Shendet

Bota në ankth, institucionet shqiptare të pashqetësuara nga Covid-i pas zbllokimit të Kinës

Nga Gazeta Si- Ndonëse e gjithë bota po përjeton ankthin e rikthimit të një vale të re pandemie si pasojë e qarkullimit të disa nënvarianteve të reja të Covid-19, në vendin tonë, Komiteti Teknik i ekspertëve ende nuk është mbledhur për të analizuar situatën epidemiologjike në vend.

Burime për Gazetasi.al thanë se Komiteti Teknik ende ekziston në bazë të një urdhri të ministres së Shëndetësisë dhe ai funksionon, por kompetencat për monitorimin e situatës së COVID-19 do të ndiqen nga institucionet rutinë.

“Komiteti vijon të funksionojë, por besoj këtë vit do të vijojnë të funksionojnë institucionet rutinë si urgjenca, inspektorati, si dhe të gjithë komitetet ndërsektoriale etj”, thanë burimet.

Përsa i takon masave kufizuese për Covid, Shqipëria vijon të mos aplikojë asnjë masë duke e konsideruar në njëfarë mënyre vendin jashtë riskut për infektim.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se nuk ka pse aplikohen masa të reja anticovid siç janë testimet në aeroporte, sikurse po aplikojnë vendet fqinje si Italia, pasi në vendin tonë është arritur imuniteti i tufës në masën 90 për qind.

I pyetur nga Gazetasi.al, imunologu Genc Sulçebe tha se me gjithë qarkullimin intensiv të nënvarianteve të reja të virusit Covid në Kinë dhe SHBA, mbrojtja ndaj këtij virusi konsiderohet e mirë.

Sulçebe thekson nevojën e kryerjes së dozës përforcuese të tretë dhe të katërt tek pacientët kronikë mbi 60 vjeç.

Gjithashtu mjeku imunolog thotë se është i nevojshëm vaksinimi i fëmijëve 6-12 vjeç pasi deri më tani, kemi vaksinim 0 anticovid tek kjo kategori.

“Mendoj se me një mbrojtje imuniteti rreth 74 për qind pas marrjes së dy dozave të vaksinës, nuk duhet të frikësohemi për nënvariantet e reja Covid. Por ne kemi rekomanduar kryerjen e dozës përforcuese të tretë dhe pas 6 muaj edhe dozën e katërt të vaksinës Covid, për të rritur mbrojtjen imunitare tek pacientët kronikë që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Gjithashtu duhet të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për vaksinimin e fëmijëve. Këto kategori janë më të rriskuara të bëhen burim infeksioni dhe përhapje e tij tek popullata”, thotë mjeku Sulçebe.

Situata në poliklinika dhe spitale

Përveç Covid, rastet e prekjes nga gripi stinor dhe virozat sa vijnë e rriten.

Sipas udhëzimit në fuqi për masat ndaj Covid, mjekët e familjes dhe ata specialistë në qendrat e mëdha shëndetësore siç janë poliklinikat qendrore dhe dispanceria, kanë detyrimin e testimit të pacientëve të sëmurë në këtë periudhë.

Por testimet sa vijnë e bëhen më të rralla pasi mjekët konstatojnë më shumë raste gripi sesa Covid nisur nga simptomat që duket se bëjnë diferencën.

“Këtë periudhë po qarkullon më shumë grip sesa Covid. Nisur nga rastet, konstatojmë më shumë pacientë me komplikacione të rënda gripi, pneumoni, kollë e fortë dhe temperaturë deri në 39 gradë. Çdo ditë vizitojmë rreth 100 pacientë që bëjnë grafi apo eko për mushkëritë. Shumica e tyre shfaqin prekje të mushkërisë, pneumoni apo bronkopneumoni”, thotë mjekja pneumologe e Dispancerisë Tiranë, Silvana Sadria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë