Treg

Disa ide për të shpëtuar turizmin nga mungesa e punëtorëve

kamarier ne plazh

Nuk do të ketë më një pronar që është ulur në një qoshe duke pirë kafe por një pronar që do të shërbejë vetë në banak dhe vetë si kamerier”.

Kështu, thotë i shqetësuar për Gazetasi.al Zak Topuzi, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit ndërsa flet për krizën e mungesës së fuqisë punëtore.

Tek shton se turizmi këtë sezon ka nevojë për më shumë se 10 mijë punëtorë, ai thotë për Gazetasi.al se qeveria nuk ka ndërrmarë politikat e duhura për të zbutur këtë shqetësim që sipas tij,do të përshkallëzohet.

Trendi është mbarëbotëror dhe e njëjta situatë duket se po përsërit veten në shumë shtete turistike.

“Në fillim të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara përjetuan një tendencë ekonomike të paparë më parë: Dorëheqja e Madhe, gjatë së cilës punonjësit u larguan vullnetarisht nga puna.

Statistikat tregojnë se mbi 38 milionë punëtorë u larguan nga puna në vitin 2021, por çudia e madhe ishte dorëheqja e 4.2 milion prej tyre në muajin tetor duke refuzuar kthimin në punë”, thotë Topuzi për Gazetasi.al. duke shtuar se shifra të tilla, si në Amerikë ashtu edhe në Shqipëri krijojnë turbulenca brenda ekonomisë.

E njëjta gjë ndodhi edhe në vendin tonë.

Turizmi u braktis nga stafet në kulmin e sezonit të tij kur të gjithë këta vendosën kolektivisht të linin vendet e punës, pa asnjë lajmërim paraprak, duke i lënë bizneset në dorë të... familjarëve.

Shumë biznese u mbyllën nga mungesa e fuqisë punëtore, një pjesë tjetër u kthye në biznes familjar duke u detyruar të bëjnë vetë rolin e kuzhinierit dhe recepsionistit.

Ai ia atribuon këtë ‘rebelim punonjësish’ pandemisë dhe konceptit të punës nga shtëpia.

Megjithatë, rendit më tej edhe tre arsye të tjera kryesore që e kanë futur turizmin në këtë spirale krize nga e cila nuk po ngre dot krye.

“Arsyeja e parë është emigrimi masiv i pjesës aktive e të kualifikuar të punonjësve në çdo front ( jo vetëm mjekësi) që vitin që kaloi arriti në 43.000. Rritja e bizneseve te shërbimeve si e vetmja mundësi, pas call center-it si dhe sezonaliteti i lartë i bizneseve të shërbimeve , kryesisht hoteleve.

Punësimi sezonal krijon një hendek të pa korrigjushëm për punonjësit e specializuar e trajnuar. Pas një sezoni 3-5 muaj ky punonjës, në rastin më të mirë duhet t’i kthehet bujqësisë apo ndërtimit.

Por a mundet të kesh shërbim me standarde kur ke punonjës sezonal dhe nuk mund të kryesh trajnime pasi pas kësaj periudhe ata duhet te largohen?”, shton mandej për Gazetasi.al.

"Nëse hedhim dhe një sy nga bota, zgjidhjet për këtë situatë nuk janë të pakta'-thotë Zak Topuzi, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit

Nëse hedhim dhe një sy nga bota, zgjidhjet për këtë situatë sipas Topuzit nuk janë të pakta. Madje, disa politika duhet të ishin marrë ngahera duke marrë në konsideratë varësinë e ekonomisë shqiptare nga sektori i turizmit.

“Duhet të ketë politika subvencionuese për të zgjatur sezonin në 8 muaj si dhe 4 muaj subvencionim page dhe sigurime shoqërore në zonat bregdetare”, thotë Topuzi për Gazetasi.al ndërsa ndërmend shembullin e Greqisë e cila e ka aplikuar prej vitesh tashmë këtë metodë.

Mandej ai shton se duhet të ketë politika subvencionuese edhe për pensionistët nga të ardhurat e sindikatave apo pensioneve për pushime jo vetëm në periudhat e pikut të sezonit.

“Politika subvencionuese gjithashtu duhet të ketë edhe për nxënësit e shkollave. Ata duhet të jenë në lëvizje për të njohur resurset dhe atraksionet jo vetëm të vendit por edhe të Kosovës”, thotë më tej ai për Gazetasi.al teksa shton se kjo do të mbante gjallë hotelet me 1-3 yje, bujtinat dhe agrobiznesin në të gjithë territorin e vendit.

Topuzi i mëshon fort dhe rëndësisë për të patur stafe të trajnuara.

Ndërtimi i hoteleve me kapacitete të mëdha dhomash dhe me kompleksitet shërbimesh, Beach Bare-, Restorante të dedikuara, Agrobiznese, Bar-e & Klube Nate, po nxit rritjen e standardeve dhe cilësinë e shërbimit. Zhvillimi i vrullshëm ka bërë që një pronar apo të afërmit e tij, nuk mund të jenë të aftë të drejtojnë me sukses, pa patur fillimisht një përgatitje profesionale.

Sipërmarrësit po tentojnë gjithnjë e më shumë të angazhojnë staf të dedikuar, të trajnuar dhe me përvojë në këtë sektor. Kjo ka bërë të mundur aktivizimin e profesioneve të reja si: menaxher marketingu, SPA apo shitje, bartender, somelier, etj”, mbyll në fund Topuzi duke shtuar se është krijuar një situatë emergjente për burime njerëzore në këtë sektor.

Kriza e punonjësve dhe “nazet” janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike në të gjithë botën, që erdhi shumë më ndryshe nga se ishim mësuar.

Në një anë kërkesa është rritur, tregjet e punës kanë pafund vende të lira dhe duan t’i mbushin ato. Nga ana tjetër oferta është lëkundur. Miliona njerëz nuk duan të punojnë ose nuk pranojnë të punojnë për pak. Përfshirë pagën dhe dinjitetin si punonjës. Një raport, që në terma të thjeshtë ekonomikë, do të nxisë më tepër rritjen e pagave deri sa tregu të stabilizohet ose do të detyrohet të stabilizohet për t’i shpëtuar një inflacioni dyshifror...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë