Kinema

Bruno Shllaku, një kapiten me spirancën në tokë

Suadela Balliu - Më lër të ndalem këtu. Më lër, gjithaq, të kundroj natyrën një copë herë.Të kaltrën e shndritshme të detit të mëngjesit, të qiellit pa re, të verdhën e bregut; gjithë  e kënaqshme; gjithë e larë në dritë...Këto vargje të poetit të madh grek, Konstantin Kavafi , në poezinë “Det i Mëngjesit”, i përshkruajnë  më së miri ndjesinë që e pushtoi, kur pranoi të lundrojë e të peshkojë për një muaj nëpër dete.“Ka një ravijëzim të çuditshëm filmi. Duke qenë se xhirimet janë në det, të shtyn vetvetiu drejt  një poezie që,  jo gjithkush nga banorët e tokës ka privilegjin ta përjetojë”, rrëfen Bruno Shllaku, ndërsa zbulon rolin e ri në  filmin “Hija e diellit” me regji nga Dritan Mesareja dhe Julian Canameti, i cili pritet të dalë më 2019-ën.

Subjekti i filmit sillet rreth dy shokësh  fëmijërie, të cilët  vënë në rrezik gjithçka për të ndjekur projektin e tyre më të madh filmik, por lindja e një fëmije e vë miqësinë e tyre dhe vetë filmin, që po realizojnë, në  sprovë. “Të rrish në det për një muaj, duke peshkuar e xhiruar film...mendoj se jam shumë i privilegjuar”, rrëfen Shllaku, ndërsa sapo ka dalë nga provat për dramën më të re, që do të ngjitet në skenën e teatrit të “Metropolit”, “Ditari i Ana Frankut”.

“Është dramë mjaft interesante dhe regjisorja  Armela Demaj i ka bërë zgjidhje interesante. Do të ngjallë interes te publiku”, rrëfen aktori, ndërsa shton se është një pjesë e vënë në skenë nga regjisorë me emër dhe ka parë interpretimet e aktorëve më në zë të skenës botërore. “Sërish në Metropol”, shton Shllaku, ndërsa vetëm para pak ditësh ishte në petkat e shkrimtarit Ernest Koliqi, në dramën “Rrajët lëvizin”  , një vepër të cilën regjisorja Rozi Kostani e solli në kuadrin e edicionit të dytë  festivalit të dramës shqipe “Metro Fest” .

Duke iu rikthyer edhe njëherë projektit më të ri filmik, në të cilin është angazhuar, Shllaku kujdeset t’i zbulojë hollësitë me pikatore, ndërsa xhirimet ende nuk kanë nisur. “Do të bëhem pak frojdist” , thotë ndërsa zbërthen rolin, i cili është ai i një kapiteni peshkarexhe, “ai është gjithë jetën në dete, por sido të jetë është edhe  afër shtëpisë. Është larg dheut, por spirancën nuk e ka  në anije,  e ka ngulur në tokë”, thotë Shllaku, ndërsa shton se ky film duket se i përket pak rrymës filozofike të Ekzistencializmit. “Rrëfen marrëdhënien e pafundme me detin, peripecitë që kalohen kur je në lundrim: mund të dalësh në det e mund të mos kthehesh më në tokë.”  Megjithatë, personazhi i tij, zbulon më tej Shllaku, është i bindur se do të kthehet gjithnjë. “Një bindje që i buron nga dashuria që ka për familjen”.

Një rol që i rri për shtat, mendon aktori. “Jam vetë peshkatar. Flas me detin kur jam vetëm në skafin tim, kur peshkoj...dhe ka raste që dal deri në ujërat ndërkombëtare saqë më kap edhe frika ndonjëherë.” Detin e quan të dashurën e tij të mirë. Portreti i tij me floknajën e bardhë e të shpupuritur, sytë që flasin dhe njëherazi fshehin misteret e një burri që mundet të kalojë ditë në heshtje, i rrethuar vetëm nga ujërat e kripur të Adriatikut a Jonit, është ai i një kapiteni që përshkruhet shpesh në letërsi dhe kinema. Ishin regjisorët ata që e ftuan Shllakun në projektin e tyre, ndërsa filmi “Dija e diellit” risjell në ekranin e madh edhe aktoren Eva Alikaj.

“Jam vetë peshkatar. Flas me detin kur jam vetëm në skafin tim, kur peshkoj...dhe ka raste që dal deri në ujërat ndërkombëtare saqë më kap edhe frika ndonjëherë.” 

“Filmi ka fat të madh: kemi Eva Alikajn, Mimoza Maranakun dhe një kastë aktorësh që, vërtet i janë larguar prej kohësh ekranit, janë larguar pa dashjen e spektatorit. Tani, me dëshirën e madhe të publikut rikthehen.” Shllaku përgëzon regjisorët  Mesareja dhe Canameti, duke thënë se po sjellin një frymë të re në kinematografinë shqiptare. “Të them të vërtetën rrallë ndonjëherë jam ngrohur kaq shumë  me skenari, është ndoshta ndër më të veçantët që kam hasur gjatë gjithë jetës sime artistike. Ka një gjuhë filmi që vetëm neorealizmi italian ka ditur ta japë fuqishëm. Mendoj se ky film do të përçojë edhe një tjetër mesazh të fuqishëm: se kështu punohet.”

Bruno Shllaku 

I entuziazmuar, Shllaku shkon më tej, duke thënë se ky film, mund të jetë fillimi i një gjuhë të re filmike në artin shqiptar. I menduar për t’u xhiruar në brigjet e detit Tiren, në portin e Gjenovës, fillimisht, Shllaku thotë se “do të ketë një kthim të timonit drejt ujërave tona. Ngula këmbë që filmi të ngelet totalisht shqiptar; kemi një bregdet fantastik, një rivierë të mrekullueshme , që i shërben skenografisë së këtij filmi dhe është krim të  mos shfrytëzohet dhe të promovojmë mrekullitë e natyrës.”

Ndërsa i kthehet edhe njëherë marrëdhënies me detin, i cili të bën jo vetëm të heshtur por edhe i filozof, Shllaku thotë “Shumëkush mendon se deti është një lëndë, së cilës i devijohet rruga, por deri tani, askush nuk ka dëshmuar që detet të jenë tharë. Detet tërhiqen dhe kështu janë ekzistentë gjithmonë në rruzullin tonë. I referohem poetit të madh, jo vetëm grek, por me një vend nderi në historinë e kulturës botërore, Kavafit, i cili shkruan “Jam shumë i ngushëlluar kur jam pranë detit, sepse deti këndon, deri murmurin, deti bën shamatë, deti nxihet, deti të ledhaton, deti të puth.” Të jesh mbi det, do të thotë të jesh një njeri i privilegjuar, pak rëndësi ka nëse je pasagjer, peshkatar apo mekanik i thjeshtë i një skafi...”, thotë aktori.

Jam shumë i ngushëlluar kur jam pranë detit, sepse deti këndon, deri murmurin, deti bën shamatë, deti nxihet, deti të ledhaton, deti të puth.”

Ndërsa pret të ngrejë velat për lundrim, është i ankoruar këto kohë pranë teatrit “Metropol”, ku drama “Rrajët lëvizin” e shkruar nga Ernest Koliqi, do të rikthehet për publikun, në janar të vitin që vjen, si shfaqje repertori. “Metropol është si një shtëpi e vogël, nga ku buron art, kulturë dhe mikpritje”, thotë aktori, ndërsa ndalet tek Metrofest, duke e cilësuar si një prurje të mrekullueshme për spektatorin. “Kishte një debat shqiptar, për shqiptarët, alla shqiptarçe, me figura të ndritura duke nisur nga Ernest Koliëi, të cilët stafi i kishte hulumtuar dhe mbledhur këto drama, që me bindjee them, se janë shkëputur një çast para fatales. Prej vitesh rrinë në sirtarë, të pakujtuar, të heshtur e memecë.”

Shllaku (në qendër) gjatë dramës "Rrajët lëvizin", në teatrin e Metropolit

Këto materiale të shpluhuruar  nga arkivat e Bibliotekës Kombëtare, ishin avokatura më e mirë e dramaturgjisë shqiptare. Për rolin e Ernest Koliqit, në këtë dramë, që ndodh të jetë edhe bashkëqytetar i Shllakut thotë “Figurë e ndritur. Mik i ngushtë i familjes sonë; me babën kanë qenë në kolegjin e Fretërve.”Kjo dramë, rrëfen më tej aktori, e ka bërë t’i kapërcejë të gjitha ato çka dinte për figurën e Koliqit. “E kisha lexuar shumë herët, por të them të drejtën Koliqi nuk ishte shquar si dramaturg, por më shumë si mendimtar, si një prognozist i jashtëzakonshëm.

Askush nuk e ka lënë vitin e rënies së komunizmit me retiçencë;  kjo dramë vlen për vitin 197... Ka dalë vetëm pak vite jashtë parashikimit të rrëzimit të diktaturës. E kam menduar si një dramë vetëm për t’u lexuar, për të përkundur pak fantazinë  e pastaj me ia fut gjumit.”Ai vlerëson punën e regjisores Kostani, që sipas tij e trajtoi dramën “me aromë Shkodre”.“Mendoj se publiku ka dalë me një shije krejt ndryshe mbi dramën shqipe.” Një vepër që erdhi premierë, e të cilën krijuesi i saj, Koliqi, nuk e pa kurrë të vënë në skenë.“Rrajët sado të lëvizin, të mos mirëpriten, të jenë të jashtëligjshme, përsëri janë të mbuluara, të futura thellë në tokë, rrinë ngrohtë kur bie borë dhe freskojnë veten kur dielli është përcëllues”, thotë Shllaku, ndërsa mendon se rrënjët janë intelektualët e një kombi.

“Ai është gjithë jetën në dete, por sido të jetë është edhe  afër shtëpisë. Është larg dheut, por spirancën nuk e ka  në anije,  e ka ngulur në tokë”

“Ne kemi as shumë rrënjë, saqë shqiptarët duhet të vijnë në janar ta ndjekin dramën e Koliqit e kur të dalin prej andej të pastrojnë pllakat e monumenteve të kulturës që nderojnë figura si Gjergj Fishta, Fan Noli, Ernest Koliqi, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Dritëro Agoli, Ismail Kadare. Ishin dhe vazhdojnë të mbeten mendimtarë dhe jo vetëm aktualë, por unë mendoj se Koliqi është intelektual që vjen nga e ardhmja. Mendimi i tij mund të ketë edhe të paktën treqind vjet jetë të begatë, sa i përket fondit të artë të veprës së tij.”

Shllaku pas shfaqjes "Rrajët lëvizin"

Shllaku shprehet i lumtur për bashkëpunimin e tij me teatrin e Metropolit, që nga vetë struktura e skenës, krijon marrëdhënien më intime që një aktor mund të ndërtojë me spektatorin. “Je aq afër sa po nuk të foli syri, floku, thembra, buza, po nuk të foli e gjithë psikofizika, fillon e mendosh të ndërrosh zanat.” E quan një bankë prove për të gjithë aktorët “Sado dhjetëra vite të kenë kaluar në profesion apo sado tituj të kenë, po nuk  kaluan nëpër karantinën e Metropolit, kanë diçka mangët.”

Heq paralele me teatrot e dikurshëm mbretërore, të cilët nuk i kalonin më shumë se 120 vende, thotë ai. “Aty spektatori e ndien veten  mbret; interpreton me ty, jeton me ty, buzëqesh dhe gajaset me ty, qan me ty, hidhërohet me ty. Është ndryshe nga një distancë kur krijohet një perde mes aktorit dhe spektatorit dhe mungon kimia. “Kur je afër, krijohet kimia dhe kur luhet një skenë burgu, spektatori duket si i mbyllur në burg, kur luhet një dasmë, i duket sikur është dasmë, nëse luhet një vdekjes bëhet pjesë e hidhërimit.”

Për të luajtur në këto teatro, mendon Shllaku, aktori duhet të jetë i përgatitur shpirtërisht, “ta ketë ngopur shpirtin me lexime”, thotë ai, sepse “teatri pa shpirtin, nuk quhet më teatër, por çteatër, një nocion që lundron në ujërat tona.”, thotë ai, ndërsa është i mendimit që teatri të kthehet në kohët e arta të Tinka Kurtit, Kadri Roshit, Lazër Filipit, Naim Frashërit, Margarita Xhepës e të gjithë asaj plejade që i dhanë fytyrë teatrit shqiptar.  “Kur të kthehemi në gjurmën e tyre do të themi se sipari i teatrove shqiptare vjen të hapet denjësisht. Përndryshe do i kthehemi teatrit të rrugës, teatrit pelegrin.

Megjithatë Shllaku vlerëson edhe punën e të rinjve . “Padrejtësisht më quajnë nihilist, por nuk jam nihilist për të bukurat; jam për ato që ngrihen në qiell si të bukura, ku nuk përçohet asnjë mesazh, asnjë shteg i ri, bum artistik, por janë vetëm kopje të këqija të Youtube-it dhe kaq.” Shllaku  kritikon ata që i quan të “pashkolluarit që i bëjnë të gjitha vetë. Teatrot duhet të distancohen nga ky fenomen. Kemi nevojë për njerëz kompetentë, që provojnë, guxojnë, sado të rinj të jenë, jo për njerëz që kanë bërë monopol skenat shqiptare. Jemi të ngopur me pasukses.

“Teatri pa shpirtin, nuk quhet më teatër, por çteatër, një nocion që lundron në ujërat tona.”

Ka realizuar së fundi filmin  “Mrekullia”, ku ishte  regjisor dhe aktor.  Një  film që rrëfen historinë e mrekullisë së Zojës së Shkodrës, një gruaje e cila me forcën e besimit në Zot ia del të ndihmojë të birin nga padrejtësia e akuzimit  për një krim që nuk e kishte kryer. Një histori e vitit 1917, ndërsa skenari ishte shkruar në vitin 1984 dhe në ujërat që ndeshin forcën e besimit në zot me padrejtësitë e regjimeve politike, zbulon se po punon për një shfaqje të bauar në rrëfimet e At’Zef Pllumit në librin “Rrnoj për me tregue”. “Jam mbështetur në rrëfimet mbi bëmat e tmerrshme të policisë sekrete, Sigurimit të Shtetit, drejtorive të burgjeve, hetuesive dhe gjykatave të kohës së komunizmit.”

Sekuencë nga filmi "Mrekullia" 

Zbulon se e ka zgjedhur edhe trupën teatrale dhe puna do të nisë në muajin janar. “Mendoj se është shfaqje e munguar dhe si e tillë, besoj do të tërheqë vëmendje. Torturat, gjenocidi, i bërë klerit fetar, ka mbetur i pavlerësuar. Ata njerëz meritojnë një statujë lirie po aq të lartë sa në brigjet e Nju Jorkut. Nëse Shqipëria vazhdon të njihet, njihet në sajë të atyrenjerëzve që e panë sy më sy tytën e mitralozit  dhe nuk mohuan as flamurin, as atdheun,  as fenë.”Ai kujton ungjin, përkthyesin dhe helenistin e shquar, Gjon Shllakun. “Ishte i dënuar me pushkatim, pastaj e dënuan me 101 vjet burg dhe kreu 17 vite. E kam në kujtesën time të skalitur ato që më rrëfente. I kam hedhur në letër.”

Shllaku thotë se ka parë dokumente në kohës, “letra bakalli” i quan ku shënohet data dhe ora e pushkatimit të njerëzve, të cilët përpara plumbit, kur iu kërkua ta mohonin besimin për të shpëtuar jetën, “ata bërtisnin “Rroftë Krishti mbret! Rroftë Papa! Rroftë Shqipëria! Rroftë flamuri” Atëherë dëgjohej krisma e vdekjes e trupat  hidheshin kushedi se ku.” Ai thote se opinioni e ka pritur mirë idenë e kësaj shfaqjeje. “Do të jetë një memorial, një obelisk dinjitoz për ata që humbën në moshën e rinisë. Edhe titullin kështu e ka, “Të korrat e gjelbra”. Ikën pa u pjekur mirë...”Një shfaqje që Shllaku e quan si një autokritikë të menjëhershme të kombit shqiptar. “Kur kalonin të lidhur me zinxhirë, “armiqtë e popullit”, klerikët, ne, masat që rrethonim rrugën nga të dy anët,  i pështynim.”Ai mendon se kur e shkuara, bëhet e tashme, ka gjithnjë efekt në shoqëri. Për të mos u harruar asnjë nga ato që kanë shkuar historinë e një kombi.

I përshkuar nga një optimizëm ndërsa parasheh efektet çliruese të një katarsisi, që vijnë pas një shfaqje teatri, Shllaku thotë “Më kujtohet shprehja e një shkrimtari: “Mos shaj sa të jesh gjallë, që të mos qajë askush për ty ditën kur të vdesësh”. Do të thonë që e kreu misionin e tij. Kështu përpiqem dhe unë, të kryej atë mision, ditë pas dite”, përfundon, ndërsa mbledh nën sqetull fletët e shtypura të dramës së re, për të cilën po përgatiten dhe me flokët e bardhë të kreshpëruar i ngjan atij kapitenit që kërkon brigjet për të hedhur spirancën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë