Kinema

Big Brother Stalinist: 400 njerëz rijetojnë epokën sovjetike, në tre vite film    

Dy pjesëmarrës në godinën kërkimore të epokës sovjetike.  Foto:  Volker

Është diçka mes Truman Show dhe me pak ngjyresë politike alla Vëllai i Madh oruellian, por nuk është distopi, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një histori të vërtetë dhe jetë të jetuara vërtet. Me fjalë të thjeshta, bëhet fjalë për “DAU”, projekti mes eksperimentit antropologjik dhe dokumentarit, që mban firmën e regjisorit kontrovers dhe enigmatik  Ilya Khrzhanovsky që, për projektin e tij më të fundit dhe më ambiciozin, ka bërë të jetojnë bashkë më shumë se katërqind njerëz në një institut të fizikës teorike të Ukrainës lindore, i trilluar por jo aq shumë.

Sheshxhirimi në fakt është montuar me shumë saktësi në një zonë prej 12 mijë metrash katrorë në afërsi të Kharkiv-it – sheshi më i madh kinematografik i Europës – duke u bazuar tek strukturat që ekzistonin në Bashkimin Sovjetik mes viteve ’30 dhe ’50, qoftë për arkitekturën, qoftë edhe për rregullat e ngurta të vëzhgimit. Historia është frymëzuar nga çështjet e Lev Davidovich Landau-t, shkencëtar sovjetik, i cili vdiq më  1968 –ën, fitues i çmimit  Nobel për Fizikën dhe mes studiuesve më të ndritur në fushën e mekanikës kuantike. Roli i tij është interpretuar nga Teodor Currentzis, një dirigjent orkestre me kombësi greke, ndërsa në kastën, e përbërë krejtësisht nga aktorë jo profesionistë, shfaqen edhe personalitete të artit, të kulturës dhe shkencës së kalibrit  si dirigjenti i operës Peter Sellars, artiset Carsten Höller dhe Marina Abramović, fizikani fitues i Nobel-it David Gross, matematikani Shing-Tung Yau, Nikita Nekrasov, Carlo Rovelli dhe  James Fallon.

Foto nga filmi “Dau” i   Ilya Khrzhanovsky-it : Jorg Gruber/Phenomen IP, 2018

Xhirimet nisën më 2008-ën dhe zgjatën tre vjet, gjatë të cilëve sheshxhirimi ka funksionuar si një lloj komuniteti autonom, ku kanë lindur miqësi dhe kanë plasur kriza, përveçse janë ngjizur 14 fëmijë, në një lloj enciklopedia të marrëdhënieve njerëzore që, me shumë gjasë, ka vajtur përtej harkut kronologjik të referimit. Në tre vjet pjesëmarrësit rijetuan 30 vite të përvojës sovjetike, duke ngrënë  të njëjtin ushqim, duke veshur të njëjtat veshje dhe duke iu bindur të njëjtave ligje,  siç do e bënin qytetarët sovjetikë. Për një farë kohe pjesëmarrësit u filmuan nga kineasti  gjerman  Jürgen Jürges.

“Është për të treguar sesi njerëzit janë , nuk është veçanta e kohës apo e kulturës, ka thënë  drejtorja ekzekutive e projektit Martine d’Anglejan-Chatillon. “Është për të parë se për çfarë  është e aftë natyra njerëzore, nën mikroskop dhe kapaciteti për të bukurën, intelektin, optimizmin dhe ndryshimit apo kapaciteti për të kundërtën.”

Pamje nga filmi. Foto:  Jorg Gruber/Phenomen IP, 2018

Një projekt i rrethuar nga fshehtësia, ku  vetëm fare pak gazetarë kanë pasur lejehyrje, një prej tyre ishte Michael Idov, i cili shkroi një artikull për GQ më 2011-ën, me titullin “Sheshxhirimi i filmit që hëngri veten”, duke e përshkruar Khrzhanovsky-in si të turbulluar. James Meek,  romancier dhe ish- korrespodent i  “Guardian” për Moskën u ftua, më 2015-ën,  në një ndërtesë në  Piccadilly, ku Khrzhanovsky kishte kaluar  vite duke plotësuar copëzat e  projektit. Ai shkroi një artikull për “London Review of Books”, ku thoshte:  “Ndjeva se kalova membranën drejt një mediumi tjetër”. Shkatërrimi i sheshxhirimit është bërë pjesë përbërëse e historisë dhe ka ndodhur më 2011-ën. Afro 700 orë filmime, nga të cilat ka dalë një dokumentar, por prezantimi, që duhet të bëhej në Festivalin e Kanës, më 2011-ën, por është shtyrë vazhdimisht dhe i gjithë materiali është mbajtur i fshehtë, të paktën deri tani.

Pamje nga filmi. Foto:  Jorg Gruber/Phenomen IP, 2018

Prezantimi zyrtar do të mbahet për të parën herë në Berlin, në muajin tetor, gjatë ceremonisë së promovimit të “murit të ri”, i cili do të ndërtohet në bulevardin “Unter den Linden” në kryeqytetin gjerman, duke krijuar “qytetin brenda qytetit”. Në Berlin, instalacioni do të mirëpritet nga festivali i arteve  Berliner Festspiele. Vizitorët  do të duhet të marrin viza online dhe të dorëzojnë telefonat e tyre celularë përpara se të hyjnë. Projekti do të mbyllet me një shembje rituale të murit më  9 nëntor,  plot 29 vjet pas ngjarjes së  1989-ës. Instalacioni në Berlin do të shfaqë gjithashtu performanca dhe ndërhyrje live nga artistë si  Brian Eno dhe Robert del Naja,  nga Massive Attack.

“Shpesh dëgjoni për  gjëra të përshkruara si “ambicioze”. Asgjë që kam hasur deri më tani nuk  i afrohet ambicies së DAU-t”, ka thënë Eno për shfaqjen. “Është projekti artistik më i jashtëzakonshëm dhe me shumë shtresëzime, për të cilin kam dëgjuar ndonjëherë, duke përfshirë mijëra njerëz – artistë, aktorë, muzikantë, artizanë, dizajnerë të ndriçimit, editorë, kinematografë, zyrtarë, hartografë, shkencëtarë, shamanë dhe mijëra njerëz të zakonshëm dhe ende po rritet numri.”Projekti do të ndiqet nga ngjarje në Paris, parashikuar gjatë Krishtlindjes dhe në Londër për Ndërrimin e viteve. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë