Treg

Bizneset ultimatum qeverisë për barrierat tregtare Shqipëri-Kosovë

Nëse qeveritë e të dy vendeve; të Shqipërisë dhe Kosovës, nuk do të marrin masa për të eleminuar barrierat që pengojnë tregtinë mes dy vendeve, situatën në dorë do ta marrin vetë bizneset.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ka deklaruar sot se është ngritur një grup pune me koordinator Odën Ekonomike të Kosovës dhe Dhomën e Tregtisë Tiranë, që do të mbledhë dhe filtrojë gjithë problematikën mes Shqipërisë dhe Kosovës brenda datës 15 korrik.

Nikolin Jaka

Ky grup pune është ngritur pas identifikimit të pengesave të mëdha që po përjetojnë të dy shtetet në fushën e tregtisë, të cilat u theksuan në Konferencën e 21 majit në Tiranë “Mundësitë dhe sidat e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë”.

“Politika e dy vendeve tona duhet të orientohet drejt ekonomisë. Qeveritë tona të ulen dhe të zgjidhin problematikat që hasin dy sipërmarrjet tona dhe kjo është dhe detyra e forumit dhe jam i bindur që brenda datës 30 korrik ne do dalim me një plan veprimi nëse qeveritë tona nuk marrin parasysh kërkesat e sipërmarrjes së dy vendeve”. – është shprehur Jaka.
Barrierat që ua vështirësojnë shkëmbimin tregtar bizneseve identifikohen si tarifore dhe jo tarifore. Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka vlerësuar si pengesa kryesore ato jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare iu kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Çertifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar. Procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, mos-marrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare, zbatimi i normës të lartë të akcizës për sektorin e birrës, janë disa nga pengesat të cilat e rrisin koston e prodhimit por edhe e ulin nivelin e konkurrueshmërisë së produkteve të Kosovës në tregun e Shqipërisë.

Për këtë bizneset e Kosovës kanë kërkuar heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport Kosovë-Shqipëri. Po ashtu njohjen e çertifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe çertifikatave dhe të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 22.5 EUR vajtje/ardhje për kamionët. Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën për birrën.

Për bizneset shqiptare pengesat kryesore janë tarifa e parkimit të kamionëve prej 40 euro në ditë dhe mosnjohja e certifikatave fitosanitare.

Dhoma e Tregtisë Tiranë u bën thirrje publike gjithë sipërmarrjeve shqiptare që eksportojnë në Kosovë që deri në datën 15 korrik të reklamojnë me shkrim problematikat që kanë hasur gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre në Kosovë. Sipas Jakës, numri i sipërmarrjeve shqiptare që eksportojnë në Kosovë nuk e kalon 800 subjekte tregtare duke iu referuar të dhënave të 6 mujorit të parë 2019, që sipas tij është shifër tejet e ulët po ta krahasojmë me potencialet që kanë sipërmarrjet tona të një kombi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë