Mendim

Bosnja më e pashpresë se kurrë

Të dielën, qytetarët e Bosnje dhe Herzegovinës u nisën drejt qendrave të votimit mes retorikave të rrezikshme dhe premtimeve nacionaliste. Edhe pse ishin zgjedhjet e shtata të përgjithshme pas Marrëveshjes së Dejtonit, e ardhmja politike e fqinjit të trazuar ballkanik duket më e pasigurte se kurrë; Lideri i Republikës Srbska, Milorad Dodik, mori sërish votat e sërbëve të Bosnjes. I njohur për lidhjet e ngushta me Rusinë dhe për besimin e tij se Republika Srpska duhet të bëhet shtet i pavarur, Dodik tha se populli serb do të ishte "përparësia" e tij.

"Është një fitore e prerë e qartë," tha Dodik nga Banja Luka, qyteti kryesor i Republikës Srpska. "Nuk më intereson kush janë dy përfaqësuesit e tjerë në presidencë. Unë do të punoj dhe mbroj interesat e serbëve ".

Qytetarët votuan për Presidencën e re të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila përbëhet nga tre anëtarë që përfaqësojnë secilën prej grupeve kryesore etnike të vendit (boshnjakët, serbët dhe kroatët). Nga pala kroate vendin përfaqësues e fitoi socialdemokrati, Zeljko Komsiç, i cili mundi në këtë garë nacionalistin e djathtë, Dragan Çoviç. Ndërsa për boshnjakët myslimanë vendin përfaqësues në presidium e fitoi kandidati konservator, Sefik Dzaferoviç, i cili po ashtu përdori tone nacionaliste në fushatën zgjedhore. Zgjedhjet ishin një goditje për kroatët hercegovinas, që duan me një bojkot të ri të ndezin një krizë të re. Të hënën Komisioni Zgjedhor bëri të ditur se lideri që i ka drejtuar ata prej disa vitesh, Dragan Çoviç nuk ngjitet në presidiumin përfaqësues. Çoviç deklaroi se Bosnjën e pret tanimë "një krizë që nuk është asnjëherë më parë." Lideri nacionalist kroat kishte bërë të ditur, se në rast se humbet, etnia e tij do të bllokojë të të gjitha institucionet në Bosnje-Hercegovinë.

Zgjedhjet janë mbajtur mes pretendimeve për mashtrim dhe manipulim me identitetet e personave të vdekur. Po ashtu pati një diferencë të madhe mes numrit të kartave të të vlefshme të identitetit dhe numrit të votuesve të regjistruar brenda dhe jashtë Bosnjës. Ato erdhën pas një periudhe më të trazuar dhe për shumicën e analistëve perëndimorë, shuan çdo shprese për miratimin e reformave të brendshme, të vendosura si kushte kryesore për integrimin europian dhe euroatlantik të vendit. Pas përfundimit të luftës së përgjakshme në vitin 1995, fushatat zgjedhore në BiH, janë karakterizuar nga përpjekjet e politikanëve për ta paraqitur veten si mbrojtësit më të mirë të interesave të grupit përkatës etnik. Bodo Ueber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, nuk sheh ndryshime të rëndësishme as kësaj radhe.


Jean-Claude Juncker, Dragan Covic, Bakir Izetbegovic, Mladen Ivanić, Johannes Hahn

"Tre kandidatët kryesorë luajtën si zakonisht me retorikat nacionaliste", thotë Ueber. Megjithatë, ai thekson edhe mbështetjen e pazakontë nga Beogradi për Milorad Dodik dhe partinë e tij, SNSD. Ai ka qenë në pushtet që nga viti 2006 , por është më i fuqishëm se kurrë. Falë thirrjeve të tij për shkëputje nga shteti boshnjak, Dodik është kthyer në një figurë përçarëse edhe në skenën kombëtare. Ai ishte mbështetësi kryesor i një referendumi për ta bërë "Ditën e Republika Srpska" një festë kombëtare në Bosnjë, edhe pse 9 janari, i cili shënon themelimin e shtetit në vitin 1992, ishte një nga shkaktarët e luftës së përgjakshme që pllakosi vendin.,

Sa kompleks ishte votimi?

Vëzhguesit perëndimorë shkruajnë se zgjedhjet u dëmtuan nga abuzimi me votat dhe frikërat etnike. Sipas sistemit politik kompleks të Bosnjës, votuesit duhej të zgjedhin gjithsej pesë kryetarë dhe 14 kryeministra. Kandidatët do të formojnë qeverinë qendrore, dhe do të ulen në dy dhomat e parlamentit dhe presidencën trepalëshe. Ata do të formojnë gjithashtu edhe qeveritë për dy njësitë e ndara. Votuesit e Republikës Srbska duhej të zgjidhnin deputetët, një president dhe dy nënkryetarë. Në Federatën Kroate u zgjodh një president dhe dy nënkryetarë.

Përveç kësaj, qytetarët votuan edhe për kryetarët që do të drejtojnë 10 kantonet e federatës. Në tërësi, 7,500 zyrtarë kandiduan për drejtimin e 518 zyrave në të gjithë vendin. Vëzhguesit e zgjedhjeve deklaruan se fushata u manipulua nga shumica e kandidatëve, të cilët përdorën retorika nacionaliste, dukë kërcënuar madje edhe me luftë.

Milorad Dodik

Pak progres

Një në pesë qytetarë të Bosnjë-Hervcegovinës janë të papunë dhe pothuajse gjysma e të rinjve nuk mund të gjejnë vende pune. Edhe ata që janë të punësuar fitojnë mesatarisht rreth 400 euro në muaj. Shumë njerëz kanë humbur shpresën se vendi mund t'u ofrojë një të ardhme. Rreth 5% e popullsisë, plot 200,000 qytetarë, janë larguar nga Bosnja, për të punuar jashtë vendit.

Por politikanët e Bosnjes mbeten të vendosur për të përdorur frikën, duke përçarë dhe sunduar . Këto zgjedhje duket se nuk do të ndryshojnë asgjë. BE-ja hartoi një plan të madh për reformat tre vjet më parë, por deri më tani ka pasur pak përparim. Duke marrë parasysh rezultatet, formimi i qeverisë së re, sipas analistëve të BBC, do të jetë më kompleks dhe më i vështirë se kurrë.

Debati Kosovë-Serbi prek Bosnjën

Në javët e fundit ka pasur shumë diskutime rreth shkëmbimit territorial të propozuar midis Serbisë dhe Kosovës. Një propozim i tillë shkaktoi shok tek shumë njerëz, pasi administrata amerikane dhe zyrtarët e BE-së sinjalizuan se një marrëveshje e tillë do të ishte e pranueshme. Por për një rajon si Ballkani, ndryshimi i kufijve nuk është kurrë një ide e mirë. Shoqëria civile, akademikët dhe ish-zyrtarët e kanë bërë të qartë se “korrigjimet kufitare” në Ballkan janë receta perfekte për kaosin dhe trazirat.

Edhe pse marrëveshja e propozuar nga Presoidenttët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç duket se ka të bëjë vetëm me Kosovën, ajo ka ndikuar në fakt edhe në zgjedhjet e Bosnjë-Hercegovinës, duke i dhënë përfaqësuesit të Republikës Srpska “armën perfekte”. Në fakt, sipas Milorad Dodik, bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiçit, republika është e destinuar të bëhet pjesë e shtetit serb në shekullin 21.

Milorad Dodik dhe  Aleksandër Vuçiç 

Sipas tij, bashkimi më Beogradin duhet të jetë detyra e vetme e elitës politike serbe në vitet qe do të vijnë. Dodik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Vuçiç të përdorë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës, për rihapjen e statusit të serbëve të Bosnjës, si hapi i parë drejt këtij bashkimi të ardhshëm. Ai e ka bërë këtë kërkesë shpesh në praninë e Vuçiçit, duke shkaktuar jo pak shqetësim në Sarajevë.
“Korrigjimet e kufijve” me Kosovën janë pasuar nga komente “të rrezikshme” nga Daçiç, i cili ka sinjalizuar se Serbia do të vazhdojë të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Bosnjës.

Nëse kufijve e Kosovës mund të ndryshohen, atëherë edhe Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë, do të mund të rishqyrtohet. Për elitën nacionaliste në Beograd dhe Banja Luka, statusi serbëve të Bosnjës mbetet “i pazgjidhur”, pavarësisht se Serbia mbështeti Marrëveshjen e Dejtonit. Me fjalë të tjera, Republikës Sprska mbetet një territor që duhet fituar dhe pas rezultateve tronditëse të zgjedhjeve, kjo fitore mund të jetë më afër se kurrë.

Burimet: "Balkan Insight", "BBC", "European Western Balkans"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë