Tirana, skuadra më e titulluar në futbollin shqiptar me 24 tituj kampion, përjetoi një moment të errët në historinë e saj. Sezonin e fundit luajti në Kategorinë e Parë, duke i ulur shumë pikë fanellës dhe prestigjit të saj, por ciklet në futboll janë të njohur dhe edhe klubet më të mëdha kalojnë të tilla situata. E rëndësishme është ajo që vjen, e ardhmja e skuadrës bardheblu. Çfarë Tirane do të shohin tifozët e saj dhe gjithë futbolldashësit shqiptarë sezonin e ri? Kur Tirana ra nga Superiorja shumë njerëz të sportit shpreheshin se humbi futbolli shqiptar, ashtu sikurse u shprehën edhe për Vllazninë pak muaj më parë, pasi edhe shkodrënët pësuan të njëjtin fat.
Po tani që Tirana është sërish në elitën e futbollit shqiptar, çfarë do të fitojë Superiorja? Aktualisht ka jo pak dritëhije në lidhje me faktin, nëse do të jetë një Tiranë vërtet pretendente, siç thonë drejtuesit e saj, edhe pse me pak ndroje, apo një Tiranë e nivelit mesatar e më poshtë se mesatar. Janë disa pikëpyetje që qëndrojnë mbi skuadrën bardheblu dhe që përgjigjen e saktë do ta japë koha, por janë disa tregues që na “flasin” për Tiranën e ardhshme…
Grupi i futbollistëve
Deri disa vite më parë Tirana ishte kulmi për çdo futbollist në vendin tonë. Të vishje fanellën bardheblu, ishte maksimumi në nivel kombëtar, por tashmë klubi kryeqytetas duket qartë se po has vështirësi në merkato, për të marrë lojtarë me kualitet. Tirana nuk është më zgjedhja e parë për shumë arsye, ekonomike dhe profesionale. Nuk është as zgjedhja e dytë. Me ndryshimin e situatës te Skënderbeu, që në 10-vjeçarin e fundit ka bërë ligjin në futbollin tonë, milionat e Kukësit dhe Flamurtarit joshin futbollistët më të mirë. Tirana nuk i ka këto miliona dhe balanca që ajo krijonte me peshën e fanellës dhe faktin që i mbante futbollistët më të mirë në kryeqytet, tashmë duket se nuk ekziston. Me kthimin e Tiranës nga Kategoria e Parë, trajneri Ze Maria theksonte: “Në Superiore të masakrojnë, na duhen futbollistë me nivel të lartë.
Grupi aktual i Tiranës, pjesa dërmuese e të cilit është ajo e sezonit të shkruar, nuk është se të impresionon shumë. Nëse mendon se kampionati do të shkojë pozitivisht, pa problematika të papritura, Tirana ka një organikë që mund të arrijë maksimumi Kupat e Europës, por jo titullin. Por një sezon ka edhe të papriturat e veta dhe nëse situata precipiton si sezonet e fundit, kun ë momentet kyçe të seoznit bardheblutë stononin, Tirana mund të shndërrohet përsëri në atë “tigrin” prej letre”, që askush nuk e ka frikë.
Prezantimet spektakolare në faqen zyrtare të lojtarëve të afruar apo atyre që rinivojnë, nuk e bëjnë Tiranën pretendente. As Edon Hasani, Eni Imami dhe Vedat Berisha nuk e bëjnë Tiranën pretendente për titullin kampion, ndërsa maqedonasi Bllazhevski dhe lojtarët afrikanë janë për t’u zbuluar, pasi askush nuk i njeh. Tiranën pretendente e bën puna serioze e ekipit, kualiteti dhe garancia financiare. Kualiteti i lartë duhet pranuar se nuk është në nivelin e duhur në ekip. Tirana kishte nevojë për blerje me peshë, jo thjesht për të mbushur organikën. Me grupin që kishte në Kategorinë e Parë dhe lëvizjet e deritanishme, skuadra bardheblu lë dyshime për performancën e saj dhe arritjen e objektivave madhorë në sezonin e ri.
Garancia financiare është po ashtu një element shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e një ekipi në futbollin e sotëm. Sezoni i fundit u mbyll me disa paga mujore të palikuiduara në kohë dhe që ende nuk dihet se si ka shkuar puna e tyre. Nëse edhe sezonin e ri përsëritet ky fenomen, është e pamundur të kërkosh rezultate.
Përplasjet me “Tirona Fanatics”
Për të pasur suksesin e dëshiruar, Tirana duhet të ketë në krah edhe tifozët e saj. Bardheblutë kanë fatin e mirë dhe të keq të kenë një numër të konsiderueshëm mbështetësish në kryeqytet dhe jo vetëm. Fatin e mirë, sepse kanë njërin nga tifo-grupet ultras më të organizuar në Shqipëri, pse jo më të organizuarin: “Tirona Fanatics”. Fatin e keq, sepse në këtë moment ky tifo-grup ka përplasje me presidentin e skuadrës, Refik Halilin. Një përplasje e nisur kohë më pare, për shkak të rrëshqitjes sportive të bardhebluve, që kulmoi me rënien në Kategorinë e Parë dhe që ende nuk është stabilizuar. Fakti që në shtëpinë e Tiranës, në stadiumin “Selman Stërmasi” luan ndeshjet e tij “armiku” i përjetshëm, Partizani, është një tjetër shkak i konfliktit mes tifozëve dhe presidentit Halaili. Ndoshta ka ardhur momenti që të bëhet një pakt dhe Tirana e “Tirona Fanatics” të ecin “tandem”, në të kundërt klubi bardheblu do të vazhdojë të marrë dënime nga Komisoni i Disiplinës për shkak të sjelljes së tifozëve, ndërsa skuadra do të mbetet “jetime”.
Anët pozitive
Gjatë kësaj periudhe Tirana ka ecur pozitivisht në dy drejtime: i ka besuar të njëjtin staf teknik, si dhe u ka dhënë dorë lojtarëve të rinj në moshë, të cilët nesër do të jenë e ardhmja e saj. Fakti që drejtuesit e klubit i besuan trajnerit brazilian Ze Maria për sezonin e ardhshëm, është shumë i rëndësishëm, sepse ndryshimet e shpeshta në staf nuk i bëjnë mirë skuadrës. Braziliani i njeh mirë lojtarë dhe tashmë është përshtatur mjaft mirë me terrenin në Shqipëri, është familjarizuar. Lojtarët e mbështesin, pavarësisht kërkesave të larta në stërvitje të ish-lojtarit të Interit.
Ze Maria është një trajner që mbështet lojtarët e rinj dhe me të në stol elementët e ardhur nga fidanishtja bardheblu, do të kenë mundësinë e shpërthimit. Pas Albi Dokës, që shpërtheu dy sezone më parë, të njëtën gjë mund të bëjnë edhe shumë të rinj të tjerë, të cilët në Kategorinë e Parë kanë pasur minutazhin e duhur. Klisman Cake, Marvin Turtulli, Grent Halili, Ernest Muçi dhe Rei Qilimi janë disa nga këta të rinj. Kuptohet, në Superiore do të kufizohet pak hapësira për ta, por secili do të ketë shanset e veta që duhet t’i shfrytëzojë. Të rinjtë mund të bëhen faktor në Tiranën e sezonit të ri, nëse ekipi do të ecë si duhet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.