Lajme

Çfarë do të thotë të mos ketë urban në Tiranë

Nga Anxhela Çelanji – Njëjtë si ditët e tjera, edhe sot u nisa për të shkuar drejt zyrave ku punoj. Rruga ime fillon që nga pallati me shigjeta e përfundon në qendrën e Tiranës. Nëpër rrugë shikoja njerëz të shumtë. Që prej lehtësimit të masave në datën 1 qershor, rrugët e kryeqytetit janë plotë. Gjithashtu edhe lokalet, e kjo pamje të jep përshtypjen se pandemia e koronavirusit të ri ka përfunduar, por kur shikoja njërit duke ecur kujtoja se në ditë të zakonshme dyndja me e madhe e njerëzve do të shihen në stacionet e autobusëve, që tashmë janë pothuajse bosh. Këto mendime më shoqëruan përgjatë rrugës së kavajas deri tek Kisha, ku një grua 50 vjeç me emrin Valentina më ndaloi duke më thënë, nëse dija gjë se kur do fillonte punën transporti publik dhe kur po i shpjegoja se ende nuk dihet, psherëtiu fort dhe më tha “ kush e bën edhe kaq rrugë”. Valentina aty për aty u ul tek bordura e jashtme e Kishës për t’u shplodhur.

Stacion bosh në Tiranë

“Po kur do hapen moj bijë aman,” kjo ishte fjalia e saj e parë, ndërkohë më tregoi se ishte e detyruar të shkonte nga Astiri, për në postën e madhe në qendër.
“Nuk kemi fuqi të ecim më, janë hapur gjithë ato gjëra pse nuk fillojnë edhe këta autobusët të punojnë. Sikur edhe me të ecur nëpër rrugë nuk po e marrim virusin ne. Që nga Astiri e deri këtu kam ardhur në këmbë, apo s’është gjithë kjo vapë,” më tha Valntina e cila u shplodh pak e më kërkoi dorën më pas për t’u ngritur që të ecë.
E përshëndeta dhe vazhdova rrugën në drejtim të qendrës dhe pak metra më tej më ndalon një vajzë dhe më kërkon ndihmë.
“Të lutem mund të më japësh pak ujë se nuk mund të lëviz dot nga vendi,” më tha ajo e përlotur. Pasi i dhashë ujë e pyeta se çfarë kishte e më tregoi se e kishte shumë të vështirë të ecte në këmbë.
“Zgjohem çdo ditë në orën 6 dhe bëhem gati shpejt e shpejt se në orën 7 më duhet të dal. Nga shtëpia në Sharrë e deri këtu mua më bën një orë, lërë me të arrij në fillim të rrugës “Myslym Shyri” ku kam punën. Unë vuaj nga hernia fiskale dhe kjo nuk është hera e parë që mbetem kështu në rrugë. Të paktën kur ishin autobusët nisesha më vonë nga shtëpia,” më tha vajza të cilën e mbajta prej krahu deri në qendër.
Duke shkuar drejt zyrave dëgjoj në rrugë se dy burra rreth moshash 60 vjeç që po diskutonin për çështjen më të famshme të këtyre kohërave, pra për koronavirusin. I pyes se çfarë mendonin për pjesën e hapjes së bizneseve dhe më thonë që duhet të punojnë se ku do gjejnë lekë për të ngrënë. Ndërsa për Transportin Publik njëri prej tyre i cili quhej Mehmet, tek sa po i dëgjoja me vëmendje më tha nxitimthi që “ me këtë punën e autobusëve e kanë bërë mirë që i mbyllën se ju të rinjtë do harroni të ecni naj ditë”.
Mehmeti më tregoi se bënte 20 minuta rrugë për të shkuar tek lokali ku pinte kafenë me shokun e tij dhe asnjëherë nuk e merrte autobusin.
“Unë s’po them për ata që janë larg, po për ju të rinjtë, mirë u bë. Për të bërë pazarin dilni me makinë ose autobusë; jeni bërë përtacë të mëdhenj,” më tha duke qeshur.
Duke diskutuar me burrat e moshuar një vajzë me biçikletë të verdhë na afrohet dhe e irrituar tha se Transporti Publik duhet të fillojë menjëherë. Vajza quhej Ermelinda dhe fjalët e saj të para drejtuar Mehmetit ishin se edhe punëtorët e Transportit Publik duhet të fillonin punën se edhe ata duhet të çojnë bukë në shtëpi.

“Unë u detyrova të blija biçikletën me këste se nuk mund të vija në këmbë nga Kodra e Diellit në punën time. nuk është çështje përtacie, po njerëzit po detyrohen të harxhojnë më shumë se më përpara për cdo gjë,” tha ajo e më pas hipi në biçikletë e iku.
Çështja e transportit publik në vendin tonë u bë shumë e komplikuar pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, që autobusët rreth qytetas dhe ndërqytetës mund të nisnin punën. Shoqatat mes tyre patën përplasje, pasi disa kanë nisur punën me masat e përcaktuara nga Ministria e shëndetësisë, ndërsa të tjerët vijuan me protestat. Të gjitha këto debate rëndojnë mbi kurrizin e popullit. Dy vajza në qendër të Tiranës të cilat ishin ulur për t’u shplodhur, kur i pyeta për nisjen e punës së Transportit Publik më treguan se do të shkonin deri në Medrese, ndërkohë që rruga e tyre kishte nisur që nga Yzberishti.
“Ecëm të dyja avash-avash, u nisëm në orën 9 të mëngjesit, morëm dhe ujë me vetë e si dihet kur do të kthehemi në shtëpi. Vapë po, rruga po në këmbë. Se çfarë kanë ndërmend të bëjnë këta, se di njeri. Vetëm se do ecin njerëzit po sa do ecin, u bë gati 4 muaj ky muhabet,” më tha njëra prej vajzave.
Pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, Shoqata e Transportit Urban doli sërish në protestë ditën e djeshme dhe bëjnë thirrje që qeveria nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre financiare. Ata kanë deklaruar se qeveria po i çon drejt falimentimit, nëse do punojnë me kapacitet të shkurtuar. Tubimi përpara Ministrisë së Energjetikës nuk ishte pa konfliktime, pasi policia ka nisur me shoqërimet. Policia bëri thirrje disa herë për shpërndarje, por protestuesit këmbëngulën duke qëndruar.
Policia shoqëroi 5 persona ndërkohë protestuesit thanë se kanë dalë për të kërkuar bukën e gojës. Ata kërkojnë një pagë 40 mijë lekë shtesë, heqjen e akcizës së naftës, uljen e TVSH-së dhe korrigjimin e protokollit të sigurisë anti Covid-19.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës deklaroi dy ditë më parë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka përgatitur një paketë mbështetëse për sektorin e Transportit Publik, edhe në shtator do të ketë një riorganizim të shërbimit të Transportit Publik në të gjithë vendin.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më Shumë