Opinion

Biri i parisë…

Rexhepi s’është i pari dhe as ka për të qenë i fundit i “bëmave” të fëmijëve të politikanëve që kanë probleme me ligjin. Prej vitesh ata janë mbi ligjin. Ligji për ta është një “lodër” që ua çon babai pushtetmbajtës në shtëpi dhe luajnë me të sa dhe si të duan.

Kur je qytetar i thjeshtë, në Shqipëri mund të bësh burg për një faturë energjie elektrike, mund të qëndrosh 21 ditë pas hekurave se nuk ke të pajisur me letra motoçikletën tënde të ngarkuar me mistri, lopata e vegla të tjera pune. Por, nëse je bir politikani mund të shtypësh njerëz në rrugë, të kërcënosh, dhunosh, përdhunosh, madje edhe të vrasësh dhe mendon babai që ty të mos të hyjë asnjë gjemb në këmbë.

Fatkeqësisht kjo është kultura që ka lëshuar rrënje prej vitesh nën hundën e shoqërisë tonë, një shoqëri syleshe që i rreh shpatullat të fortit, atij që e dhunon, që e vjedh, që i rrëmben pasuritë, atij që e dëbon nga ky vend dhe kur nuk e dëbon dot, e vret.

Në moçalin tonë pa rregulla e ku ligjet nuk janë të detyrueshme për politikanët, e ku duket se po zhytemi thellë e më thellë, këta shihen si shembuj për t’u ndjekur, sidomos në qyteza e zona rurale. Ata janë të fortët, “që bëjnë pare e pijnë hashash”. Janë “modeli” i çunave të shkathët që shpërfillin uniformën e dalë boje të policit, madje tymosin e xhirojnë gomat para policit.

Këta janë ata që shoqërohen me “të fortët” e zonës, që kur policia u thotë “ka një urdhër-arresti për ty”, u përgjigjen me shpërfillje: “Hë se këtu vërdallë jam”. I tillë është Rexhepi, apo Xheni, siç thuhet të paktën në disa media, që e quan veten në rrjetet sociale.

Aty thuhet se poston foto me makina të shtrenjta, bën “qek-ine” (kupto Check-In) nëpër lokale e bare luksoze, e madje poston edhe foto duke shënjestruar me një kallashnikov. Rexhepi, apo Xheni është prototipi i fëmijëve të një pjese të pushtetmbajtësve, sidomos jashtë Tiranës. Ai është nga ata që ende pa i arritur këmbët tek pedalet e makinës, e ka patur makinën tek këmbët.

Ai është fëmija që ka lënë pistoletat e makinat lodër dhe ka nisur të luajë me pistoleta e makina prej vërteti. Kështu, Rexhepi edhe Xhisielën e konsideronte pronë dhe lodër të tij. “Lozi” duke e goditur me grushta, shkelma e duke i djegur cigaren në trup. Lozte sa mërzitej dhe herë e largonte e herë e afronte, sepse askujt nuk ja mbante që ta ndalonte.

Sot, Xhisiela mund të ketë shpëtuar nga dhuna e Rexhepit me shenjat e djegies në trup, por vështirë se në jetën e saj do të largohet ndonjëherë “damkosja” që i vendos shoqëria jonë sa herë që bëhet fjalë për ngjarje të tilla.

Si përfundim; më shumë mundësi ka që në këtë vend të “rehabilitohet” dhunuesi sistematik i saj, sesa ajo vetë, sepse në këtë vend është provuar e stërprovuar: çudia më e madhe, tri ditë zgjat!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë