Shendet

Linda tregon si shpëtoi nga kanceri në qafën e mitrës

“Për rreth një vit unë isha me hemorragji, që shtohej dita ditës,” thotë Linda Ç., e cila kohët e fundit ka mbaruar pjesën më të madhe të ekzaminimeve dhe trajtimeve, për kurimin e kancerit në qafën e mitrës. Ajo është një zonjë 52-vjeçare, e cila në pamje të parë nuk duket fare e sëmurë, pasi e mban shumë veten dhe buzëqeshja që mbart në fytyrë, e tregon edhe më të re në moshë.

Linda jeton në qytetin e Durrësit dhe tregon se në nëntor të vitit të kaluar është operuar nga hernia abdominale, që në gjuhën popullore e quajmë “dhjami”. Pas kësaj ndërhyrje ajo kishte pasur hemorragji dhe në fillim një gjinekolog ku ishte vizituar, i kishte thënë se kjo është normale pas operacionit, sepse ndodh për shkak të gjilpërës që bëhet para operacionit që nuk lejon mpiksjen e gjakut, duke shtuar edhe faktin se mund të kishte stres dhe të ishte në moshën që mund t'i niste edhe menopauza.

Mjekja Onkologe në QSUT Silvana Çeliku (e cila është marrë me trajtimin e zonjës Linda), tregon për Gazetën “Si” se kanceri i qafës së mitrës është fatmirësisht një kancer për të cilin dihet origjina dhe është kanceri i vetëm që mund të parandalohet. Ajo shpjegon se ai është tumori i vetëm që mund të kapet që në fazat fillestare dhe që mund të shpëtosh.

“Dihet që shkaktari i tij është një virus i quajtur human papilloma virus (HPV). Një virus që transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit seksual. Është gjendur shpeshherë jo vetëm në qafën e mitrës apo në pjesën e jashtme të saj. Si bartës i këtij virusi është mashkulli, i cili mundet ose jo të manifestojë shenja klinike, për të cilin duhet një trajtim shumë i mirë dhe i gjatë. Por fatkeqësisht meshkujt nuk mund të shërohen. Ky është një virus që e ka rrezikshmëri për të gjithë jetën. Ndonjëherë është parë edhe si shkaktar i kancerit të laringut; kjo për shkak të kontakteve të ndryshme me partnerë të ndryshëm. Prandaj ne gjithnjë rekomandojmë që mjetet mbrojtëse janë ndër më kryesoret përsa i përket parandaluar, sepse ti nuk e di asnjëherë me kë të bësh,” shprehet Çeliku për Gazetën “Si”.

Ndërkohë Linda që deri tani është shumë e kënaqur nga këshillat e mjekës Çeliku, tregon se duke qenë se hemorragjia i zgjati rreth një vit, ajo kaloi 3 herë në anemi dhe rruazat e kuqe të gjakut i shkuan nga 5 milion në 1 milion e 200, duke u ndërlikuar edhe me astmë.

Mjekja onkologe, Silvana Çeliku

“Mjeku në Durrës i justifikoi si gjëra të moshës, ndërkohë që bëja eko nga barku dhe mitra e vezoret dilnin të pastra. Pas disa kohësh shkova tej një klinikë private në Durrës dhe në momentin që mjekja më vendosi aparaturën për të më bërë eko vaginale tashmë, mua më plasi hemorragjia. Ajo menjëherë u tremb dhe më tha “jeta jote është me minuta, duhet të shkosh menjëherë tek Onkologjiku”. Në një moment iu përgjigja shumë ashpër, duke i thënë “mos më fol mua kështu”. Më pas, ajo më drejtoi tek mjeku kryesor i klinikës dhe ai më ka thënë vetëm diçka: “të lutem 1000 herë shko tek Onkologjiku”, tregon Linda dhe sytë i mbushen me lot.

Ajo rrëfen se kur ka dalë nga klinika, ka pyetur një mikeshën e saj, "më trego çfarë spitali është Onkologjiku" dhe ajo i kishte thënë: “hë pra, se spital është”. Por pas këmbënguljes, shoqja e saj ishte përlotur dhe i kishte shpjeguar se ishte spitali ku shkojnë "njerëzit me sëmundjet e këqija".

Teksa Linda e lë për pak çaste rrëfimin, mjekja Çeliku shpjegon se në treg në Shqipëri kemi dy tipe vaksinash, por që nuk janë rimbursuar nga shteti sepse kanë një kosto të lartë. Ajo thotë se vaksina zakonisht bëhet tek vajzat e vogla pa nisur kontaktin seksual, por mund të bëhet edhe tek moshat e tjera.

“Që prej viteve '90 kemi një rritje të pacientëve, ndoshta edhe një dyfishim. Nëse kemi pasur 60-70 raste në vit, kanë shkuar deri në 130-140 raste në vit dhe më e keqja është se gratë vazhdojnë të vijnë me vonesë,” shpjegoi ajo

Linda e cila ishte një prej këtyre grave, fillimisht kur e mori vesh, tregon se ka përjetuar një gjendje shumë të keqe emocionale, duke qarë gjithë kohës. Fillimisht kur e kishte kuptuar tashmë se me çfarë sëmundje po përballej, ishte nisur të vajza në Verona, ishte vizituar me imtësi, duke bërë edhe biopsinë, ndërsa kishte rezultuar se masa që gjendej në qafën e mitrës së saj ishte 4-5 cm. Më pas ajo ishte kthyer në Shqipëri, pasi nuk e përballonte dot operacionin atje.

“Preva biletën dhe këtu u lidha me doktoreshë Silvën, që për mua është një ëngjëll dhe vetëm me komunikim të heq gjysmën e sëmundjes,” tregon Linda, e cila duket sikur ka gjetur një familjare në Shërbimin e Onkologjisë në QSUT.

Mjekja tregon se me kushtet që ka spitali edhe sipas kapacitetit, trajtohen 7-8 persona në javë dhe ka një listë pritjeje deri në 2 javë. Ndër të tjera mjekja shton se numri i pacientëve është edhe në varësi të dëshirës së pacientit se ku do të kurohet, disa prej tyre jashtë shtetit, edhe disa të tjerë në spitale private.

Linda vazhdon historinë e saj: familjarët dhe të afërmit thotë se kanë qenë një mbështetje shumë e madhe për të. Në fillim, fëmijët dhe bashkëshorti e shikonin dhe nuk guxonin t’i flisnin për asnjë gjë. Ndërsa motrat e vëllezërit, me të cilët është shumë e lidhur, gjatë gjithë kohës e inkurajonin se do të bëhej mirë.

“Fillimisht thoja për mua mbaroi çdo gjë, ndërsa tani nuk e vras mendjen shumë. Jam lidhur me spitalin prej dy muajsh. Bëja kimioterapi çdo të enjte dhe vazhdoj të bëj rreze nga e hëna deri të premten. Sot doktoreshë Silva më dha lajmin se 95 për qind e sëmundjes është zhdukur dhe tani jam duke fluturuar,” tregon Linda që përsëri përlotet, por kësaj radhe nga gëzimi. Ajo ndërkaq u bën thirrje të gjitha grave të vizitohen dhe mos të presin moshën 51-vjeçare si ajo për të bërë një Pap-Test të thjeshtë.

Fatmirësisht kanceri në qafën e mitrës është i shërueshëm, edhe pse si çdo sëmundje tumorale, ka rrezikshmërinë e vet. Një studim i fundit i publikuar nga mediat britanike ka treguar se falë vaksinës së krijuar kjo sëmundje për pak kohë do të jetë në zhdukje. 

Mjekja Silva tregon se në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, kanë një program i cili shtrihet gjerësisht në territorin e vendit, për gratë nga mosha 40-60 vjeç, moshë kur mendohet që është piku i shfaqjes së sëmundjes. Ajo shpjegon se programe të tilla janë vërtet një ndihmë. Sipas mjekes, kostoja për programet e parandalimit është e madhe, por krahasuar me koston e trajtimit e cila është jashtëzakonisht e madhe, është shumë herë më e ulët.

“Tashmë gratë nuk bëjnë më një Pap-Test, por e kuptojnë sëmundjen nëpërmjet testimit HPV, pra virusit, pranë mjekëve të familjes. Unë ngul këmbë që gratë duhet të shkojnë tek mjeku në momentin kur janë të shëndetshme, sepse pikërisht atëherë mund të shërosh një sëmundje dhe mund ta parandalosh, ose ta trajtosh shumë herët. Mesazhi im është që çdo grua duhet ta dojë dhe ta respektojë veten. As familja, as shoqëria nuk mund të funksionojnë, pa një grua të shëndetshme, pa një nënë të shëndetshme, kështu që vetë gratë duhet të bëhen më pak egoiste për veten e tyre për t’u vizituar,” shton mjekja.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë