Ne rrjet

Fyerje ndaj Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Qytetarët kërkojnë heqjen e dy shtatoreve në Prizren

Shumë shqiptarë të Kosovës kanë mbetur të pakënaqur nga dy shtatoret e përuruara një ditë më parë në qytetin e Prizrenit, ato të Adem Jasharit dhe Skënderbeut, duke i cilësuar në fakt si karikatura dhe skulptura.

Të dy shtatoret u përuruan me rastin e 28 Nëntorit dhe në të njëjtën kohë, ditëlindjen e komandantit legjendar të UCK Adem Jashari.  Por pas përurimit të tyre shumë qytetarë kanë shpërthyer në rrjetet sociale duke i quajtur të shëmtuara dje fyerja për figurat historike që përfaqësojnë. Mes atyre që ka kritikuar imazhin e shtatoreve ka qenë edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Shtatorja e bronztë e Skënderbeut i zbulua në qytetin e Prizrenit nga kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ministri i mbrojtjes, Anton Quni, dhe deputetë të këtij qyteti.  Ndërsa shtatorja e Adem Jasharit u zbulua në qendrën e madhe tregtare Abi Carshia në Prizren, financuar nga një familje e këtij qyteti. Por punimi i dobët i shtatoreve po cilësohet si një turp për dy heronjtë kombëtarë. Shumë shqiptarë të Kosovës kanë kërkuar heqjen sa më parë të dy shtatoreve dhe të realizohen dy të tjera siç i ka hije heronjve shqiptarë.

Kritiku i artit, Ilir Muharremi thotë se skulptorët të cilët krijuan dy shtatore atë të legjendarit Adem Jasharit dhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nuk ofruan as minimumin e artit të skulpturës, por dhanë paqartësi, deformime anatomike, duke i fyer të dyja figurat.

“Shtatorja e Skënderbeut, tregon një pasaktësi propocionale anatomike me deformime serioze. Koka është shumë e gjatë, gjatësia e qafës e tejkalon çdo matje proporcionale të trupit dhe hollësia e saj. Pastaj, skulptori fokusohet te mjekra e cila aspak nuk është e natyrshme dhe nuk i ngjanë mjekrës së Skënderbeut. Trupi i tij hollak më shumë nxjerrë atë anën komike se sa luftarake dhe nuk e di se ku qe qëllimi i skulptorit. Emri i autorit të kësaj skulpturë që është Sinan Alija”, shkruan eksperti. “Ndërsa, shtatorja e komandatit legjendar Adem Jashari që po ashtu u zbulua në Prizren, emri i skulptorit nuk dihet, është krijuar nga një fotografi e Jasharit. Përmasat devijojnë, sidomos kraharori shumë i gjerë, duart e shkurtra të holla me shuplaka të vogla. Si duket skulptori mendon qe veç mjekra dhe një pal dylbi e identifikojnë imazhin real të Jasharit. Ndonëse, dhe karakteri devijon plotësisht, prapa syve nuk mund të vërejmë shpirtin e Ademit. As një gjest, as një lëvizje nuk është e Ademit”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë