Treg

Cili do të jetë fati i transportit urban në kryeqytet?

Në Tiranë, në një gjatësi rruge prej “Qendrës Kristal” deri tek bulevardi “Zogu i Parë” të cilën e përshkova me biçikletë për gati 30 minuta këtë mëngjes (të hënën) nuk vërejta asnjë autobus të transportit publik.

Teksa në një prej stacioneve të linjës “Kristal-Qendër-Allias” kishte pak syresh që prisnin ardhjen e ndonjë autobusi të mundshëm.

Migena e cila banon në Yzberisht dhe punon në qendër të Tiranës, sot ka pritur më shumë se 30 minuta në stacion, ku vërejti edhe nervozizmin e bashkëvujatësve të saj në stacion që përpos frikës së Covdi-19, temperaturave të larta, iu shtua stresi i pritjes dhe vonesës për në punë.

“Të njëjtën vonesë pati edhe linja Kombinat-Kinostudio sot, sepse për punë të miat, m'u desh të merrja edhe atë linjë. Të dy shoferët thanë se për arsye që nuk ka pasagjerë shumë që frekuentojnë transportin publik, kompania nuk ka vendosur ende nëse do të mbyllë aktivitetin ose jo, por kanë nxjerrë më pak autobuzë ne qytet. Në orare të ndryshme autobuzët bëjnë xhiro kot se nuk ka asnjë njeri”, tregon Migena.

Gazeta “Si” kontaktoi me dy krerët e shoqatave të Transportit Urban dhe atij Rrethqytetas.

Rixhin Qoshja dhe Eneo Sulejmanaj përshkruan të njëjtën pamje të situatës së aktivitetit të Transportit Publik.

“Reklama negative që po i bëjnë institucionet Transportit Publik, ka ndikuar në mosfrekuentimin e këtij të fundit. Ne nuk kemi tërhequr autobus, jemi njësoj si në fillim, me të njëjtat orare, por nuk po e përballojmë dot financiarisht se nuk ka pasagjerë . Po presim ndonjë sinjal nga qeveria, përndryshe do ta mbyllim aktivitetin”- u shprehën ata për gazetën “Si”.

Më 23 qershor nga Bërxulla ku ndodhej për një aktivitete, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku do të pranonte se kompanitë e transportit publik kanë pësuar dëme financiare dhe  se është menduar për t’ju krijuar lehtësira, por do të ngarkonte me përgjegjësi ministrin Ametaj kur do të thoshte se “ai ka përgjegjësinë e të gjithë paketave të rimëkëmbjes”.

Të pyetur nëse ka tani një paketë mbështetëse, Rixhin Qoshja tha: “Ne nuk jemi fare në dijeni. Nëse na ndihmoni ju mediet të dimë dhe ne në lidhje me punën tonë, mirë do të ishte”.

Gazeta “Si” pyeti në fillim Ministrinë e Infrastrukturës nëse do të ketë paketë mbështetëse por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Shoqëritë e Transportit Publik vendosën të rinisnin aktivitetin një javë më parë, pasi ranë në dakordësi me kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj që përgjegjësia e respektimit të protokollit anti covdi-19 do të binte mbi vetë qytetarët dhe do të kontrollohej nga task – forca.

Po ata kanë kërkuar gjithashtu disa lehtësi fiskale që varen nga qeveria: heqja e akcizës së naftës, heqja e tvsh-së për 2020-n dhe reduktimi i saj në 6% në vijim, një rrogë shtesë për punonjësit dhe subvecionim për 30% të kapacitetit të munguar sipas protokollit të sigurisë shëndetësore.

Që prej vitit 2013 shërbimi i transportit publik urban në kryqytet kryhet vetëm nga operatorë privat. Janë 11 operatorë privatë të cilët realizojnë shërbimin e transportit urban në 16 linja të ndryshme të autobusëve të cilat kalojnë nga periferia në qendrën e qytetit si edhe disa linja të tjera për ish-komunat e Tiranës si Linzë, Mjull-Bathore, Bërzhitë, Shëngjergj etj.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë