Arsim

Ç’është lënda e kodimit që ministrja Muzhaqi mund të mos arrijë ta realizojë që nga klasa e parë në shkolla

Nga Anxhela Çelanji - Deklarata e Ministres për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi se do të përfshihet kodimi si lëndë qysh në klasën e parë ka marrë vëmendjen e ekspertëve të arsimit dhe më gjerë. "Fillimin e vitit të ri shkollor 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë do të pajisen me laboratorë teknologjikë të rinj. Fëmijët e klasës së parë do të mësojnë kurrikulën e kodimit. Këta fëmijë bashkë me ata që ndjekin kodimin si lëndë ekstrakurrikulare do të jenë ata që do të hapin rrugën për Shqipërinë e teknologjisë për të konkurruar në mënyrë të denjë me bashkëmoshatarët europianë”, u pat shprehur Bora Muzhaqi.

Por çfarë mendojnë ekspertët e arsimit dhe teknologjisë së informacionit për vendimin e ministres?
I pyetur nga Gazetasi.al, eksperti i arsimit Fatmir Vejsiu shpjegon se lënda e kodimit ka të bëjë me hapat e para të programimit. Vejsiu shpjegon se kjo lëndë nuk është mbingarkesë për nxënësin, por e pamundur për t'u realizuar.
“Zhvillimi i kësaj lënde kërkon dy gjëra kryesore si; pajisjen e të gjithë nxënësve me kompjuter ose tabletë dhe mësues të kualifikuar që zhvillon mësimin e TIK në shkollë”, shpjegon Vejsiu.
Vejsiu shton se nuk beson që shkollat tona plotësojnë kushtet për zhvillimin e kësaj lende, por që mund të eksperimentohet në disa shkolla të veçanta dhe me shprese që në të ardhmen(të cilën eksperti e shikon të largët), të kemi mundësi ta fusim si lëndë të kurrikulës bërthamë në të gjitha shkollat e vendit.

Më tej Vejsiu shpjegon se kjo procedurë mësimore ndiqet në Mbretërinë e Bashkuar që ka nisur prej vitit 2014.

Fatmir Vejsiu

Ndërsa eksperti i IT, Kadri Manaj shpjegon se shumica e njerëzve nuk dinë shumë për mënyrën se si funksionojnë telefonat inteligjentë, tabletët, kompjuterat apo pajisje të ndryshme digjitale dhe programimi (kodimi) i bën fëmijët të kuptojnë se si pajisje të ndryshme të bashkëveprojnë me njëra-tjetrën në ditët e stome.
“Programimi duhet kultivuar si pasion dhe jo si lëndë shkollore, ku nxënësit të ndrydhen nga detyrimet dhe vlerësimet që i bën sistemi arsimor. Mendoj që me efiçent do jenë kurset verore apo pas shkolle, për të arritur këtë qellim se sa lëndët mësimore. Duhen lojëra të ndryshme me qellim edukativ që fëmijët të jenë të tërhequr pas tyre dhe jo libra ku ka vetëm fjalë dhe kode”, shpjegon Manaj.

Kadri Manaj

Sipas tij duhet një ndërthurje mes teorisë dhe praktikës, ku praktika të dominojë në pjesën më të madhe të kohës.
“Unë personalisht jam kundër këtij vendimi, që programimi të shtohet si lëndë që në klasë të parë. Mund të kenë lëndë që ka tema teknologjike dhe mund të trajtohen shembuj të prekshëm me demostrime nëpër klasa. Sistemi arsimor sot prodhon vetëm lektor, që nuk janë të aftë për tregun e punës dhe kjo gjë vihet re në tregun e punës, ku ka mungesë të theksuar punonjësish me eksperiencë. Prandaj, për këta fëmijë duhet menduar me detaje mënyra ditaktike, pasi pjesa me e madhe e tyre nuk janë ende në gjendje që të kuptojnë atë që mund të lexojnë ne tekste, ku kanë vështirësi perceptimi edhe të rriturit”, shpjegon më tej Manaj.

Por pavarësisht opinioneve, Vejsiu shton se është Ministria e Arsimit ajo që vendos nëse do ta kemi kodimin në shkollat shqiptare si lëndë.
Mësimdhënia e aftësive të programimit për fëmijët shihet si një zgjidhje afatgjatë për "boshllëkun e aftësive" midis numrit të vendeve të punës në teknologji dhe njerëzve të kualifikuar për t'i plotësuar ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë