Futboll

Borxhet e futbollit, mbledhje mes klubeve dhe FSHF-së

Mes lumit të madh të problemeve që futbolli shqiptar përjeton, një nga më të mëdhenjtë dhe më seriozët është edhe ajo e rregullimit financiar. Borxhe pa fund, tatime të pa shlyera dhe pronarë klubesh pa pronësi reale asetesh kanë qenë këto disa nga problemet më të mëdha që shoqërojnë futbollin shqiptar dhe që kanë qenë objekt i një takimi mes drejtuesve të FSHF-së dhe klubeve të Superligës. Në tryezën e organizuar nga FSHF, ku merrnin pjesë drejtuesit e klubeve të Superligës u trajtuan këto çështje, ku u hodhën edhe ide për daljen nga kjo situatë, me qëllim shpëtimin e futbollit shqiptar nga ky rrezik i madh që i kanoset.

Zgjidhjet për daljen nga kriza

Shumë herë është trumbetuar me të madhe që hapi i parë të nisur daljen nga kjo situatë ku është futur futbolli shqiptar do të ishte një ligj i ri për sportin dhe një tjetër ligj i veçantë për sponsorizimet. Siç bëhet me dije nga klubet dhe FSHF është bërë një kërkesë që për futbollin të ketë një trajtim preferencial nga instancat shtetërore. Kështu besohet që nga viti 2017 të kërkohet që të zerohen borxhet e klubeve dhe në rastet kur një organizëm futbolli nuk shlyen në kohë detyrimet financiare, ai të mos trajtohet sipas ligjeve fiskale, por t’i jepet një hapësirë favorizuese. Është kërkuar që të ketë një periudhë 5-vjeçare zerimi të tatimit të fitimit për rrogat e futbollistëve dhe pas të fillojë deklarimi i rrogave reale dhe jo siç veprohet deri më tani. Kjo kërkesë shtrohet si zgjidhja që do i ndihmonte të gjitha palët e përfshira. Klubet do të kishin kohë për të rregulluar bilancet e tyre financiare, futbollistët do të merrnin një rrogë të deklaruar dhe shteti do të arkëtonte në buxhet tatimin për rrogat reale të futbollistëve që shkojnë deri edhe në 10 milionë lekë të vjetra në muaj në disa raste. Për problemin e pronësisë mbi klubet e futbollit si zgjidhje shikohet kalimi i asteve në dorë të presidentëve. Kushti në këtë rast do të ishte një rregullim ligjor që në momentin që këta pronarë të klubeve marrin në dorë stadiumet, nuk duhet të ndryshojë forma dhe qëllimi i tyre për aktivitete sportive. Të gjitha këto kërkesa dhe lehtësime që janë propozuar vijnë me qëllim që futbolli në vend të dalë nga situata ku është futur dhe të ngrihet cilësisht.

Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari klube me hallet më të mëdha

Të gjitha klubet shqiptare, disa më pak dhe disa më shumë kanë probleme financiare. Por ato që paraqiten më rëndë janë tre ekipe historike që i kanë dhënë tonin kampionatit tonë ndër vite. Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia paraqiten si klubet ku problemet financiare dhe ato të pronësisë janë më të mëdha dhe ku rreziqet janë më serioze. Te Tirana niveli i borxhit kap shifra të frikshme, ku ende nuk është e qartë se cilat do duhet të jenë detyrimet e presidentit Refik Halili dhe cilat janë të Bashkisë Tiranë, si aksionere në klub. Klubi bardheblu ka borxhe ndaj futbollistëve që mund të jenë penalizuese në arenën ndërkombëtare për shkak të dënimeve nga UEFA, por edhe ndaj palëve të treta brenda vendit. Te Vllaznia rënia në Kategorinë e Parë, duket se ka ndikuar për mirë në drejtim të menaxhimit të gjendjes financiare. Por sërish mbetet në dorë të bashkisë dhe gjendja nuk duket shumë pozitive për të ardhmen, për të mos folur për çështjen e stadiumit që është një hall më vete me shumë aktorë të përfshirë. Ndërsa Flamurtari është klubi që duket se i ka amortizuar më mirë problemet e veta këtë sezon. Klubi kuqezi vijon të jetë pronë e bashkisë Vlorë dhe kompanitë turke me administrator Sinan Idrizin janë ende në me statusin e donatorit. Flamurtari ka gjithashtu një mal të madh me borxhe, por është ndoshta i vetmi klub futboll në Shqipëri që deklaron në tatime rrogat reale të futbollistëve.

Përveç këtyre tre klubeve edhe të tjerat kanë problemet e tyre. Te Kukësi që në 7 vitet e fundit i ka dhënë tonin futbollit shqiptar, Safet Gjici është president dhe pronar i logos së ekipit dhe jo i asteve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa ekipe të tjera të Superligës. Kur ky problem është në këto nivele për elitën e futbollit shqiptar, për kategoritë e tjera nuk vlen të flitet, pasi ka ekipe pa pronar, ose futbollistë që paguhen me rroga për 25 apo 30 mijë lekë të reja nga bashkitë që kanë i kanë nën administrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë