Para

Cila është arma e re kundër pastrimit të parave?

Sipas zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, pastrimi i parave llogaritet deri në 5% të PBB-së botërore, çdo vit. Kështu që, bankat dhe zyrat e zbatimit të ligjit kudo në botë po përpiqen të punojnë me anë të inteligjencës artificiale për të reduktuar sa më shumë këtë problem. Por a do të funksionojë?
Që prej kohës së Al Kapones që fshihte të ardhurat e përfituara nga krimi, duke krijuar biznese që në dukje ishin të ligjshme në vitet 1920, tashmë pastrimi i parave është kthyer në një nga problemet më të mëdha në botë.
Paratë pastrohen duke zhvilluar një sërë biznesesh, blerje pronash, makinash të shtrenjta, vepra arti dhe një nga mënyrat se si kriminelët e bëjnë këtë të quhet “smurfing”; termi që kriminelët përdorin me njëri-tjetrin, kur për të kaluar shuma të mëdha parash, përdorin transaksione të vogla.
“Softueri special është përdorur për të vëzhguar depozita të vogla bankare që nuk mund të shikohen nga njerëzit,” shpjegon Mark Gazit, shefi ekzekutiv i ThetaRay, një këshillues financiar i inteligjencës artificiale me seli në Izrael.
“Një transaksion prej 0.25 dollarësh nuk do të vëzhgohej kurrë nga njerëzit, por transaksione të këtij lloji mund të pastrojnë 30 milionë dollarë nëse kryen qindra milionë herë,” thotë ai.

Shefi ekzekutiv i ThetaRay, Mark Gazit

Paratë e vjedhura shpesh pastrohen për të financuar aktivitete të mëtejshme kriminale. Një skemë e kohëve të fundit ishte dhe vjedhja e ATM-ve që u kushtoi bankave të 40 shteteve rreth 1 miliardë euro.
“Banda hakeroi shumë ATM dhe i riprogramoi për të përfituar, duke krijuar kështu një rrjet të pastrimit të parave. Paratë më pas u konvertuan në Bitcoin dhe u përdorën për të financuar trafikimin e qenieve njerëzore,” thotë Gazit.
Ndërsa Colin Bell, kreu i bankës HSBC, thotë se të dhënat kohët e fundit kanë treguar se vetëm 1% e fondeve kriminale që rrjedhin përmes sistemit financiar ndërkombëtar, konfiskohen.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm raporti i aktiviteteve të dyshimta të krimeve financiare u rrit me 10 % në vitin 2018.
Zyra Federale Amerikane e Hetimeve shpreh se po punon për përmirësimet teknike të aplikuara në arsenalin e saj, për të luftuar krimin dhe për të përparuar me teknologjinë. Megjithatë, shumë organizata të tjera flasin hapur se kanë përdorur inteligjencës artificiale, për të luftuar pastrimin e parave.
“Inteligjenca artificiale mund të analizojë shumë shpejt sasi të mëdha transaksionet dhe kjo mund të jetë një mjet që do të zgjidhë problemin më të madh të bankave për momentin,” shpjegon Bell
Shumë prej bankave më të mëdha në botë janë përfshirë në skandalet e pastrimit të parave në vitet e fundit.

Gjatë vitit të kaluar, një ndër bankat më të mëdha zvicerane UBS, mori një gjobë prej 3.7 miliardë dollarësh pasi u shpall fajtore, pasi kishte ndihmuar klientët e pasur në Francë për të fshehur miliarda euro nga autoritetet tatimore. Edhe banka holandeze ING, pagoi 775 milionë euro gjobë për dështimin në ndalimin e pastrimit të parave nga ana e kriminelëve nëpërmjet llogarive të saj.
Në Letoni, banka e tretë më e madhe e vendit ABLV Bank AS, u mbyll pasi autoritetet amerikane e akuzuan atë për pastrimin e parave në shkallë të gjerë, duke u mundësuar klientëve të saj të shkelnin sanksionet e armëve bërthamore kundër Koresë së Veriut.
Inteligjenca artificiale mund të krijojë një sërë të dhënash më emaile, transaksione, telefonata, raporte shpenzimesh në kohë shumë të shkurtër, gjë të cilët njerëzit mund të mos i vërenin fare ashtu siç ka ndodhur deri tani.
Bankat në mbarë botën po adaptohen me teknologjinë e re. Drejtori i Rrjetit të Përmbarimit të Krimit Financiar të SHBA (FinCEN) Keneth A. Blanco, thotë se institucionet financiare kanë përmirësuar aftësinë e tyre për të identifikuar klientët dhe për të monitoruar transaksionet, vetëm me anë të inteligjencës artificiale. “FinCEN inkurajon këto dhe risitë e lidhura me shërbimet financiare,” shtoi Blanco
Mark Hayward, anëtar i Bordit të ri Strategjik të Krimit Ekonomik të Mbretërisë së Bashkuar thotë se ndarja e të dhënave është një nga prioritetet kryesore të bordit.
Gjithashtu, ekspertët shprehen se duke pasur parasysh se kriminelët duket se po fitojnë, çdo mjet që mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi duhet të jetë patjetër i mirëpritur. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë