Sport

Çiklizëm/ Groenewegen kërcënohet me jetë për rrëzimin e Jakobsen në Poloni

Jeta e tij pas Xhiros së Polonisë u bë vërtet një ferr. Gushtin e kaluar, çiklisti holandez Dylan Groenewegen, pas një gabimi në garë, shkaktoi rrëzimin e bashkombasit Fabio Jakobsen, i cili mori plagë të rënda (kontuzion cerebral, fraktura në kafkë, hundë e thyer dhe 10 dhëmbë të humbur), duke rrezikuar edhe jetën.

Groenewegen u skualifikua me 9 muaj, por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që i ka ndodhur më pas. Çiklisti holandez ka treguar se ka marrë kërcënime të forta për veten dhe familjen. "Kanë qenë kërcënime konkrete dhe shumë të rënda, sa që u desh të lajmëroja policinë", - ka thënë ai. Forcat e rendit për një periudhë e kanë shoqëruar 27-vjeçarin gjatë lëvizjeve ditore dhe kanë bërë roje në shtëpinë e tij.

Çiklisti holandez, Dylan Groenewegen. Gazeta Si, 26 janar 2021

“Kur dilja, - shton Groenewegen, - ishte një polic gjithmonë përkrah meje, që më mbronte”. Kërcënimet ishin vërtet të frikshme për çiklistin. “Më kanë ardhur me postë letra të shkruara me dorë. Një herë na erdhi në shtëpi edhe një lak, me të cilin do të varnim fëmijën tonë kur të lindte”, - rrëfen holandezi. Groenewegen u bë baba rreth 4 muaj pas ngjarjes, kur lindi vogëlushi Mayson. “Kur lexon mesazhin dhe sheh atë copë litari, frikësohesh vërtet”, - pohon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë