Analize

Çfarë e pret qeverinë e ardhshme të Kosovës?

Qeveria e ardhshme e Kosovës do të mbajë mbi shpatullat e saj peshën më të madhe politike që pas shpalljes së Pavarësisë, pasi do të udhëheqë vendin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje ku të dyja palët do të duhet të bëjnë lëshime.

Zgjedhjet erdhën mes presionit të vazhdueshëm të aktorëve ndërkombëtarë, si Uashingtoni dhe Brukseli, të cilët i kanë bërë gjithnjë e më të qarta mesazhet e tyre për Beogradin dhe Prishtinën, duke kërkuar rikthimin në dialog menjëherë pas zgjedhejve dhe heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i Institutit "Demokraci për Zhvillim në Kosovë", thotë se heqja e tarifave do të jetë prova e parë të qeverisë së re pas zgjedhjeve, duke shtuar se një vendim i tillë nuk do të jetë i lehtë, veçanërisht pasi kushti për heqjen e tarifave mund të jetë që Serbia të ndalojë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sidoqoftë, megjithë koston e mundshme politike të vendimit për revokimin e tarifave dhe rifillimin e dialogut, fushata zgjedhore dhe deklaratat e kandidatëve për Kryeministër tregojnë se vullneti për të hapur rrugën drejt zgjidhjes ekziston. Disa nga partitë politike deri më tani kanë propozuar heqjen e tarifës dhe zëvendësimin e tij me reciprocitet.

Parlamenti i Kosovës, Gazeta Si, 6 tetor 2019

"Vetëvendosje dëshiron një qasjen reciprociteti në të cilën Kosova do të vendosë të njëjtat sanksione ndaj atyre që Serbia vendos ndaj Kosovës. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e ndarë në këtë drejtim, "thotë Donika Emini, Drejtore Ekzekutive e Platformës CiviKos, per "European Western Balkans".

Ajo shton se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duket se ka qasjen më fleksibile ndaj tarifave sepse shumë nga anëtarët kryesorë të partisë kanë treguar që ata janë të gatshëm të pezullojnë tarifat dhe të rinisin dialogun.

Nga ana tjetër, Emini thekson se disa liderë të Kosovës, siç është Ramush Haradinaj, promovojnë një agjendë më të ashpër. Motoja e fushatës së Haradinaj është "100% shtet", e frymëzuar nga tarifat që qeveria e tij ka vendosur ndaj mallrave serbe.

"Zgjedhjet mund të ndikojnë në procesin e dialogut në varësi të partive që do të formojnë qeverinë. Megjithatë, ajo që skena politike ka mësuar në dy vitet e fundit është se nevoja për konsensus shkon përtej linjave partiake ”, thotë Emini, duke shtuar se qeveria e re do të duhet të punojë në ndërtimin e konsensusit ndërpartiak.

Dialogu me Serbinë ka qenë një nga kushtet kryesore për përparimin në rrugën e pranimit në BE të të dyja vendeve. Ai duket se është kthyer edhe në shkakun e ngrirjes së procesit të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Sidoqoftë, gjatë fushatës zgjedhore që lamë pas, partitë politike kanë qenë më të kujdesshëm në premtimin e liberalizimit të vizave apo edhe caktimin e një date për anëtarësimin e Kosovës në BE, e cila ka qenë gjithashtu një tipar i fushatave të mëparshme.

“Me sa duket, BE-ja nuk është në agjendë. Me pasigurinë për procesin e liberalizimit të vizave, partitë politike në Kosovë nuk kanë dëshirë ta përfshijnë këtë çështje në programet e tyre ”, thotë Donika Emini.

Kjo ka të bëjë shumë me mungesën e perspektivës së BE-së, ndjenjën e izolimit dhe mendimin e përgjithshëm që BE nuk do të jetë në gjendje të ofrojë siguri politikisht, shpjegon ajo.

Megjithatë, sfidat që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës nuk janë vetëm në jashtme.

Demush Shasha, ekspert nga Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane thotë se setyra e dytë e qeverisë së ardhshme do të jetë ndërmarrja e hapave konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe shkëputjen e ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë.

Vjosa Osmani, Kadri Veseli, Albin Kurti,Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 6 tetor 2019

“Tre vitet e fundit Kosova nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të hetimit apo dënimit profilit të lartë sa ai përket luftës kundër korrupsionit. Po ashtu sa i përket procesit të përgjithshëm integrues institucionet e ardhshme të Kosovës duhet të vendosin theksin në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe agjendës evropiane të reformave”, thotë Shasha.

Përveç detyrave politike, kryeministrin e ardhshëm (ose kryeministren) e presin edhe një sërë sfidash ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për se prioritet i parë i qeverisë së ardhshme duhet të jetë përmirësimi i sundimit të rendit e ligjit.

Brenda 100 ditëve të para të qeverisë, shton Zeka, do të duhej të hartohet një strategji për zhvillimin ekonomik e cila do të ishte udhërrëfyese për reformat që duhet bërë në fuqizimin e ekonomisë.

Po ashtu sipas Zekës, prioritetet e qeverisë së ardhshme duhet të jenë edhe adresimi i boshllëkut të infrastrukturës, transportit dhe energjetikës.

“Kur flasim për infrastrukturën duhet theksuar se ka pasur investime në infrastrukturën rrugore, por ka ngecur mbrapa modernizimi i rrjetit hekurudhor. Qeveria e re duhet të vazhdojë investimet në rrjetin hekurudhor, gjë që do të lehtësonte operimin e shumë bizneseve si dhe të eksporteve. Infrastruktura energjetike është e rëndësishme”, thotë Zeka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë