Mendim

Cili është plani B i Amerikës kundër Iranit?

Nga Sima Sabet* - Pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit, nuk kalon as edhe një ditë pa pasur lajme për sulmet me raketa ose dron mbi objektivat amerikane në Irak dhe Siri. Të planifikuara nga grupe të identifikuara si përfaqësues të qeverisë iraniane, këto sulme vazhdojnë pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura  nga ana e zyrtarëve amerikanë. 

Sfida që paraqesin milicitë e mbështetura nga Irani, e kanë mbajtur të angazhuar Amerikën për disa dekada. Kjo është një sfidë ende e pazgjidhur për shkak të mungesës së një strategjie të qartë për ta frenuar Republikën Islamike. Po cili është Plani B i Amerikës?

Dyzet e katër vjet më parë, Republika Islamike i tregoi muskujt e saj duke marrë peng diplomatët amerikanë në ambasadën e SHBA-së në Teheran. Kjo “krizë pengjesh”, paralajmëroi një “sfidë të re iraniane” për Amerikën.

Anti-amerikanizmi ka qenë një politikë zyrtare dhe e palëkundur e Republikës Islamike, e cila i percepton Shtetet e Bashkuara jo si një “rival”, por një “armik”. Politika e saj e jashtme e brendshme, rajonale dhe e përgjithshme, është udhëhequr pikërisht nga ky parim i pandryshueshëm. 

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dhe sidomos  krahu i saj ekstraterritorial, Forcat Kuds, të komanduara dikur nga Qassem Soleimani, ka nën patronazh shumë grupime islamike që kanë sulmuar interesat amerikane dhe aleatët e saj në Irak dhe Siri.

Për këtë arsye, nuk kemi të bëjmë thjesht me armiqësi ideologjike. Ne kemi përballë një armik aktiv në terren, i cili po i sfidon politikat amerikane dhe aleatët e saj në të gjithë Lindjen e Mesme. Synimi? Tërheqja e plotë e forcave amerikane nga rajoni, dobësimi i aleatëve të Amerikës dhe dominimi në Lindjen e Mesme.

Dikush mund të pyesë se përse, pavarësisht se Iraku ka një ushtri, dhjetëra grupe paraushtarake nën komandën e Iranit ekzistojnë në vend krahas ushtrisë irakiane? Dhe përse Hamasi dhe Hezbollahu, me mbështetjen e Iranit, janë përpjekur të bëhen pjesë e qeverive të krijuara në Gaza dhe Liban?

Zgjerimi i ndikimit të tij nënkupton diçka më shumë:shumëfishimin e modelit të Republikës Islamike, që bazohet tek ndjenjat anti-amerikane dhe anti-izraelite, në të gjithë Lindjen e Mesme, një situatë që shumë analistë e quajnë ‘oktapodi’.

Aspekti alarmues i një gjendjeje të tillë, është se fronti i gjerë nën komandën iraniane, mund të rreshtohet lehtësisht me një front tjetër që është rival i Amerikës:ai i Rusisë dhe Kinës. Gjatë 2 dekadave të fundit, Amerika është fokusuar kryesisht tek programi bërthamor i Iranit.

Ky program, së bashku me programin raketor të Iranit dhe rolin e tij dashakeq në Lindjen e Mesme nëpërmjet milicive të mbështetura prej tij, e vendos Teheranin në një pozitë të paprekshme. Pyetja thelbësore që duhet të përsëritet është:Cili duhet të jetë Plani B i Amerikës, përballë një regjimi të tillë?  

Së pari, në dallim nga përgjigjet e zakonshme ndaj kësaj pyetjeje që propozojnë menjëherë disa opsione të kufizuara ushtarake, çështja në fazën e parë është mendore dhe politike. Parimi më domethënës që duhet të njohin zyrtarisht vendimmarrësit amerikanë është ky: nuk ka asnjë mundësi ndërveprimi, bashkëpunimi apo ndryshimi të sjelljes me qeverinë iraniane.

Dhënia fund e kësaj fantazie apo optimizmi në politikën e jashtme amerikane, është një parakusht për çdo përparim apo zgjidhje alternative. Qeveria iraniane nuk ka asnjë fantazi tjetër përveç përplasjes me SHBA-në. Në rastin më të mirë, çdo nivel tjetër kontakti, do të ketë aspekte taktike dhe të brishta.

Së dyti, në fazën tjetër, duhet të përditësohet kuptimi që ka SHBA mbi realitetin iranian. Taktikat e qeverisë së Iranit kundër Amerikës gjatë 4 dekadave të fundit kanë evoluar, dhe ka qenë shumë e rrjedhshme dinamika e ndryshimeve brenda shoqërisë iraniane.

Katër dekada më parë, lëvizja popullore iraniane që kërkonte ndryshimin e qeverisë, nuk ishte dhe aq e fortë sa është tani, dhe nuk ishte përhapur në të gjithë Iranin. Vitet e fundit, sfida më e madhe për qeverinë e Iranit brenda vendit, ka qenë përballja me protestat e vazhdueshme antiqeveritare.

Përkundër qeverisë në Teheran, populli iranian është përgjithësisht laik dhe dëshiron miqësi me Perëndimin dhe Amerikën. Prandaj, edhe pse Republika Islamike është një armike natyrale e Amerikës, populli i Iranit është natyrshëm mik i Amerikës dhe i Perëndimit. 

Administratat e ndryshme amerikane, kanë qenë më shumë të interesuara për marrëveshjet me qeverinë iraniane, ndaj nuk i kanë mbështetur seriozisht njerëzit e thjeshtë që duan të ndryshojnë fatin e tyre. Prandaj, në vend të bisedimeve të lodhshme dhe me rezultate të dobëta me një “armik kokëfortë”, Amerika duhet të ketë një strategji gjithëpërfshirëse për të mbështetur popullin e Iranit dhe kundërshtarët e Republikës Islamike.

Populli i Iranit ka bërtitur vazhdimisht në rrugët  e qyteteve të ndryshme:”ta po gënjejnë kur thonë se armiku ynë është Amerika. Armiku ynë është pikërisht këtu!”. Së treti, duke qenë se qeveria iraniane nuk është sfida e vetme me të cilën po përballet Amerika, kundërshtimi i një qeverie të tillë nuk është vetëm përgjegjësi e Shteteve të Bashkuara.

Ndaj është thelbësor krijimi i një mekanizmi të fortë rajonal apo ndërkombëtar për të frenuar sjelljet destruktive të Republikës Islamike. Rreziku që paraqet Republika Islamike për Lindjen e Mesme, nuk është më i zbehtë se sa kërcënimi i Rusisë për rajonin e Baltikut.

Aleanca e këtyre 2 boshteve, i përshkallëzon ndjeshëm rreziqet që mund të krijojnë në Lindje dhe Perëndim. Bashkëpunimi ushtarak midis Republikës Islamike dhe Rusisë, më herët në Siri dhe tani në Ukrainë, dhe qëndrimi i tyre kundër Perëndimit, tregojnë se ato janë kërcënime serioze për paqen dhe sigurinë globale.

Fokusi ndërkombëtar tek Rusia, dhe shpërfillja e kërcënimit nga regjimi iranian, nuk është një qasje realiste. Detyra e një koalicioni ndërkombëtar, është të identifikojë shkallën e kërcënimit dhe të koordinojë verimet e duhura për t’u përballur me të.

Dobësimi politik dhe diplomatik i Republikës Islamike në nivel rajonal dhe global, mund të jetë në axhendën e një koalicioni të tillë. Për më tepër, bashkëpunimi dhe presioni mbi qeveritë rajonale, përfshirë atë të Irakut, për t’u përballur më seriozisht me milicitë e mbështetura nga Republika Islamike, mund të jetë një  objektiv tjetër i një koalicioni të tillë.

Kuptohet, plani B nuk nënkupton një ndryshim në strategji. Ai nuk është domosdoshmërisht një plan ushtarak. Por shënon fundin e tundimit për të pasur marrëdhënie më të afërta me një armik kokëfortë, si dhe fillimin e përfytyrimit të një Irani ndryshe.

Amerika e ka testuar për 4 dekada strategjinë e parë. Ajo ka qenë shumë e kushtueshme dhe e pafrytshme. Tani ka ardhur koha t’i jepet një shans strategjisë së dytë.

Burimi: The Hill/ Përshtati: Gazeta Si

*Sima Sabet, një ish-prezantuese në Iran International TV dhe eksperte për çështjet iraniane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë