Mendim

Çfarë tregoi pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet për gjashtë bashkitë?    

Nga Gazeta "Si" - Kur kandidati i koalicionit ”Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, doli në orën 18.00 të mbrëmjes për të falënderuar demokratët dhe komisionerët pa dallim brenda familjes së opozitës, përqindja e votuesve në Shkodër ishte zhgënjyese. Rreth 13% më pak pjesëmarrja nga e njëjta orë e zgjedhjeve të fund Prillit.

Edhe pse  zgjedhjet e 25 prillit ishin politike e për pasojë të një rëndësie tjetër pjesëmarrja e ulët me një diferencë jo të vogël e ka një domethënie. Dhe këtë nuk mundi ta fshehë as Bardh Spahia përmes rreshtave, kur në fund të një liste falënderimesh, ai i kërkoi shkodranëve vetëm një ore para mbylljes zyrtare të votimit të dilnin dhe të jepnin votën.

Një pjesëmarrje e ulët që as vetë demokratët mes vedi nuk e kishin parashikuar. Një votim i ulët në përqindje për një kandidat si Spahia që sondazhet paraprake e nxjerrin fitues dhe me një heshtje që i jep ujë kandidates së PS-së Majlinda Angoni, pikërisht në Shkodrën e demokratëve ku kandidojnë të ndarë dy figura krejt të ndryshme në profil por me mbështetje fisesh apo tabanesh nëse flasim me gjuhën e shkodranëve.

Shkodra nuk ishte i vetmi fenomen. Edhe Vora po ashtu. Aty ku përfaqësuesi i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” deputeti Flamur Noka u bëri thirrje demokratëve në orët e fundit që të dilnin dhe të votonin ne qytetin ku përqindja e votimit ishte po ashtu 13% më pak se zgjedhjet e fundit, për të shkuar pastaj në Durrës ku qyteti që favorizon PS-në ishte zhgënjyes në pjesëmarrje, Lushnja po ashtu e madje edhe Dibra me pjesëmarrje të ulët në votim krahasuar me zgjedhjet e fundit.

Në asnjë prej bashkive nuk pati pjesëmarrje të lartë në votim, një fenomen që sa duket nga PS-ja ishte deri diku e pritshme por jo nga mbështetës të Sali Berishës të cilët gjatë gjithë ditës bënë thirrje për të votuar.

Një pjesëmarrje e ulët me dy PD të ndara do të përmbysin me gjasë sondazhet e deritashme.

E sigurt është se në këto zgjedhje mbi të gjitha humbi politika, PS-ja, sipas gjasave (pasi numërimi nuk ka filluar ende) mbeti aty ku është. Punoi me strukturat dhe bëri atë që di të bëjë më mirë; vuri në levizje makinerinë elektorale. As rritja e cmimeve dhe gjithçka tjetër nuk u kthye kundër saj, ndërsa enigma më e madhe mbeti PD-ja, se pavarësisht rezultatit, pavarësisht luftës së shifrave që do të beje njëra apo tjetra palë, pavarësisht fituesit, pavarësisht se këto zgjedhje nuk kanë asnjë domethënie qoftë edhe lokale sepse janë më pak se një vit mandat, demokratët nuk dolën të votojnë masivisht; as Bashën dhe as Berishën...Së paku votimi për njerëzit e tyre e vërtetoi. Ndryshe nga pritshmëritë,.. / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë