Mendim

Çfarë do të ndryshojë Maqedonia së bashku me emrin?

Ka shumë gjëra që duhen marrë parasysh kur një shtet vendos të ndryshojë emrin e tij. Çfarë ndikimi do të ketë tek institucionet qeveritare, pasaportat apo në valutën e tij? A do të ndikojë ndryshimi i emrit tek linja ajrore kombëtare apo tek ekipet sportive? Si do të funksionojë regjistrimi i emrit të ri në institucionet ndërkombëtare?

Kur qytetarët e Maqedonisë të nisen drejt kutive të votimit për të miratuar ose refuzuar emrin "Republika e Maqedonisë së Veriut ", nuk ka gjasa që ata do të mendojnë për asnjë nga këto pyetje. Në vend të kësaj, ata do mendojnë për atë që do të fitojë Maqedonia në qoftë se arrin marëveshjen me Greqinë dhe mbi të gjitha, se çfarë do të humbasë.

Gjatë referendumit, i cili do të mbahet më 30 shtator, qytetarët maqedonas do t'i përgjigjen "po" ose "jo" pyetjes së mëposhtme: "A e përkrahni anëtarësimin në BE dhe në NATO duke pranuar marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë?". Emri i ri nuk shfaqet në pyetjen e referendumit, sepse në të vërtetë, ky referendum nuk po bëhet vetëm për ndryshimin e emrit. Bëhet fjalë për një marrëveshje të arritur mes qeverisë greke dhe asaj maqedonase dhe për t’i hapur rrugën anëtarësimit të Shkupit në BE.

Angela Merkel dhe Kryeministri Zoran Zaev

Pra, pse është kaq e vështirë për të ndryshuar një emër?

Marrëveshja do të kërkojë më shumë sesa thjesht përditësimin e tabelave rrugore apo dokumentet në Kombet e Bashkuara. Riemërimi do të duhet të pasqyrohet në të gjithë shoqërinë maqedonase, nga emri i agjencive qeveritare deri tek pasaportat e tij, patentat e shoferëve dhe madje edhe në monedhën e saj zyrtare. Edhe pse marrëveshja përcakton se qytetarët do të vazhdojnë të quhen maqedonas, është e paqartë nëse mund të thuhet e njëjta gjë për çështje më të përditshme, siç është emri i domain-it të vendit apo edhe ekipet e tij kombëtare sportive.

Sipas një sondazhi të fundit kombëtar, qytetarët e Maqedonisë pritet të miratojnë ndryshimin e emrit. Anketat zbuluan se 49 përqind e qytetarëve kanë ndërmend të votojnë në favor të referendumit, ndërsa 22 përqind do të votojnë kundër marrëveshjes. Sipas ligjit maqedonas, që referendumi të konsiderohet i vlefshëm, duhet të marrin pjesë më shumë se 50 për qind e 1.8 milion votuesve. Edhe pse referendumi nuk është i detyrueshëm dhe parlamenti i vendit mund të vendosë ndryshimin e emrit me anë të një votimi, pavarësisht nga rezultati, kundërshtarët e marrëveshjes mund të përdorin pjesëmarrjen e ulët për bojkotimin e referendumit.


 Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis dhe Kryeministri Zoran Zaev 

Por kjo nuk është sfida e vetme. Nëse marrëveshja miratohet me referendum, ligjvënësit maqedonas do të duhet të miratojnë një amendament kushtetues për të pasqyruar ndryshimin e emrit, një proces që është me të vërtetë mjaft kompleks.  James Ker-Lindsay, një profesor i Shkollës Ekonomike të Londrës vuri në dukje se ndonëse ndryshimi i emrit ka mbështetjen e Zaevit, kryeministrit maqedonas dhe partisë së tij, Lidhjes Social Demokrate, ai kundërshtohet nga partia nacionaliste e opozitës, VMRO-DPMNE. Duke qënë se ka vetëm 60 vende në parlament, partia e Zaevit do të ketë nevojë për mbështetjen e së paku 20 deputetëve të tjerë për të patur shumicën që nevojitet për miratimin e ndryshimeve.  " VMRO-DPMNE mund ta bllokojë marrëveshjen pavarësisht rezultatit të referendumit,” tha Ker-Lindsay. “Pyetja e madhe është nëse ata do të heqin dorë nga kundërshtimi dhe të resektojnë vullnetin e njerëzve?”

Në një vizitë në Maqedoni këtë javë, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se nuk ka dyshim se Rusia po përpiqet të bllokojë referendumin dhe u kërkoi maqedonasve të votojnë. Të gjendur përballë kundërshtimeve të brendshme dhe  të jashtme, rruga që do të ndjekë Athina dhe Shkupi do të jetë e vështirë për të dyja palët, të cilat me shumë gjasë kanë vetëm një mundësi për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve mes tyre./The Atlantic/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë