Teknologji dhe Inovacion

Bota e errët e sekserëve: Si ndodh shitja e të dhënave që ua kemi dorëzuar rrjeteve sociale

Nga Gazeta 'Si' - Shumica e njerëzve e dinë se Google, Meta dhe gjigantë të tjerë të teknologjisë, kanë një oreks të pangopur për informacione. Por ata ndoshta dinë pak mbi tregun e fshehtë ku informacionet personale blihen dhe shiten nga agjentët e të dhënave.

Nga kompani enigmatike që ndërtojnë me zell baza të të dhënave të gjera të informacionit të përdoruesve për t’i shitur më pas tek palë të treta. Këto biznese, gërmojnë në thellësi të domeneve publike dhe private, rrëmojnë nëpër të gjitha skutat e rrjeteve sociale, qëmtojnë historitë e shfletimit në rrjet, dhe blejnë të dhëna nga regjistrimet demografike dhe të dhënat shëndetësore të përdoruesve.

Eksperti i sigurisë kibernetike në kompaninë Kaspersky, Marc Rivero, përshkruan shkurtimisht se çfarë bëjnë këta sekserë të të dhënave.

“Ata mbledhin të dhënat e përdoruesve, që përmbajnë identitete digjitale dhe histori të lundrimit të tyre në internet. Më pas, ata ia shesin atë kompanive të tjera që shfrytëzojnë informacionin.”

Por ata nuk janë vetëm shitës të të dhënave. Hicham Qaissi, profesor në Universitetin Politeknik të Madridit në Spanjë dhe drejtor i projekteve të IT në Docaposte, thotë se sekserët e të dhënave ofrojnë gjithashtu shërbime të personalizuara të analizave.

“Nëse një kompani synon të identifikojë vendndodhjen më të mirë për një biznes që dëshiron të hapë, ajo mund të blejë informacion të vlefshëm që ta orientojë mbi vendimin që duhet marrë”- thekson më tej ai. Të dhënat e përdoruesit mund të përdoren për të identifikuar klientët e mundshëm, për të përmirësuar reklamat dhe për të pasuruar studimet e tregut.

Njerëzit bëjnë shpeshherë dallimin midis ndërmjetësve të të dhënave dhe kompanive si Google, Facebook dhe X (dikur Twitter) që mbledhin të dhëna dhe i ndajnë ato me palët e treta për reklamat e synuara. Sidoqoftë, vija ndarëse nuk është gjithmonë e qartë për të gjithë.

“Cili është ndryshimi midis dhënies së të dhënave dhe shitjes së tyre? Për mua, ata janë që të dy ndërmjetës të të dhënave. Megjithëse shumica e njerëzve quajnë ndërmjetës vetëm kompaninë që shet të dhëna”- tha Rivero.

Por nga ana tjetër, ai e pranon se kur përdoruesit pranojnë marrëveshjen mbi ‘Kushtet e Përdorimit’, ata janë më të vetëdijshëm se të dhënat e tyre do të përdoren në njëfarë mënyre. Zakonisht ata nuk e dinë se të dhënat e tyre mund t’u shiten një pale të tretë.

Sekserët e të dhënave ekzistojnë prej kohësh. Në vitin 2007, një raport nga Shërbimi i Kërkimeve në Kongresin e SHBA-së, nënvizoi shqetësimet rreth sasisë së madhe të informacionit personal që mbledhin ata si dhe qasjes së papërshtatshme në ato të dhëna.

Dhe që atëherë prania e tyre vetëm sa është rritur. Sipas Kërkimit të Tregut të Transparencës, tregu global i ndërmjetësve të të dhënave arriti në 240 miliardë dollarë në vitin 2021, dhe pritet të arrijë në 462 miliardë dollarë deri në vitin 2031, me një rritje vjetore prej 6.8 për qind.

Shumica e ndërmjetësve të të dhënave, janë relativisht të panjohur për publikun. Disa nga më të mëdhenjtë e përmendur në raportin e Kërkimit të Tregut të Transparencës janë Acxiom, Experian, Equifax, CoreLogic, Epsilon dhe LexisNexis.

“El País” kontaktoi disa prej këtyre kompanive për koment, por mori pak përgjigje, përveç  CoreLogic që mohoi të ishte në biznesin e ndërmjetësimit të të dhënave. Ndërkohë dega spanjolle e Experian, tha se nuk vepron si ndërmjetëse e të dhënave në Spanjë.

Profilet gjithëpërfshirëse të përdoruesve

Sekserët e të dhënave, merren me më shumë sesa vetëm me disa profile demografike tradicionale. Ata mbledhin dhe ruajnë informacione si emrat dhe mbiemrat, mosha, adresa postare, gjinia dhe treguesit socio-ekonomikë.

“Analizat psiko-grafike janë sot shumë të kërkuara. Ata analizojnë banorët e një zone metropolitane, për shembull në Paris, dhe mbledhin njohuri mbi preferencat e tyre, zakonet e blerjeve, preferencat ushqimore, aktivitetet e kohës së lirë, aktivitetet sportive dhe moshën mesatare të martesës”- thotë Qaissi.

Eksperti shpjegon se një bankë mund të përdorë një analizë psiko-grafike, për të ofruar produkte financiare të përshtatura për një grup të synuar klientësh. Dhe për t’i krijuar këto profile psiko-grafike, ndërmjetësit mbledhin të dhëna nga burime të ndryshme.

“Si për shembull kur ju futni informacione personale në një formular online, kur pranoni ‘cookie’ në një faqe interneti, kur përdorni shërbimin WiFi të një hoteli...”- shprehet Qaissi.

Po çfarë ndodh kur hyni në një rrjet WiFi me fjalëkalimet e hyrjes në Google ose Facebook?

“Në thelb, ju po i jepni informacione të një burri 45-vjeçar me këtë adresë emaili,që po pushon në Costa Brava”- shton ai.

Këto të dhëna nxirren dhe standardizohen, në mënyrë që të mund të ngarkohen në një bazë të dhënash të mirë-organizuar, të gatshme për analizimin dhe përpunimin nga pajisjet e Inteligjencës Artificiale (AI). Disa nga këto informacione, ndahen me palët e treta për reklamimet e synuara, shpesh në formën e marketingut përmes e-maileve.

Disa vite më parë, plasi një skandal kur u zbuluan disa praktika jo-etike. “Cambridge Analytica”, është një shembull i qasjes që kanë palët e treta në të dhënat e Facebook, sot Meta thotë Rivero, duke iu referuar zhurmës që u bë mbi manipulimin e informacionit në Facebook gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Termi “ndërmjetës i të dhënave”, nuk u përdor kur shpërtheu skandali, por më vonë u bë i dukshëm roli i tyre në shënjestrimin e saktë të mesazheve politike.

Iluzioni i privatësisë që ka Bashkimi Evropian

Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) e Bashkimit Evropian, u miratua enkas për të siguruar një nivel të lartë të privatësisë së përdoruesit. Mbrojtja e tij, duhet të jetë në parim e mjaftueshme për t’i penguar sekserët e të dhënave që të marrin informacionet tona personale.

Por në praktikë, ka boshllëqe ligjore që i lejojnë këto kompani të operojnë dhe veprojnë jashtë kufijve të BE-së. Këto kompani, e kanë të lehtë të kenë qasje në informacionin personal, qoftë përmes rrjeteve sociale, përmes teknikës phishing (duke imituar një uebsajt legjitim për të marrë informacione personale), hakerime të paligjshme etj”- thotë Qaissi.

Sipas tij qasja, ruajtja dhe analizimi i këtyre të dhënave është i ndaluar në Evropë, por ndoshta jo në Turqi. Sekserët e të dhënave të vendosura jashtë BE-së, mund të mbledhin të dhëna për përdoruesit evropianë dhe t’ua shesin ato kompanive që operojnë brenda BE-së.

“Blerësit e të dhënave nuk mund ta bëjnë këtë ligjërisht këtu në BE, por mund t’i marrin diku tjetër. Po flasim ndoshta për një skedar prej 5 megabajtësh (MB) me informacione për 5000 klientë të mundshëm. Një skedar i vogël, të cilin mund ta dërgoni fare lehtë me e-mail”- thekson Qaissi. Po aq e lehtë sa bashkëngjitja (atach) e një dokumenti në një e-mail.

Burimi: “El Pais"/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë