Art dhe Kulture

Çështje shijesh, apo skulptorët e kanë humbur dorën?

Cilësia e shtatoreve të Skënderbeut dhe të Adem Jasharit të vendosura në qytetin e Prizrenit ndez në Kosovë dhe në opinionin publik shqiptar një debat që në shumë vende perëndimore vlon prej vitesh, e ku shumë kritikë arti kanë bërë thirrje ekstreme deri në ndalimin e skulpturave në publik.

Njëri prej tyre është Jonathan Jones, kritik arti dhe autor i një sërë publikimesh dhe shkrimesh për gazetën britanike “The Guardian”. Jones ngriti dyshime në 2015 se mos ndoshta kishte ardhur koha që skulptorëve t’u ndalohej që të ngrinin monumente në sheshet dhe rrugët e qyteteve. Arsyeja: sipas tij nuk dinin t’i bënin më.

“Ata thjesht kanë humbur aftësinë për të bërë art. Arti që dikur na dha Davidin e Mikelanxhelos dhe Burghers në Kalais nga Rodini ka degjeneruar në vepra të dorës së dytë, provinciale që po mbushin sheshet, stacionet e trenave dhe hapësira të tjera publike në mbarë botën; shëmtira”, deklaronte ai në 2015 në një shkim për “The Guardian”.

Jones përmendte skulpturën e ndërtuar në bronz në nder të yllit të televizionit amerikan, Lucille Ball. Aq u kritikua vepra, sa ajo u pagëzua me emrin "Luci e Cmendur". Autori i skulpturës, Dave Poulin kërkoi falje përmes një shkrimi të gjatë në “The Hollywood Reporter” dhe e ripunoi veprën e tij, këtë herë pa para.

Statuja në nder të Lucille Ball

Jones kthehet disa shekuj pas në kohë. Ai kujton skulptorin italian, Baccio Bandinelli dhe veprën e tij “Hercules & Cacus” në Firence. Kur vepra u zbulua u quajt një “tufë e flakur me shalqinj”, pa formë, statike dhe një turp për Rilindjen europiane.

Hercules & Cacus

Megjithatë, Bandinelli shërbeu si frymëzim për artistët rivalë për të bërë punë më të mira, vetëm për të treguar se sa i padobishëm ishte ai. Benevento Cellini mendoi fillimisht që ta vriste, por në vend të kësaj u “hakmor” duke krijuar kryeveprën e tij, Perseus me kokën e Meduzës, duke e vendosur në të njëjtin shesh për t'i treguar Bandinelli-t se si duket arti i vërtetë.

Shkrimi i Jonathan Jones është i vitit 2015. Kritika e tij duket se ra në vesh të shurdhër. Dy vite më vonë, në Madeira përurohet busti i Cristiano Ronaldos, në hyjre të aeroportit që mori emrin e futbollistit portugez.

Busti i Cristiano Ronaldos në Madeira

Për të kuptuar cilësinë e veprës nuk nevojitej një sy i mprehtë artistik. Shumë madje vunë në mëdyshje nëse në atë bust ishte vërtetë futbollisti, apo jo. Autori pas kësaj vepre iu kundërpërgjigj kritikave duke thënë se “ishte çështje këndvështrimi”.

“Është e pamundur që të kënaqësh edhe grekët, edhe trojanët. As Jezusi nuk i kënaqi të gjithë”, tha skulptori, Emanuel Santos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë