Futboll

“Bunkeri” i Kukësit funksionon, por kualifikimi duket i pamundur

Në një atmosferë më të vakët se në një ndeshje kampionati, Kukësi ka barazuar 0-0 me Karabakun në stadiumin “Loro Boriçi”, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Champions League. Trajneri Armando Cungu ia arriti qëllimit që kishte për këtë ndeshje, nuk pësoi gol. Ai hodhi në fushë një skuadër tërësisht mbrojtëse, vetëm me Plakun të avancuar përpara, ndërkohë që edhe mesfushorët e krahëve më shumë kanë bërë mbrojtësin. Veriorët luajtën me tre mbrojtës qendre: kapitenin Shameti, Allën dhe Qaqin. Në krahë të mbrojtjes u aktivizuan Maliqi dhe Rumbullaku, Dzaria dhe Musolli ishin “diga” para mbrojtjes, ndërsa Uilliam dhe Çyrbja më shumë kanë ndihmuar edhe ata mbrojtjen se Plakun në sulm. Ndeshja ka qenë e mërzitshme dhe në ndonjë raste e vërshëllyer nga tifozët e Kukësit.

Stadiumi "Loro Boriçi", ku dallohet qartë prania e paktë e tifozëve

Rezultati 0-0 në fakt është shpresëdhënës, sepse në ndeshjen e kthimit do të mjaftonte edhe një barazim me gola për kualifikimin. Por kjo është vetëm pjesa teorike, sepse me atë që u pa në fushë, Kukësi do ta ketë të pamundur ta vërë në pozita të vështira Karabakun. E gjithë ndeshje e zhvilluar në Shkodër është luajtur në gjysmëfushën e ekipit kuksian, me një dialog të sulmit mik me mbrojtjen e ngjeshur vendëse. Kanë munguar rastet e pastra për shënim, pasi edhe azerët nuk është se janë treguar shumë agresivë në fazën sulmuese. Ata kanë administruar lojën me shumë qetësi dhe herë pas here kanë tentuar të godasin, por pa rezultat. Albi Alla ka qenë me fat në pjesën e dytë, kur një gabim i tij nuk u shfrytëzua nga sulmi i Karabakut, ndërsa një goditje e bukur e Miçel në zonë u devijua dhe shkoi mbi tra.

Ekipi i Kukësit para ndeshjes

Trajneri Cungu ka bërë vetëm dy ndërrime në këtë ndeshje, duke hedhur në fushë boshnjakun Harba për Plakun dhe Valon Ethemin e ka aktivizuar në minutën e 3-të shtesë, sa për të fituar sekonda. Në fund të fundit, një barazim ndaj një ekipi të fortë si Karabaku, favorit për kalimin e turit, është i pranueshëm. Por në ndeshjen e kthimit do të jetë tjetër histori, sepse skuadra nga Azerbajaxhani nuk do të jetë kaq “miqësore” sa në Shkodër. Nga sa u pa në këtë 90-minutësh, Kukësi më shumë mendon për Europa League, ku shorti e ka vënë përballë çiftit Torpedo Kutaisi-Vikingur, skuadra nga Gjeorgjia dhe Ishujt Faroe, që duken të kalueshme nga nënkampionët e Shqipërisë. Në Champions duket se aventura do të mbyllet në Azerbajxhan, edhe pse në futboll ndodhin mrekullitë.

“Armiku” i dashur Ansi Agolli

Titullar me skuadrën mike ka qenë ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Ansi Agolli, i cili është përshëndetur nga të gjithë në stadiumin “Loro Boriçi”. Para ndeshjes, drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, i ka dhuruar mbrojtësit të majtë një çifteli dhe një qeleshe, që janë simbolet e krahinës së Kukësit, por edhe një tufë me lule. Futbollisti veteran ka vite që aktivizohet me Karabakun, duke qenë një titullar fiks, ndërsa tani është në metrat e fundit të karrierës së tij.

Ansi Agolli merr dhuratat para ndeshjes nga Nexhipi

Shkëndija e Tetovës, pranë kualifikimit

Shkëndija e Tetovës ndërkohë e ka fituar ndeshjen e saj në Champions League ndaj moldavëve të Sherif Tiraspolit. Ndeshja e luajtur të martën në stadiumin e Shkupit u mbyll 1-0. Vendosi një gol i sulmuesit Besart Ibraimi në pjesën e parë dhe skuadra tetovare shkon me një rezultat komod në ndeshjen e kthimit, pasi nuk ka pësuar gol. Shkëndija është shumë afër kualifikimit dhe në kthim thjesht i duhet të administrojë fitoren në fushën e saj.

Besart Ibraimi feston golin e fitores për Shkëndijën ndaj Sherif Tiraspolit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë