Ushqim

Biskotat argjentinase që çmendin botën

Alfajores janë një lloj biskote që për këdo që i njeh, në momentin që përmendet emri i tyre, mendja të shkon në Argjentinë. Cila është lidhja e këtyre të dyjave?

Sytë e Maria Romero, një blogere ushqimi shkëlqyen ndërsa kthehej në fëmijërinë e saj në Quilmes, një qytet në provincën e Buenos Aires dhe takimet e saj të para me alfajores.

"Për herë të parë i kam ngrënë ato kur kam qene e vogël. Ne kishim kioska brenda shkollës dhe të gjithë vraponim të blinim alfajores. Ne thonim gjithmonë se nëse jeni të uritur, keni nevojë për diçka të ëmbël, ndjeheni të trishtuar apo gjendje të tjera, ndonjëherë ju duhet vetëm një alfajor për të mbijetuar.” tha Romero.

Në formën e tij më të zakonshme, një alfajor argjentinas është një biskotë e butë, që therrmohet, e mbushur dhe e mbuluar me çokollatë ose e pluhurosur me sheqer ose kokos të tharë. Romero përshkruan alfajores si një ndërthurje midis një biskote dhe një torte dhe i ka kthyer ato në një biznes dhe karrierë. Pasi punoi për të tjerët, ajo tani drejton ‘Sur Chocolates’ në Mbretërinë e Bashkuar, e cila prodhon alfajores të shijshëm.

Romero thotë se alfajores janë një ushqim që fare mirë mund të jenë kryefjala e kuzhines argjentinase. Përafërsisht një miliard alfajore shiten në Argjentinë çdo vit dhe qindra lloje janë në dispozicion në kioska, supermarkete dhe furra buke në të gjithë vendin.

"Ju mund t'i gjeni kudo", tha Romero.

Alfajores janë një pjesë integrale e kulturës argjentinase, duke u shfaqur në vepra të ndryshme. Madje, kur Lionel Messi ishte i ri, trajneri i tij e shpërblente atë me alfajores për çdo gol që shënonte.

Megjithëse janë një produkt relativisht i thjeshtë, alfajoret kanë një histori të gjatë dhe komplekse. Facundo Calabro, krijuesi i blogut Catador de alfajores (Shijuesi i alfajores) dhe autori i librit En busca del alfajor perdido (Në kërkim të alfajorit të humbur), shpjegon se ato datojnë të paktën në Shekullin e 8-të, kur një biskotë arabe e bërë me sheqer, arra dhe kanellë arritën në gadishullin Iberik gjatë pushtimit maur. Versione të ndryshme evoluan më pas, duke marrë emrin alajú ose alfajor që sic besojnë disa gjuhëtarë, rrjedh nga fjala arabe al-fakher (luksoze) ose fjala e vjetër arabe al-huasu (e mbushur) .

Në formë rrumbullake dhe të bëra nga bajamet e bluara, lajthitë, thërrimet e bukës, sheqeri, mjalti dhe erëza të tilla si kanella, hahen ende tradicionalisht në pjesë të Spanjës gjatë Krishtlindjeve dhe në disa zona janë në dispozicion gjatë gjithë vitit.

“Alfajores shkuan në Amerikën Latine në Shekullin 16. Filloi të ndryshonte, duke marrë përbërësit e secilit rajon dhe duke humbur të tjerët.” tha Calabro.

Sot, alfajoret në Argjentinë janë shumë larg nga paraardhësit e tyre Spanjollë dhe Arabë. Versioni më i zakonshëm i bërë në shtëpi dhe stili i gjetur përgjithësisht në furrat e bukës njihen si alfajores de maicena, me një mbushje qumështi dhe një pluhur sheqeri ose kokosi të tharë.

"Por si shumica e ushqimeve që erdhën në Argjentinë, alfajoreve u është dhënë kthesa provinciale", thanë Paula Delgado dhe Claudio Ortiz, shefa të kuzhinës të cilët do të botojnë librin e tyre të parë të gatimit në 2021.

"Kuzhinierët tanë kthehen te recetat që kanë mësuar nga nënat, hallat, gjyshet e tyre.  Këtu në provincën Kordoba, alfajoret zakonisht mbushen me një pastë të ëmbël ftua. Të gjithë kaubojësit tanë, kuzhinierët, pastruesit dhe stafi ulen pasdite për të diskutuar për jetën dhe politikën duke ngrënë alfajores që shoqërohen me çaj. Ata janë një pjesë e madhe e kulturës argjentinase." tregon Ortiz.

Lloji më i famshëm i alfajorit të blerë në dyqan është marplatense, e cila është e mbushur me krem qumështi dhe e mbuluar me çokollatë. Emrin e ka marrë nga qyteti bregdetar i Mar del Plata, vendlindja e markës kryesore Havanna, e cila hapi furrën e saj të parë në 1947 dhe tani ka dyqane dhe kafene në të gjithë Argjentinën. Por ka variacione të panumërta përtej marplatense klasike. Kërkoni nëpër raftet e një kioske dhe do të gjeni alfajores të mbuluara me sheqer, kremra të ndryshëm, e mbushur me reçel ose gjalpë kikiriku dhe aromatizuar me kafe, fruta, arra ose pije alkoolike si rum ose uiski. Ekzistojnë versione vegane, pa gluten, tortë me oriz dhe madje edhe me tre kate.

E vecanta është se në Argjentinë njerëzit janë në ndarë me grupe në bazë të markave që ato pëlqejnë, si në futboll.

Njerëzit formojnë lidhje të thella me marka të veçanta, sipas burrit të Romeros, Emanuel

“Argjentinasit duhet t’i përkasin njërës palë ose tjetrës. Ashtu si në futboll, për shembull, ju mbështesni Boca ose River. Me alfajores, është disi e njëjtë, ju i përkisni një marke dhe i mbroni ata." thotë ai.

Pavarësisht nga popullariteti i tyre në Argjentinë dhe gjetkë në Amerikën Latine, alfajoret janë relativisht pak të njohur në pjesën tjetër të botës, megjithëse kjo ka filluar të ndryshojë. Havanna hapi një dyqan në Florida, e para në Amerikë, në vitin 2017.

"Ka edhe dyqane Havanna në Spanjë dhe mbi 100 në pjesën tjetër të Amerikës Latine," tha Mariano Oliva, CEO i Havannas.

"Ne shesim rreth gjysmë milioni alfajore në vit në Amerikë dhe kemi një plan, në pritje për tani për shkak të Covid për të hapur më shumë vende. Alfajores kanë një potencial fenomenal.” thotë ai.

Megjithatë ndërsa alfajoret zgjerohen globalisht, pyetja pse pikërisht ata janë kaq të popullarizuar në Argjentinë mbetet pa përgjigje. Delgado dhe Ortiz thonë se është një krenari kombëtare, Oliva thotë se është një lidhje emocionale që e ka zanafillën në fëmijëri dhe rritet cdo ditë dhe Romero beson se kjo është për shkak të një "pasioni të përbashkët".

Për Calabron, arsyet prapa dashurisë argjentinase për alfajores mbeten një "mister i madh"

"Është e qartë se ato janë pjesë e identitetit tone por a i duam alfajoret sepse ato janë pjesë e identitetit tonë apo janë pjesë e identitetit tonë sepse, për ndonjë arsye të çuditshme, ne vendosëm t’i duam? Ende nuk ka përgjigje.” përfundon ai.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë