Editorial

Transporti urban, nuk duhet të ketë negociata pa nisur shërbimi

Tani që na duhen më shumë se çdo herë tani nuk i kemi. Transporti urban në gjithë Shqipërinë është i ngrirë. Bizneset që kanë marrë licensat për të ofruar këtë të mirë publike nuk i kanë ndezur autobusët duke lënë në pritje mijëra qytetarë. Gjithçka është hapur. Vetëm transporti publik jo.

Ata po i bëjnë presion qeverisë dhe bashkisë që t’ju heqin akcizën e karburantit, të ulin TVSH-në, të zbusin protokollin për parandalimin  e përhapjes së Covid-19 dhe një pagesë tjetër shtesë lufte për muajin qershor. Dhe po e ngrenë zërin në një kohë të gabuar dhe të vonuar. Sepse në fund të fundit tani duhet edhe shërbimi, pas hapjes.

Ata janë në të drejtën e tyre të kërkojnë ç’të mundin, edhe nëse ndokush mund t’i konsiderojë alogjike kërkesat e tyre.

Por, po kaq të drejtë kanë edhe mijëra qytetarë që tu vihet në dispozicion një e mirë dhe e drejtë publike që u takon pavarësisht se menaxhohen nga privati.

 Në fund të fundit shërbimi urban është një marrëdhënie kontraktuale mes qytetarëve të përfaqësuar nga bashkia ku në këmbim të investimeve dhe fitimeve të privatëve marrin një të mirë publike, që është në fakt e tyrja.

Për sa kohë që ajo nuk zbatohet, kontrata është e prishur në mënyrë të njëanshme. Ndaj moralisht (pa shkuar tek detyrimi ligjor) bizneset që operojnë me transportin publik urban e kanë humbur të drejtën të kërkojnë ndihmë sa kohë nuk e ofrojnë shërbimin.

Bllokimi i aktivitetit nga ana e tyre tregon minimalisht se ata nuk duan ta shfrytëzojnë mundësinë e hapjes nga pandemia. Se interesi qytetar jo e jo që nuk prevalon për ta.

Me mijëra qytetarë janë të detyruar me kosto më të larta dhe me shumë angazhime të gjejnë  mënyra të tjera për të vijuar aktivitetin e përditshëm. Ata nuk e meritojnë këtë kosto, siç nuk e meritojnë që të pëdoren nga biznesi si një trysni pakënaqësie ndaj autoriteteve.

Loja që po luhet është e rëndë sepse po luhet në kurriz të një të mirë publike që na përfshin të gjithë ne në një formë apo tjetër. Ndaj dhe, nuk duhet të ketë negociata po nuk nis shërbimi.

Duhet ta kenë të qartë të gjithë si qeveria, si pushteti lokal dhe sipërmarrësit, se transporti publik është një e drejtë që ne qytetarët ua kemi deleguar kundrejt një  mundësie që atë ta kenë për të fituar. Licencat që ata gëzojnë janë pronë  e jona.

Qeveria tha se po negocion dhe mund të ofrojë diçka si ndihmë ndërsa disa biznese duken mosbesues. Nuk na intereson ky moment përballë faktit që ne ende nuk mund të përfitojmë nga transporti urban. Negociatat mes palëve mund të zgjasin, por qytetarët nuk mund të presin. Në këtë pikë është detyrim i të zgjedhurve që të japin një zgjidhje. Le ta gjejnë ku të duan: le të marrin autobusët, mjetet e tjera nga ushtria, të krijojnë një ndërmarrje publike etj.

Sepse çështja nuk vetëm sot për sot. Por, për të ardhmen. Askush nuk garanton që shërbimi urban si një e mirë publike alternative nuk do të përdoret sërish duke na mbajtur peng.

Ka ndodhur kur kërkohej rritja  e çmimit të biletës dhe pranuam të paguajmë më shtrenjtë,  ka ndodhur kur plasi skandali me bileta falco ku disa linja urbane fshinin dhe vidhnin paratë e qyetarëve pa i deklaruar, po ndodh tani me pandeminë.  Me sa duket forma dhe marrëdhënia që bashkitë kanë gjetur me shumë linja që operohen nga privatë dhe të copëzuara nuk po fuksionon.

Duhet një mënyrë tjetër, një marrëdhënie tjetër, ku e mira e përbashkët të mbizotërojë…Sepse mbi të gjitha për ne kjo ka rëndësi…As nafta që harxhon autobusi e as kostoja që ka marrë nga pandemia. Të gjithë kemi dalë të humbur në një formë apo tjetër nga kjo betejë. Të gjithë po lëshojmë nga vetja, si individë ashtu edhe biznese. Por ajo që nuk shmangim dot janë detyrimet që na takojnë gjithësecilit në raport me veten, shoqërinë, ligjin dhe vetë shtetin… Dhe këtë duhet të bëjë edhe transporti urban… Në të kundërt të hapë krahun…

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë