.

Por prej 2017-ës kur Selimaj vendosi të lërë punën dhe të dorëzojë kërkesën pension, jeton pa asnjë të ardhur.

Si shteti shqiptar dhe ai italian nuk i njohin të drejtën e pensionit.
“Kriza ekonomike në Itali, më pas vdiq titullari ku punoja në Treviso , vajza dhe djali ikën, bashkëshortja mu sëmur dhe mora një vendim; vetëm e vetëm jemi, por më mirë në vendin tënd pa punë se në vend të huaj”, thotë Selimaj për Gazetën “Si”.

Por ai si shumë emigrantë të tjerë mbi 60 vjeç që janë kthyer përgjithmonë në Shqipëri, nuk ka me se të jetojë, megjithëse ka punuar konform ligjit dhe ka derdhur kontribute në të dy shtetet.

“Kur unë kam bërë kërkesën për pension në Itali më është refuzuar, sepse nuk më njihen vitet e punës që kam bërë në Shqipëri. Fillimisht më thanë që na i sill, sepse mendonin që gënjeja. I kam përkthyer, noterizuar dhe më thanë që nuk kemi marrëveshje me Shqqipërinë.”- tregon Selimaj i cili vijon bisedën “Atëherë unë jam i njerkës. Një miku im, që ka punuar me mua, nga Maqedonia, me letra, është më i vogël se unë dhe merr pension. Maqedonia ka marrëveshje me Italinë.”

Që nga 2017-a shteti italian i “ka borxh” Selimajt 15 mijë e 48 euro duke llogaritur një pension minimal.

Njëkohësisht edhe shteti shqiptar nuk ia njeh 22 vite dhe 4 muaj punë Selimajt, sepse duhet të mbushë 65 vjeç.

Sipas Beskida Aliaj, drejtuese e Patronato Inas Cisl Albania, degë e qendrës sindikale italiane në Shqipëri, zoti Selimaj dhe qindra emigrantë të tjerë nuk përfitojnë pension në Itali megjithë kontributet e derdhura në shtetin fqinj për shkak të një ligji të qeverisë Berlusconi në 1995.

“Italia ka dy sisteme ekonomike; retribuiv në bazë të rrogës dhe kontributiv. Teksa Shqipëria e miratoi sistemin në bazë të kontibuteve në 1994, në Itali hyri në fuqi më 1996. Sipas të cilit përfitonin vetëm emigrantët e punësuar pas 1996-ës. Prandaj emigrantët që rezultojnë të punësuar përpara 1996- ës nuk përfitojnë pension pleqërie megjithë kontributet e derdhura ndër vite”, thotë Aliaj, duke shtuar se “Shqipëria nuk ka marrëveshje bilaterale me Italinë dhe pa një marrëveshje të tillë, qindra emigrantë janë të djegur dhe nuk përfitojnë asnjë lloj të ardhure”.

Selimaj tregon se pas dhjetëra kërkesave për pension, po aq edhe refuzimeve, “iu thashë më ktheni kontributet që të deklaroj se nuk pretendoj më pension nga shteti italian. Jo sepse nuk na lejon ligji Bossi-Fini. Aprovoni një ligj që unë të hyj vullnetarisht në burg, u thashë, që të paktën të ha një pjatë supë. Jo edhe këtu nuk ka ligj, më thanë. Atëherë më vrisni sepse nuk kam me çfarë të jetoj”.

Ylvi Selimaj sëbashku me mbi 600 emigrantë të tjerë shqiptarë, të cilët nuk e përfitojnë pensionin e pleqërisë në Itali për shkak të mungesës së një marërveshje bilaterlae mes dy vendeve kanë krijuar një grup në rrjetin social facebook “Diaspora '91-'19” për të kërkuar të drejtën e munguar.

Sali Burgia dhe Madrid Maliqi respektivisht 80 dhe 75 vjeç janë dy shqiptarë të tjerë që kanë punuar në Itali për 15 vite, që si Ylviu nuk përfitojnë as ata pension pleqërie për të njëjtën arsye.

Madrid Maliqi në 2011 ka protestuar i vetëm për 30 ditë rresht përpara Parlamentit italian, por pa rezultat.

Për çështjen e emigrantëve shqiptarë, të cilët nuk përfitojnë pension për shkak të mungesës së marrëveshjes mes dy vendeve ka lobuar senatori i PD Tomaso Nannicini, i cili ka amenduar ligjin, por që nuk kaloi në seancë sepse u pengua nga Lega Nord dhe 5 Stelle.

“Shtetit italian nuk i intereson marrëveshja. Sepse nëse iu akordon pension shqiptarëve, ata do të kthehen në Shqipëri dhe paratë e tyre konsumohen jashtë Italisë . Nuk ka leverdi ekonomia italiane. Duke parë një reagim të dobët nga qeveria shqiptare dhe emigrantët, atyre as nuk iu shkon në mendje të nisin procedurat për këtë marrëveshje që do t'u shpëtonte mbijetesën emigrantëve shqiptarë”, thotë Beskida Alikaj.

Selimaj sëbashku me emigrant të tjerë shqiptarë të kthyer përfudnimisht në Shqipëri dhe që nuk përfitojnë pension për të njëjtën arsye kanë kryer dy protesta në maj e qershor.

Protesta e muajit qershor


Sëbashku me Patronato Inas Cisl Albania kanë kryer disa takime me zv/ministrin e Punëve të Jashtme Etien Xhafaj, i cili është ngarkuar për të zgjidhur këtë çështje nga qeveria shqiptare, por deri tani nuk ka asnjë dritë jeshile.

Sipas Alikaj, nga biseda e fundit me zv/ministrin Xhafaj në muajin gusht të këtij viti, “do të pritet sa të ndodhin lëvizjet në politikën italiane”.

Mendohet që në Shqipëri të jenë kthyer 2000 emigrantë nga Italia, të cilët janë mbi 60 vjeç, që kanë punuar në Itali dhe kanë derdhur kontribute, por që nuk u njihet pensioni i pleqërisë.

Ylvi Selimaj sëbashku me emigrantë të tjerë ka vendosur që këtë të martë ta presin kryeministrin italian Giuseppe Conte me protesta.

“Nëse do të na jepet mundësia, do donim t'i kërkonim që të nënshkruanin marrëveshjen me qeverinë shqiptare që ne të përfitonim pensionin e pleqërisë, ndryshe mbi 20 vite punë na hidhen në plehra”, thotë Selimaj për Gazetën “Si”.

Dy javë më parë zv/ministri Xhafaj është shprehur se “Mund të them se kemi ecur me këtë marrëveshje. Në muajt e fundit ka pasur takime konstante dhe kontakte konstante mes të dyja palëve. Kemi folur me komisionin në Parlament dhe komisionin në Senat në Republikën e Italisë. Kemi folur gjithashtu si me Ministrinë e Punës dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe aktualisht me konstituimin e qeverisë së re kjo përpjekje nga ana e qeverisë shqiptare do të vazhdojë më tej me shpresën që të kemi mundësi ta bëjmë këtë realitet për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Xhafaj.

Pranë zyrës së Patronato Inas Cisl Albania, ka të paktën 100 emigrantë shqiptarë në ditë që kanë nisur punën në Itali përpara vitit 1996, të cilët nuk përfitojnë pension pleqërie.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Itali janë mbi 502 mijë emigrantë shqiptarë dhe 170 mijë të punësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë