Treg

Çmimi i naftës shtrenjton paketat turistike në Shqipëri, pezullohen kontratat

Çmimi i lartë i naftës ka rritur edhe çmimet e paketave turistike.

Ata janë shtrenjtuar ndjeshëm në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, pavarësisht nëse vendi i pushimit është luksoz, mesatar apo ekonomik.

Këta çmime sipas tur-operatorëve nuk kanë prekur vetëm pushuesit vendas por edhe ata të huaj.

Neritan Ibi, drejtues i agjencisë “My Albania Nature Explorers” thotë për Gazetasi.al se për shkak të rritjes së kostove,po përballet çdo ditë me ankesa nga turistët  e njëkohësisht edhe me pezullime të kontratave.

LEXO EDHE:
- Bota jep shpërblim për stafet e turizmit, në Shqipëri punëtorët janë rebeluar
- Disa ide për të shpëtuar turizmin nga mungesa e punëtorëve
- Hovi i turizmit të aventurës, destinacionet e Shqipërisë që ‘na nderojnë’ para turistëve
- Sezoni turistik do të kapë kulmin si në 2019-n
- Çudia shqiptare, turizmi kulmoi në pranverë e jo në verën e 2021

“Është rritur çmimi i naftës, rrjedhimisht dhe shërbimi i transportit. Por kjo është një situatë që ka ndodhur kudo në botë dhe sigurisht që është reflektuar edhe në Shqipëri”, vijon Ibi ndërsa shton se një arsye tjetër për shtrenjtimin e këtyre paketave është dhe konkurrenca e pandershme.

“Ka agjenci të cilat punojnë në informalitet, pa NIPT dhe vetëm me një faqe Instagram-i, të cilat duke mos pasur kostot tona, dalin me një çmim më të ulët në ofertat e tyre. Mendoj se ky segment tregu duhet monitoruar më shumë”, shton ai teksa thotë në një situtatë të tillë për agjencitë është shumë sfiduese vendosja e çmimit të duhur dhe krijimi i këtij itinerari me fitim.

Ibi thotë për Gazetasi.al se shtrenjtimin e naftës nuk po e ndiejnë vetëm tek autobusi por edhe tek mjetet e të tjera lundruese që agjencia e tij përdor për të shëtitur turistët në ujrat e Shqipërisë.

Në prag të sezonit turistik veror, tur-operatorët ishin gati të sigurt për ecurinë e përgjithshme të tij. Në numër turistësh prisnin të kishin më shumë prurje dhe theksonin për Gazetasi.al se mund të kalohej edhe niveli i 2019-s që deri tani është konsideruar viti më i mirë i turizmit.  

Por, rritja e çmimeve të naftës po e zbeh që tani këtë rezultat.

Polakët e nisën me këmbë të mbarë këtë vit, ku gjatë periudhës janar-mars 2022, numri i tyre u dyfishua në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s. Këto shifra në fakt duhet të ishin një “ogur” i mirë për atë që do të sillte sezoni veror,por situata konkrete nuk është aq e thjeshtë.

Duke qenë një vend kufitar me Ukrainën, ku prej shkurtit, Rusia ka nisur sulmet ushtarake, tur-operatorët shqiptarë shprehen se përpos pasigurive, rritja e çmimeve ka frenuar rezervimet.

“Ndikimi është më i dukshëm në tregun polak. Fluturimet nga Varshava dhe hyrjet e tyre në Shqipëri janë gjithnjë e më të ulëta”, shton Ibi mandej.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik thotë se çmimet e paketave janë shtrenjtuar gati me 50% dhe shton se i druhet faktit që kjo do të diktojë një refuzim të turistëve të huaj për të ardhur vitet e ardhshme në Shqipëri.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik

“Rritja e çmimit të naftës na detyroi menjëherë të rrisnim çmimin e paketave turistike duke mos anashkaluar edhe shtrenjtimin e ushqimeve dhe produkteve të shportës.

Duke qenë se ne kemi një turizëm të organizuar, pra turistë që vijnë me charter, duhet t’i transferojmë për në hotelet e tyre në momentin kur mbërrijnë nga aeroporti, gjë për të cilën harxhojmë më shumë naftë.

Sipas marrëveshjeve, te giithë turistët duhet që të priten në aeroport nga delegatët e autorizuar prej tyre,të cilët janë shtetas të origjinës se turistëve, që presin,oreientojnë dhe ju japin kontaktet turistëve të tyre për problemet që mund të kenë gjatë qëndrimit në Shqipëri por sigurisht që për të bërë këtë duhet transport i cili sëfundmi është shtrenjtuar ndjeshëm”, thotë më tej Kasa.

Çmimi i naftës, kombinuar edhe me çmime të tjera të larta që janë rritur, përfshirë këtu ushqimet dhe hotelet, sipas tur-operatorëve po i bën qytetarët të mendojnë dy herë përpara se të nisen për pushime.

Bizneset nga ana tjetër duket se po tentojnë të kompensojnë shpejt edhe humbjet e pësuara gjatë pandemisë por kjo sipas operatorëve mund të kthehet në një ‘boomerang’ duke u krijuar turistëve idenë se pushimet në Shqipëri janë të shtrenjta dhe rrjedhimisht, edhe duke i stepur ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë