Politike

Cilët janë favoritët për t’u ulur në krahun e djathtë të Berishës

Sali Berisha ka thirrur paraditen e së shtunë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku do të dalë përbërja e Kryesisë së re. Nenkryetaret pritet te zgjidhen se afermi.

Lista e kandidatëve për anëtarë kryesie është e gjatë, ndërsa për nënkryetarë jozyrtarisht pritet që të kandidojnë katër emra, që të katërt besnikë të Sali Berishës dhe lëvizjes së tij.

Agron Shehaj, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi do të votohen nga Këshilli Kombëtar se kush do të jetë nënkryetari i PD-së.

Që të katërt këta emra janë rreshtuar në krah të Berishës që kur nisi lëvizjen e “Foltores” pas 9 shtatorit të vitit të kaluar.

Por, diferencën mund të bëjë angazhimi i tyre në këtë foltore. Nëse Agron Shehaj dhe Luçiano Boçi e mbështetën në mënyrë më të moderuar lëvizjen anti-Basha të Berishës, Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi u përfshinë më aktivisht në të.

Këlliçi e nisi që në Kuvendin e 11 dhjetorit, kur ishte pjesë e komisionit të organizimit të këtij Kuvendi dhe njeriu te i cili Berisha ka investuar një pjesë të përpjekjeve për t’u njohur si PD zyrtare nga ndërkombëtarët, ndërsa Oerd Bylykbashi konsiderohet si ‘krahu legjislativ’ i betejës së Berishës.

Për këtë arsye, Këlliçi dhe Bylykbashi konsiderohen si më të favorizuarit ndaj dy kandidatëve të tjerë në votimin e së shtunës nga Këshilli Kombëtar i PD-së.

Zgjedhja e Kryesisë dhe e nënkryetarit mbyll gjitha kapitullin e lëvizjes së Berishës brenda PD-së. Kjo është beteja e radhës e fituar prej tij ndaj Bashës dhe mbështetësve të kreut të dorëhequr të PD-së, por jo fitimi i luftës.

Beteja më e rëndësishme po zhvillohet në dyert e gjykatës, ku Apeli ka pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeajt që konteston Kuvendin e 11 dhjetorit të Sali Berishës. Përveç kësaj, Alibeaj ka hapur edhe një front të ri ndaj Berishës, kur të enjten në emër të PD-së emrat për komisionet parlamentare, që nga ai për reformën zgjedhore, ai për reformën territoriale dhe komisioni hetimor për investimet strategjike.

Për këtë të fundit pati një kërkesë në Kuvend nga Gazment Bardhi, që mblodhi 34 firma. Kërkesa u rrëzua nga socialistët që thanë se nuk plotësonte kushtin e mbështetjes nga 35 deputetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë