Sport

Bilardo në Arabinë Saudite, për të kuruar imazhin

Lojtarët profesionistë të bilardos, nuk janë nën asnjë presion për të luajtur në turneun e ri fitimprurës, por gjithashtu të diskutueshëm, që pritet të zhvillohet në Arabinë Saudite, ka deklaruar kryetari i Snooker Tour, Barry Hearn. Eventi me shpërblimin më të lartë financiar, do të zhvillohet në Riad në tetor, ku fituesi pritet të përfitojë 500,000 £ nga një fond i përgjithshëm prej 2.5 milion. Hearn tha se vendimi për të zhvilluar këtë event në Arabi ishte marrë për "përmirësimin e sportit" dhe "ne shkojmë, investojmë dhe krijojmë".

Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International ka nxjerrë në pah problemet e vendit me të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e grave, si dhe përdorimin e dënimit me vdekje për vepra penale të cilat nuk njihen si krime sipas ligjit ndërkombëtar. Mbretëria ka kërkuar organizimin e këtij eventi sportiv në një përpjekje për të tërhequr vizitorë dhe për të larguar varësinë e ekonomisë nga nafta. Fitorja e titullit botëror të peshave të rënda nga Anthony Joshua u ​​zhvillua atje në dhjetor, ku përveç boksit edhe futbolli, garat me motor, tenisi, golfi dhe WWW, kohët e fundit po zhvillohen në shtetin e Gjirit. Por, pavarësisht akuzave se organizimi i këtij eventi është një përpjekje për të fituar para dhe gjithashtu pjesë e një plani për të pastruar imazhin e Arabisë, Hearn është i bindur se gjithçka është pjesë e një vizioni afatgjatë.

Hearn thotë se është një shans për të sjellë ndryshim dhe oferta. "Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën, por sporti nuk njeh kufij në këndvështrimin tonë dhe ne jemi atje për të përhapur sportin, dhe në këtë rast bilardon", tha 71-vjeçari. " Janë dhjetëra shtete në botë që kanë probleme me të drejtat e njeriut. Fakti që ne po përdorim gjyqtare femra është një hap i madh përpara. Unë jam i impresionuar me qëndrimin e qeverisë Saudite dhe investimin e tyre në sport, sepse ata po i shtyjnë të rinjtë të jenë më aktiv dhe kjo është vetëm e dobishme. Sporti i bashkon shtetet, formon karakterin tek të rinjtë. Është e rëndësishme të kuptojmë se çdo vend ka kulturën e vet. Ka vende, ku ne nuk pajtohemi me kulturën e tyre dhe ka gjithashtu vende që nuk pajtohen me tonën."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë