Njerez

Çdo vit 120 të mitur “zhduken” në rrugë/ Sinjali Amber në Shqipëri, si do të shpëtohen fëmijët e humbur me një njoftim në telefon

Nga Gazeta Si- Shqipëria është një hap më afër krijimit të Sinjalit Amber për fëmijët e humbur, duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të zbatojë sinjalin. Në Europë, janë 20 vende që kanë zbatuar 'Amber Alert' për fëmijët e humbur.

Si funksionon Sinjali Amber?

Sinjali Amber është një sistem i njohur ndërkombëtar, që drejton palët kryesore të interesuara, të cilat përfshijnë organet ligj-zbatuese, institucionet qeveritare, OJQ-të, median (TV, radio), agjencitë e transportit, ofruesit e shërbimeve të internetit, kompanitë e mediave sociale e shumë të tjerë, për të bërë të mundur transmetimin e sinjalit në momentin që humb një fëmijë, që i mundëson publikut të marrë pjesë në kërkimin e fëmijës së zhdukur, humbur apo të rrëmbyer.

Në momentin që një fëmijë humb, në telefonat e qytetarëve të zonës ku ka ndodhur rrëmbimi i një fëmije, do të shkojnë një mesazh ku do të jepen disa të dhëna mbi të miturin. Nëse qytetarët do të kenë informacion mbi ngjarjen do të kontaktojnë në AMBER-ALERT. Ky sistem i aplikueshëm tanimë në 129 vende të botës, ka rezultuar efektiv në 96% të rasteve.

Në 13-14 Qershor është mbajtur në Tiranë trajnimi përfundimtar i rreth 30 punonjësve të policisë, të cilët vinin nga të 12 drejtoritë e policisë në vend, si dhe e punonjësve të linjës së parë në mbrojtje të fëmijëve. Trajnerët vinin nga SHBA, Greqia dhe Shqipëria, me eksperiencë të gjatë në mbrojtjen dhe gjetjen e fëmijëve të humbur.

Altin Hazizaj, drejtori i CRCA thotë për Gazetasi.al se në Shqipëri thuajse çdo vit humbin apo largohen nga shtëpia 100-120 fëmijë dhe adoleshentë, të cilët shpesh gjenden në situate të rrezikut të jetës apo sigurisë së tyre. Sinjali AMBER është një sistem i shpejtë i deklarimit të emergjencës për fëmijët e humbur.

Historia e sinjalit Amber

Sistemi Amber është emri i Amber Hagerman. Natën e 13 janarit 1996, Amber dhe vëllai i saj po ngisnin biçikletat e tyre në një parking në qendër të qytetit Arlington, Teksas. Pasi ishte larguar për vetëm 8 minuta, Amber u rrëmbye nga një person i panjohur. Pavarësisht një programi të mirëpërdorur të menaxhimit të emergjencave dhe mbulimit të gjerë në mediat lokale, trupi i gjymtuar i Amberit u zbulua në një përrua 4 ditë më vonë, vetëm disa kilometra larg shtëpisë së saj.

Prej aty, sinjali Amber u rrit. Banorët vendas filluan të pyesin me zë të lartë se nëse organet lokale të lajmeve mund t'i paralajmërojnë banorët për mot të keq dhe ngjarje të tjera të ngjashme, pse të mos bëjnë të njëjtën gjë kur një fëmijë rrëmbehet? Transmetuesit filluan të bashkëpunojnë me zbatimin e ligjit lokal për të zhvilluar një sistem paralajmërimi të hershëm për fëmijët e rrëmbyer. Gjatë gjithë vitit 1996, juridiksione të tjera anembanë vendit filluan të krijojnë programe të ngjashme të menaxhimit të urgjencës për të njoftuar publikun kur një fëmijë rrëmbehej.

Pavarësisht nga kjo, deri në fund të vitit 2001, vetëm katër shtete kishin plane gatishmërie emergjente sinjali Amber në mbarë vendin. Në vitin 2002, Shtëpia e Bardhë mblodhi një konferencë për fëmijët e zhdukur, të shfrytëzuar dhe të arratisur. Pikërisht në këtë pikë programi i menaxhimit të urgjencës 'Amber Alert' erdhi në fokus kombëtar dhe ndërkombëtar dhe shumë shtete filluan të bënin pjesë tyre sinjalin Amber duke shpëtuar deri më tani mbi 900 fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë