Njerez

Bukuria e deformuar e pacienteve italiane/ Në Shqipëri për ndërhyrje estetike me kosto të ulët, por me rrezik të madh

Gazeta Si - Nëse Shqipëria është “parajsa” e pensionistëve italianë për pushimet dhe çmimet e ulëta, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shërbimet shëndetësore në klinikat private.

Nuk mungojnë denoncimet e shtetasve italianë gjatë viteve të fundit për shërbimin jo efikas dentar “low cost” në Shqipëri, por së fundmi, ata po ankohen edhe për ndërhyrjet estetike në hundë, gjoks apo të pasme.

Me sa duket, kufiri i ri i kirurgjisë estetike, ka mbërritur për ta edhe në Shqipëri, ku me qindra gra dhe vajza italiane, kryesisht të moshës së re, gjejnë “parajsën e bukurisë” në Tiranë.

Në një video-investigim, programi “Fuori dal Coro” (i kanalit Rete 4 në Mediaset), udhëtoi drejt Tiranës për të hetuar ndërhyrjet me kosto të ulët, një fenomen që përfshin gjithnjë e më shumë italianë.

Për çdo shërbim, kursimet mund të arrijnë deri në 60%. Nga udhëtimi në hotel te asistenca në sallën e operacionit: ofertat për “bukuri pa kosto” po përhapen përmes fushatave reklamuese në rrjetet sociale.

“All inclusive shpenzova 3.120 euro në krahasim me 7.400 euro në Itali”, thotë një paciente, për mikrofonët e programit italian.

Më pas, hetimi kalon në një klinikë bukurie në kryeqytetin shqiptar, ku, – thotë një infermiere, – kryhen deri në 350 operacione në muaj.

Megjithatë, pas biznesit të "ndërhyrjeve", fshihen rreziqe shëndetësore. “Kur u ktheva në Itali, doktori im më pa operacionin në hundë dhe më ra bota në kokë...”, thotë Giada, një e re nga Italia, e cila iu nënshtrua një ndërhyrjeje estetike në Shqipëri.

“I shikoja defektet kozmetike, por nuk mendoja se defektet funksionale ishin aq serioze”, - vijoi ajo, duke theksuar se “jam rikthyer disa herë në këtë klinikë dhe se nuk marr frymë mirë”.

Probleme pati me hundën e saj edhe një paciente tjetër italiane, Monica, e cila shpjegon se ajo nuk është asimetrike pas operacionit. 

Gazetarja e programit, e kamufluar si një e interesuar, me një kamera të fshehtë, hyri në disa klinika private estetike dhe pyetjes së një pacienteje se si shkoi ndërhyrja, kjo e fundit iu përgjigj: “Keq, është hera e tretë që kthehem këtu”.

Më pas, në një bashkëbisedim me një infermiere, gazetarja e pyet çfarë garancie ka për jetën: “Frika ime është anestezia totale, nëse ndodh diçka...”, i shpreh gazetarja italiane shqetësimin e saj.

Ndërsa mjekja i përgjigjet me siguri, se “nuk ndodh asgjë” dhe se nuk ka ndodhur ndonjëherë “më parë asgjë”.

Por faktet dhe dëshmitë tregojnë të kundërtën, siç i ndodhi Gaidas, e cila shton se “hunda ime është e gjitha e dëmtuar rëndë dhe për t’u modifikuar nga e para” pas ndërhyrjes që shkoi kaq.

“Ne shohim edhe pacientë me pjesë të protezave që nuk funksionojnë dhe dalin”, shton Francesco D’Andrea, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë Plastike në Poliklinikën “Federico II” në Napoli, duke treguar një foto të një proteze të deformuar.

Përshtati në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë