Treg

‘Ejani bëni dhëmbët në Shqipëri…’ Paketa dhe agjenci të posaçme për turizmin dentar: U rrit 50% gjatë festave

Pandemia lëkundi ekonomitë, rrënoi mjaft industri dhe ndaloi udhëtimet në të gjithë globin por nuk arriti të ndalte vrullin e emigrantëve dhe turistëve të huaj që zgjodhën të vinin në Shqipëri për turizëm dentar, ashtu si çdo vit.

Ky lloj turizmi ka marrë një hov të konsiderueshëm, krahasuar me përvojën e hershme në vend, fenomen që arrin kulmin në sezone të caktuara, kryesisht gjatë muajve të verës kur vendi vizitohet nga emigrantët shqiptarë por edhe gjatë festave të fundvitit.

Burime kryesore nga klinikat dentare në vend tregojnë për Gazetasi.al se në nëntor dhe dhjetor të muajit që sapo lamë pas, erdhën gati 50% më shumë turistë të huaj se në muajt e verës.

Të parët që e praktikuan turizmin mjekësor në Shqipëri ishin italianët të cilët ende vijojnë të mbajnë fronin.

Shërbimet dentare, shumë herë më të lira se në Itali tërhoqën në fakt, që pas viteve ’90 shumë prej tyre në vendin fqinj. Shkaku i ardhjes së turistëve dentarë sipas disa nga klinikave kryesore në vend, vijon të mbetet një: çmimi.

Kërkesa erdhi duke u rritur gradualisht ndër vite aq sa edhe në Shqipëri lindi nevoja për të patur agjenci ndërmjetësimi për turizëm shëndetësor. Disa syresh prej tyre nisën të ofrojnë paketa specifike të turizmit dentar, guida turistike, fjetje dhe shërbime dentare, të gjitha në një çmim. Iniciativë që josh gjithnjë e më shumë të huajt që tërhiqen nga çmimet konkurruese.

Me rënien rekord në kërkesën e linjave ajrore, mbylljen e disa agjencive të turizmit mjekësor dhe vështirësitë financiare në shumë klinika private, turizmi shëndetësor mbeti në stanjacion kudo në botë në muajt e parë të pandemisë. Por, me ardhjen e stinës së verës, nisi edhe rikuperimi.

Nga “Medical Tourism Albania”, një agjenci që merret me turizmin shëndetësor në Shqipëri, Gent Dulja, drejtuesi i saj, thotë për Gazetasi.al se turizmi dentar në Shqipëri rritet çdo vit me gati 60%.

“Ne i mbyllëm zyrat tona në shkurt në fillim të pandemisë për shkak se u anuluan fluturimet në të gjithë botën dhe vendi ishtë në karantinë, por pas disa muajsh i rihapëm sërish.

Kërkesat janë të larta dhe vijnë nga çdo shtet i botës. Turistët nga Italia janë ata që kryesojnë por vijnë shumë edhe nga Anglia, Gjermania e Austria.

Nëntori dhe dhjetori ishin muajt me fluksin më të lartë të 2021-shit,”-shton ai për Gazetasi.al.

Aktorë të tjerë të tregut mjekësor në vend pohojnë se ardhja e turistëve të huaj në Shqipëri u mundësua nga një faktor kryesor, fakti se të gjithë mund të udhëtonin me leje mjekësore.

 Italianët e kishin më të lehtë të udhëtonin në Shqipëri, se sa mes zonash në Itali, ku shumica ishin ende “listën e kuqe”.

Prof. Dorjan Hysi, nga Shoqata e Dentistëve Shqiptarë thotë se turizmi dentar ka njohur rritje më të madhe veçanërisht gjatë 10-vjeçarit të fundit por të dhënat statistikore mungojnë.

Dorjan Hysa, Shoqata e Dentistëve Shqiptarë

Problematika të tjera sipas aktorëve të tregut në këtë drejtim mbeten edhe informaliteti, rritja e çmimeve fiktive për turistët, imazhi i Shqipërisë tek të huajt por edhe konkurrenca e fortë e aktorëve rajonalë të cilët e kanë shtruar më herët këtë rrugë.

Shqiptarët, mungesë kulturë orale

Një numër klinikash dentare pohojnë se çmimet e materialeve kanë shënuar rritje të konsiderueshme, gjë që i ka detyruar edhe të reflektojnë rritjen në çmimet e shërbimeve.

 Por, duket se nuk është çmimi ai që i tremb shqiptarët që t’u drejtohen klinikave.

Pjesa më e madhe e tyre, ndryshe nga të huajt, sipas mjekëve stomatologë, ende kanë mungesë kulture orale, që i pengon të kryejnë vizitat rutinë.

Çmimet variojnë sipas klinikave dhe materialeve që përdoren nga dentistët, megjithatë, sikurse pohojnë edhe ata vetë, rritja e standardeve të cilësisë është bërë thuajse nga të gjithë ata, edhe në klinikat më të vogla në vend.

Kryesisht, vizitat rutinë të kontrollit të përgjithshëm janë falas.
Pastrimi i gurëzave dhe zbardhja e nivelit të parë kushton 1500-2000 lekë. Zbardhjet e niveleve më të mëdha kushtojnë deri në 3500 lekë. Mbushjet e dhëmbëve që janë dhë një ndër shërbimet që kërkohen më shumë, shkojnë deri në 3500 lekë (ajo e gradës së tretë).

Nëse të bie të kalosh nga “Rruga e Bogdanëve” në Tiranë, syri të haset shpesh me emrin “Gremi”. Hotele, bar-restorante e laboratorë mjekësorë.

Por kurioziteti aty nuk të zgjat shumë. Thuajse të gjithë banorët e zonës e njohin Dritanin,ish-emigrantin që atëbotë u kthye në Shqipëri për të krijuar këtë “ekosistem” ku perëndimorët dhe shqiptarët bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Sipërmarrja e tij është një ndër të parat që i kushtoi rëndësi turizmit dentar dhe ndihmoi për t’i dhënë hov dhe zhvillim këtij të fundit në Shqipëri.

“Shërbimet dentare janë shërbime sezonale, sidomos për shqiptarët. Këtë vit fluksin më të madh të punës e patëm në dhjetor. Emigrantët vijojnë të jenë klientët më besnikë, të cilët rikthehen gjithnjë për hir të çmimeve kryesisht.

Sapo vijnë festat, rritet edhe fluksi i punës,”thotë për Gazetasi.al Eli Dosi, stomatologe prej disa vitesh në Tiranë.

Ajo shton se prezenca e të huajve këto dy muaj është ndier më shumë se muajt e parë të vitit.

“Normalisht që një ndër arsyet është çmimi, shpeshherë i përgjysmuar krahasuar me vendin nga ku vijnë. Por, një arsye po aq bindëse është edhe cilësia, klinikat shqiptare po ofrojnë gjithnjë e më tepër cilësi si kudo në Europë,” thotë Dosi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë