Politike

Berisha: S’votoi njeri për buxhetin, ishte antiligjor

Pas mbylljes së seancës pesë minutashe, ish-kryeministri Sali Berisha tha se miratimi në parim i projekt-buxhetit ishte antiligjor.

“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të parlamentit.

Ju e patë vetë se si banorët e fermës së Edi Ramës, lexo Xhorxh Oruellit, kaluan brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit.

E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë.

Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr.

E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.

Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve.

Beteja pa kthim e opozitës vazhdon”, tha ai.

Lidhur me tymuese në Kuvend, Berisha shtoi:  “Mendoj se sot ishte kulmore, pasi sot nuk kaloi asgjë. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese aty. Mos i shihni si flakadanë, por si një mjet që dogji procedurën antikushtetuese. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese të shumicës.

...Rama po ndiqte Facebook-un tim nga dhoma.

Aty ishte kohë proteste. Unë ia numërova një për një dhe ai po ndiqte një nga një nga zyra e Lindës.

Procedura e buxhetit ishte antikushtetuese, antiligjore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë