Njerez

Çmime ‘low cost’, por italianët ankohen ndaj dentistëve shqiptarë: Dhëmbët e thyer pas trajtimit i riparojmë në Itali

Shumë njerëz denoncojnë klinikat dentare shqiptare, të cilat në disa raste tërheqin pacientë çdo ditë. Dhe stomatologët italianë marrin përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar nga kjo e fundit

Gazeta Si - Fenomeni i turizmit dentar në Shqipëri, ka pësuar rritje vitet e fundit, veçanërisht me pacientë nga Italia, të cilët vijnë në Tiranë në mënyrë të organizuar përmes faqeve të internetit dhe reklamave në Facebook. Denoncimi i një gruaje nga Pulia për terapitë me çmim të ulët, tregon se shumë prej tyre më pas pendohen që ndjekin këtë rrugë.

Ndonjëherë mjafton një mesazh në WhatsApp, herë të tjera gojarisht. Dhe një pacient fluturon në Shqipëri me shpresën për të marrë një implant dentar me kosto të ulët, por me një rezultat të shkëlqyer.

Reklamat janë të shumta në Facebook dhe në faqet e internetit secili e gjen veten të katapultuar në një adresë, e cila me një klikim është në gjendje të caktojë një takim në një anën tjetër të Adriatikut në vetëm pak minuta, duke premtuar rezultate maksimale me përpjekje minimale.

Denoncimi i “Flavias”

“Shkova në Shqipëri, në Tiranë, në një klinikë. Nuk e gjeta reklamën në internet, por kisha dëgjuar për të. Klinika caktoi një takim dhe më dha shumë shpjegime për sistemin. Shkova në Tiranë dhe filluam menjëherë punën. Më pas u ktheva në Itali dhe pas gjashtë muajsh në Shqipëri, ku më rregulluan dhëmbët e përhershëm. Por kurrë nuk u ndjeva mirë me to. Ndieja dhimbje të çmendura gjatë gjithë periudhës spitalore mes dhëmbëve të përkohshëm dhe atyre të fiksuar. Por mbi të gjitha më dhanë probleme serioze: më dhembin mishrat e dhëmbëve, m'u thyen dhëmbët, kisha probleme me përtypjen”, - tregon një paciente italiane për gazetën "Corriere della Sera".

Kjo është dëshmia e “Flavias” (emri i saj jo i vërtetë), një paciente nga provinca e Barit, e cila pas kësaj eksperience të tmerrshme kontaktoi sërish klinikën, e cila e priti për të riparuar dëmin e shkaktuar.

Por, me kthimin në Itali, situata nuk ndryshoi: “Pas kthimit në Pulia, dhëmbët u thyen sërish në të njëjtat vende. Kështu, ata më kërkuan të kthehesha. Por unë thashë jo dhe kontaktova me një klinikë në Itali, në Pulia, ku fillova sërish punën. Rezultati? Shkova në Shqipëri se më tërhoqi çmimi, gjithsej 10 mijë euro. Por tani kam humbur, sepse po bëj gjithçka nga e para”.

Trajtimet në Itali

Kështu, pacientja u kthye në Itali dhe ndryshoi praktikën stomatologjike, duke shkuar te doktor Giuseppe Giorgio.

“Kam marrë shumë pacientë nga Shqipëria, të cilët, pasi kanë shkuar atje për arsye ekonomike ose fjalë pas fjale, kthehen në Itali sepse janë në kushte të dëshpëruara, - shpjegon doktor Giusepe Giorgio. – Është një target njerëzish që kanë vetëm probleme estetike dhe të tjerë me pasoja edhe më të rënda, që paraqesin patologji apo lezione nervore, si në gjuhë apo mandibular. Është një fenomen në rritje”.

Por si funksionon ky trend në rritje nga Italia në Shqipëri, që ndryshe quhet edhe turizëm dentar?

Sipas doktorit italian, gjithçka bëhet në mënyrë të organizuar. “Autobusët janë të organizuar apo edhe në disa raste përfshihen klinika dentare shqiptare që bashkëpunojnë me klinika italiane, madje edhe në Bari”.

Fenomen në rritje dhe shqetësues

Edhe disa stomatologë po përpiqen të ndryshojnë dhe të frenojnë fenomenin: “Me shoqatën e stomatologëve ‘Andiamoinordine’, në të cilën jam këshilltar, po mbledhim raste dhe dëshmi nga pacientë të pakënaqur për të ndërgjegjësuar Ministrinë e Shëndetësisë Italiane se problemi po kthehet në një emergjencë mjekësore dentare”, vijon Giorgio.

Shumë njerëz denoncojnë klinikat dentare shqiptare, të cilat në disa raste tërheqin pacientë çdo ditë. Dhe stomatologët italianë marrin përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar nga kjo e fundit.

“Stomatologjia, ashtu si mjekësia, është një shkencë me diagnoza, plane trajtimi dhe terapi që kërkojnë një marrëdhënie besimi mjek-pacient që nuk mund të përfundojë në fund të një udhëtimi, - thotë Maria Pia Lorusso, specialiste në stomatologji. - Nuk është e drejtë të kontaktosh më pas punonjësin e shëndetit të Pulias kur lind një problem për të cilin ai nuk është përgjegjës".

Probleme të brendshme

Nuk është rastësi që më 5 gusht, Urdhri i Mjekëve dhe Stomatologëve të Barit kritikoi ndryshimet e propozuara në rregulloren rajonale, duke e nënvizuar "një gabim thelbësor lejimin e shoqërive aksionare të hapin "praktika dentare" në mungesë të marrëdhënies së besimit mjek-pacient në avantazhin e aspekteve organizative dhe thjesht komerciale”.

“Marrëdhënia e besimit që krijohet mes mjekut dhe pacientit është thelbësore dhe nuk mund të kthehet në interes ekonomik, - shton stomatologia Patrizia Gadaleta. – Problemi me këto qendra është se pacienti nuk vizitohet nga i njëjti dentist. Ose, madje, nuk mund ta gjejë më, sepse ai zinxhir mbyllet”.

Mjekja përfundon: “Shumë pacientë e konsiderojnë anën ekonomike, pa parë faktin se pas saj ka profesionalizëm dhe pajisje shumë të shtrenjta. Pacientët duhet të ndërgjegjësohen për cilësinë dhe profesionalizmin e stomatologut që kanë përballë”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë