Kinema

Catherine Deneuve: Besoj se kam qenë simbol

Catherine Deneuve dhe Yves Saint Laurent në foton e shkrepur nga Helmut Neëton, më 1981

Me pak drojë e përshëndes bionden flokë gufuar, e cila ecën drejt  apartamentit të  François de Ricqlès, kreu i shtëpisë së ankandit Christie’s të Francës, në anën e majtë të Parisit, më pak të populluar, për një pije para dreke. Franca mund ta ketë shkurorëzuar të fundmit mbret më 1848-ën, por nuk ka reshtur së dashuri një mbretëreshë: dikush që bashkon kombin dhe mishëron të gjithë karakteristikat e gjalla kombëtare. Gruaja me pretendim solid për atë fron imagjinar, është ulur tani pranë meje, duke më pyetur a kam një çakmak për të parën prej shumë cigareve,  që do të tymosë atë pasdite. Tashmë në të shtatëdhjetat dhe ende e bekuar me atë floknajën e patëmetë bionde, Catherine Deneuve rrezaton autoritet. Por vetëpërmbajtja akullnajore, prej së cilës përbëhet më së shumti, është zëvendësuar nga një cilësi që dikush mund ta quajë....miqësore. Duket se ia ka dhënë pushim fundjavën Chatherine-ës së ftohtë e të paarritshme, duke lënë në vend të saj një grua të çlodhur, që mbin aty për të takuar një mik për drekën e së dielës. E çlodhur, po, por chic: të veshësh stilin Deneuve përfshin një pulovër thurur Prada, në ngjyrë të zezë dhe me orkide të mëdha, pantallona të zeza dhe çizme lëkurë me tokëza të mëdha tunxhi, përshkruar nga  një vështrim të kyçit të dorës dhe fjalët “është Vuitton”. Me një zë të pluhuruar nga një ngjirje e këndshme, ajo hidhet sa nga frëngjishtja tek gjuha angleze; e përhumbur në mendime ndez cigaren nga ana e filtrit dhe shpejt e fik, me një të qeshur. Nuk ka tjetër mënyrë për ta përshkruar: është thjesht shoqëri e mirë.


Në fustan të zi mëndafshi (vlera 900-1800 paundë) © WireImage

Po takohemi për të rishikuar katalogun për shitjet e koleksionit Deneuve,  të veshjeve të modës së lartë,që mbajnë firmën e Yves Saint Laurent e që do të organizohet më 24 janar. Shumë nga ofertat ilustrojnë fazat e ndryshme të jetës publike dhe rrëfejnë historinë e një miqësie të gjatë. Ka fustane me tepri, shumë prej të cilëve janë veshur në Kanë e Venecia, si edhe në çmimet Oscar, César e Golden Globe. Ka gjithashtu edhe disa hollësi të pamjeve mahnitëse të kopertinave të “Paris Match”: një kostum sateni bojërozë dhe një fustan që shfaq një zog të madh metalik, të varur në një sup. Koleksioni kacavirret në të. Për shumë vite, këta artikuj të modës së lartë të Deneuve kishin mbetur në papafingot shpellore të shtëpisë së saj në fshat. Por pastaj erdhi koha të pakësoheshin. “Nuk e kisha kuptuar se ishin aq shumë rroba”, thotë ajo. “Kur Christie’s pyeti sesa artikuj ishin, i thashë: mbase 100, e shumta 150.” Në fakt janë pothuajse 300. Kështu u bë diçka e rëndësishme, një qëndrim, të cilin nuk e pata menduar në fillim”

Deneuve e bleu të parin artikull “couture” më 1965-ën. Ndodhej në Londër duke xhiruar “Repulsion” , me Roman Polanskin. Regjisori e prezantoi me David Bailey, fotografi që do të bëhej bashkëshorti i saj për shtatë vite. “Ishte shumë simpatik dhe sharmant – ashtu si vetëm një anglez mund të jetë”, thotë ajo. “Shumë ekscentrik. Ai jetonte në një shtëpi,  ku kishte dhoma të mëdha poshtë, plot me zogj – ishte si të jetojë në një çerdhe me fëmijë që ulërinin.” E gjendur para nevojës  për një veshje me të cilën të paraqitej tek Mbretëresha, ajo i kërkoi Bailey-it, atëkohë në apoteozën e karrierës së tij, ndihmë. “Ai më këshilloi të shkoja tek Saint Laurent. Kishte një fustan që më kish pëlqyer nga një sezon më parë. Kështu shkova me një copë gazete të prerë.”


Me Ursula Andress dhe Julie Christie, 1966, me të parin fustan Saint Laurent. 


Imazhi i së resë së ndrojtur Deneuve që shkonte të takonte të riun e ndrojtur Saint Laurent, me një gazetë të prerë në duar, kishte një çiltërsi magjepsëse. Me pak fjalë, fustani me frymëzim rus  nuk ishte i arkivuar, por nga ai takim i parë lulëzoi një miqësi dhe bashkëpunim dhjetëravjeçar. Ishte Saint Laurent, sigurisht, ai që stiloi gardërobën e Deneuve për filmin e vitit 1967, “Belle de Jour”. Deneuve ishte 23 vjeç kur interpretonte shtëpiaken e shndërruar në prostitutë në studimin e Luis Buñuel-it mbi seksin dhe borgjezinë e lartë: një rol që përfshinte grisjen e rrobave nga trupi, mbylljen e  gojës, fshikullimin, lidhjen dhe llangosjen  me baltë – dhe të ruante një bukuri të patrazuar gjatë gjithë filmit. “Belle de Jour” e vendosi Deneuve-ën si francezen prototip të të Tridhjetave të Lavdishme, të pasluftës: inteligjente dhe seksualisht komplekse. Por mos e lini seksin t’ju shpërqendrojë prej stilit: “Belle de Jour” është një film sublimisht chic. Të gjithë ishin të veshur mirë – madje edhe dashnori i saj gangster, i ngjashëm me Nurejevin, bridhte me pardesy lëkure dhe bastun. Por është Deneuve dhe veshjet e saj që të mbesin në mendje. “Belle de Jour i detyrohet shumë Yves Saint Laurent,” thotë ajo me modesti.

Deneuve në radhën e parë në një sfilatë të Saint Laurent , 1973 © Jean-Luce Huré


Në jetën e Saint Laurent, Daneuve ishte po aq pjesë e rrethit të stilistit sa Betty Catroux dhe Loulou de la Falaise — ajo madje këndoi në kulmin e shfaqjes së lamtumirës së Saint Laurent, më 2002-shin. Por ajo e refuzon etiketimin “muzë”. “Jo, jo, ne punonim bashkë dhe kishim marrëdhënie të mirë. Por nuk mendoj se është e drejtë të më quani muzë. Muzat e tij ishin Betty dhe Loulou.” Po ata ndanin bashkë një farë simpatie. “Bëhesh më e kujdesshme se çfarë vesh”, thotë ajo, rreth përvojës së të veshurit krijimet e tij. “Ndihesh krejt ndryshe. Kur jeton në publik, të jep një qëndrim që të ndihmon të kesh vetëbesim me njerëzit që nuk njeh.” Tek Saint Laurent ajo gjeti mjeshtrin e gardërobës së përsosur për rolin e jetës si Catherine Deneuve.

Në një sfilatë të YSL, 1977 © Jean-Luce Huré


Deneuve nuk e lejon që jeta si perëndeshë e ekranit, ta kufizojë  në shijimin e kënaqësive më tokësore: një cigare e hollë i bashkohet dorës së saj të djathtë si gisht i gjashtë dhe ajo shijon një drekë madhështore që kulmon me një sufle aq të jashtëzakonshme,  sa bën pesë minuta lavde për kuzhinierin. Qoftë kur flet pro abortit si në fillim të viteve 1970 apo kur i sulet lëvizjes #MeToo, kohëve të fundit (janarin e shkuar ajo e vendosi emrin në një letër të hapur që kritikonte puritanizmin e ri të Hollivudit) apo thjesht duke shijuar suflenë, Deneuve bën atë që i do qejfi.

E pyes për shndërrimin nga një e famshme e thjeshtë në një pikë referimi në gjeografinë kulturore të Francës. Ajo përgjigjet. “Ndodhi përpara se të isha Marianne,” Ajo i referohet një sondazhi më 1985-ën, në të cilën u zgjodh si modelja për personifikimin femëror të lirisë, e mishëruar në identitetin kombëtar të Francës nga vepra e Delacroix-së “Liria që udhëheq popullin.” “U befasova shumë kur zgjodhën dikë si unë, sepse kisha një fëmijë jashtë martese”, thotë ajo duke iu referuar nderimit, që i është bërë gjithashtu Laetitia Casta-së dhe Brigitte Bardot-së. Në fakt, për të qenë të saktë, ajo kishte dy fëmijë jashtë lidhjes martesore – një me Roger Vadim, regjisor i “Barbarella” dhe një tjetër me aktorin Marcello Mastroianni.

“Jeta ime private mbase nuk ishte në drejtimin e asaj çka të gjithë e mendonin si të drejtë. Por ndoshta shumë gra votuan si shenjë e të pëlqyerit të një gruaje me më shumë pavarësi, e pamartuar, që kishte fëmijë dhe që punonte. Isha një simbol, ma merr mendja”, ngre supet ajo.

Me Marcello Mastroianni në Galanë e Unionit të Artistëve , 1974 © Getty


Me një apo dy përjashtime, ashtu si kapela e kashtës që mbajti në filmin e François Truffaut-së, më 1969-ën, “Sirena e Misisipit”, shitjet në ankandin Christie’s, nuk përbëhen nga kostumet e veshura në ekran, por nga gardëroba personale e Deneuve-së. Ndërsa shfleton katalogun, i shfaqen kujtime. Një fustan mbrëmjeje i qëndisur me rruaza, nga viti 1969, i kujton një festë me Truffaut-në, ku u njoh me Alfred Hitchcock: një kujtim i shoqëruar nga keqardhja që nuk punoi kurrë me mjeshtrin e suspansës. Një fustan shifoni në ngjyra mavi dhe të gjelbër është një kujtim i mbrëmjes,  në galanë e vitit 1974, me Mastroianin. “Ai ishte shumë elegant në vetvete, por nuk ishte shumë i sofistikuar”, thotë ajo. “Il avait beaucoup d’allure, por nuk ishte elegant si Philippe Noiret, për shembull.”

Me fustan të qëndisur me rruaza (vlera 2,700-4,500) paundë) me Philippe Noiret, Alfred Hitchcock dhe François Truffaut, 1969 © Getty

Një kostum leshi me ngjyra rustike, i kujton një pritje në Pallatin Elysée, organizuar për stilistët e modës, ndërsa një print lara-lara ishte ajo çka veshi në Shtëpinë e Bardhë, më se 25 vjet të shkuar. Befas, imazhet shoqëruese vërtetojnë bukurinë e saj të një tjetër bote dhe aftësinë e saj  për të lënë në prapaskenë këdo, nga Brooke Shields në vitet 1980s, tek Bjork në vitet 2000.

Sigurisht që nuk do të ishte një koleksion për të qenë i Yves Saint Laurent,  pa një apo dy smokingë. Shitja shfaq variacione të  “Le Smoking”: një i ze klasik,  i veshur në krah të një Gérard Depardieu hollak, për premierën e Nju Jorkut të “Metroja e fundit”; dhe një version të bardhë, veshur me një Depardeiu të rrumbullt,  në Ballon e Operas së Frankfurtit, më 1998-ën. Është gjithashtu edhe një smoking me këmbë të gjera, që ka veshur në festën e përvjetorit të 20-të të shtëpisë së modës së stilistit, më 1982-shin: nëse nuk ishte duke filmuar, ajo merrte pjesë thuajse në të gjitha këto shfaqje.

Sërish në radhën e parë më 1997-ën, në një kostum me fund, ngjyrë vjollcë ( vlera 300-500 paundë) © JeanLluce Huré
Në një fustan mbrëmjeje me shkëlqim metalik ( vlera 1,800-2,700 paundë) në çmimet Oscar, 2000. © WireImage


Katalogu bëhet më i rrallë në vitet ’70. Vdekja e së motrës së Deneuve-së, Françoise, gjithashtu aktore, në një aksident me makinë në fund të vitit 1960, hodhi një hije që zgjati afro një dekadë. Përkoi edhe koha, kur punonte në Amerikë, që e mbajti atë larg radhëve të para. Do të thoshte, gjithashtu, se ajo kishte shansin të punonte me Burt Reynolds. “Ishte burrë sharmant. Kishte humor”, kujton ajo. “Mbaj mend që shkoja tek furgoni i tij dhe gjithçka ishte në monogram. Ai thoshte. “Nëse do të mundja, do të kisha vendosur edhe letrën higjienike.” Me një jetë aq të pasur në anekdota dhe incidente, është për të ardhur keq që Deneuve ka refuzuar prerazi,  të shkruajë memoarin e saj. Kjo shitje të paktën na lejon t’ia  lexojmë gardërobën e si një biografi në veshje. *Nicholas Foulkes / Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë