Jete & Stil

Çfarë u bën pikëllimi atyre që u vdes bashkëshorti

Nga Anjana Ahuja - Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II kaloi 16 muajt e fundit të jetës së saj duke vajtuar për humbjen e Princit Philip, bashkëshorti i saj prej 73 vitesh, të cilin ajo e quajti "forca dhe dashuria". Dhimbja e saj më kujtoi pikëllimin e nënës sime për humbjen e babait tim, burrit të saj për 52 vjet. Mami nuk ka pirë asnjë pikë çaj në dy vjet që nga ajo kohë.

Vdekja e një bashkëshorti nuk është thjesht një traumë psikologjike: provat tregojnë se mund të dëmtojë në mënyrë të matshme shëndetin fizik të partnerit. Edhe pse nuk është kurrë e mundur të përcaktohet roli i saktë që luan humbja në shëndetin afatgjatë të një individi specifik, studimet në shkallë të gjerë tregojnë për një fenomen të quajtur "efekti i vejushës", në të cilin rreziku i vdekjes së një personi rritet pas vdekjes së bashkëshortit/es.

Gjetjet janë pjesë e një fushe kërkimore në zhvillim të quajtur psikoneuroimunologji, e fokusuar në atë se si shqetësimi psikologjik mund të shkaktojë ndryshime fizike. Fakti që pikëllimi i ndarjes mund të ndikojë edhe në trupin tone, tregon që shëndeti fizik dhe ai mendor janë më të lidhur nga sa besojmë ne.

"Ne e dimë se pikëllimi ndikon në shëndet në përgjithësi dhe se efekti i vejushës është i vërtetë", pohon Mary-Frances O'Connor pedagoge në Universitetin e Arizonës. Fenomeni priret të prekë më shumë meshkujt sesa femrat, shpjegon ajo, dhe rreziku është më i lartë menjëherë pas vdekjes. Burrat e ve kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin sesa bashkëmoshatarët e tyre të martuar në gjashtë muajt pas vdekjes së partneres së tyre.

“Shumë humbin peshë, bëhen më të dobët dhe më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Funksioni imunitar mund të ulet dhe presioni i gjakut mund të rritet", shpjegon O'Connor.

Të moshuarit e ve gjithashtu shfaqin shkallë më të lartë të sepsës, pneumonisë dhe gripit. Një studim i vitit 2006 nga Anna Whittaker zbuloi se nëse një person humbte dikë para se të bënte vaksinën e gripit, kishte një përgjigje më të ulët të antitrupave që fitonte. Ata me simptomat më të rënda të pikëllimit, duke përfshirë depresionin, priren të vuajnë efektet më të theksuara.

“Është humbja e një lidhjeje kuptimplotë ajo që ka rëndësi”, tha ajo duke shtuar se nuk ka prova nëse një martesë më e gjatë sjell pikëllim më të thellë, "por ne e dimë se humbja e një ish-bashkëshorti nuk është aq ndikuese sa humbja e një bashkëshorti aktual".

Një sistem imunitar i dobët është një lidhje kryesore midis mendjes së trishtuar dhe trupit të dobësuar. Bashkëshortët e pikëlluar tregojnë nivele më të larta se normale të citokineve, proteina që grumbullohen në përgjigje të inflamacionit. Nivelet e larta të hormonit të stresit mund të jenë shkaku, me efekte të dëmshme në të gjithë trupin. Partnerët e moshuar kanë humbur gjithashtu shpesh personin që u kujtoi të merrnin pilulat e tyre ose të merrnin pjesë në kontrolle mjekësore, duke shtuar neglizhencën ndaj faktorëve që mund të ndikojnë në mënyrë delikate në vdekshmëri.

Gjetjet e vazhdueshme mbi lidhjen midis humbjes dhe shëndetit të keq, të grumbulluara që nga vitet 1990, e kanë transformuar imazhin e psikoneuroimunologjisë nga një disiplinë e parëndësishme në një disiplinë të aftë për të ofruar një pasqyrë të mirëfilltë shkencore në lidhjen komplekse midis mendjes dhe trupit. E rëndësishmja është se shkenca e re mund të formojë udhëzime praktike për ata që kanë mbetur pas.

Njohja e rrezikut të shtuar duhet të nxisë vigjilencën: presioni i lartë i gjakut, për shembull, është i lehtë për t'u zbuluar dhe trajtuar. Aktivitetet relaksuese, të tilla si ecja ose joga, i ofrojnë trupit një pushim nga barra fizike e zisë.

Për sa u përket fëmijëve "të afërm me pikëllimin" si unë, këshillon O'Connor, ne mund ta zbusim vetminë e një prindi, por duhet të kuptojmë se dëshira e tyre për një shpirt binjak të vdekur do të vazhdojë.

Mendoj se është koha që të ndaloj së pyeturi mamanë time nëse ajo ka pirë një filxhan çaj. Në vend të kësaj, unë do të jem aty për ta pirë me të kurdo që ajo do jetë gati.

*Shkrimtarja është një komentuese shkencore

Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta "Si".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë