Futboll

Çmenduria e fundit e Bielsës, i bën lojtarët pastrues për tri orë

I çuditshëm, i paparashikueshëm dhe për shumë të tjerë maniak. Thjesht, i çmendur, siç e ka edhe nofkën (El Loco). Trajneri argjentinas, Marselo Bielsa, është i njohur për idetë e tij gjeniale dhe çmenduritë. Një prej tyre, për shembull, është mënyra e vëzhgimit të lojtarëve në stërvitje nga maja e një peme. Në çdo gabim ai ndalonte lojën, zbriste nga pema, shpjegonte atë që duhej korrigjuar dhe më pas hipte sërish në pemë. Nga Lacio u largua vetëm dy ditë pas firmës, pasi nuk u bind nga merkatoja që premtoi se do të bënte presidenti Klaudio Lotito. Marselo Bielsa është i fiksuar me detajet dhe e fundit prej tij vjen nga Anglia, ku aktualisht drejton Lidsin. Argjentinasi, maniak i disiplinës dhe shpirtit të skuadrës, ka një empati të veçantë për ata me të cilët punon.

“I çmenduri” vendosi që t’i vërë lojtarët e tij për tri orë të pastrojnë ambientet e qendrës stërvitore. Një gjetje, që po bën xhiron e botës. Sipas asaj që shkruan “The Guardian”, Bielsën e mundonte së fundi një pyetje, që gati e linte pa gjumë: sa orë punë i duhen një tifozi të Lidsit për të blerë biletën e një ndeshjeje? Në fillim dukej një kuriozitet i thjeshtë, edhe pse trajneri nuk bën asgjë kot. Drejtuesit e klubit anglez i kanë shpjeguar argjentinasit se për të blerë një biletë një tifozi i duhen mesatarisht tri orë. Shumë bukur. Këtu “plani" i Bielsës u vu në zbatim. Ai thirri lojtarët e vet dhe i urdhëroi që për tri orë të pastronin gjithë ambientet e qendrës stërvitore. I gjithë qëllimi i trajnerit të Lidsit ishte që t’i bëjë lojtarët të kuptojnë më mirë përgjegjshmërinë që kanë dhe po ashtu të kuptojnë se sa i fortë është pasioni dhe sakrifica e tifozëve.

Trajneri Marselo Bielsa (djathtas), në stolin e Lidsit

Që kur Bielsa mori drejtimin e Lidsit qershorin e kaluar, u kuptua se klubi nuk do të ishte më si më parë. Vëmendja e tij e veçantë për detajet u bë legjendë. Për shembull, ai kontrolloi çdo cep të qendrës stërvitore për të parë nëse kishte papastërti, ndërkohë që e bëri çështje faktin që kishte gjurmë këmbësh në mure. Në klub i shpjeguan se dikush ishte mbështetur në mur, duke ngritur këmbën dhe reagimi i Bielsës ishte: “Kjo do të thotë se ky person nuk është i përqendruar te puna dhe kjo është e papranueshme.

Është e qartë se Lidsi ka probleme më të rëndësishme se muri i bërë pis me gjurmë këmbësh, por ky është Bielsa, motoja e të cilit është: "Stili im nuk është më i miri ose më i keqi se të tjerët, por është ai tek i cili besoj”.

Trajneri Bielsa në qendrën stërvitore të Lidsit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë