Triumfuesi i madh në Kupën e Botës, “Rusi 2018” do të zgjidhet me Kroacisë dhe Francës. Por përpara se të shkojmë në finalen e “Luzhniki Stadium”, kjo Kupë Bote ka rezervuar një tjetër finale, pak më të vogël.
Në fakt është finalja e dy humbëseve të këtij kampionati botëror, ato që shkuan më pranë finales së madhe, por dështuan vetëm në fund. Anglia dhe Blegjika do të sfidojnë njëra-tjetrën në “Saint Petersburg Stadium” të shtunën në ora 17:00 në një ndeshje që do të përcaktojë vendin e tretë të këtij kampionati botëror.
Belgët me brezin e tyre të artë nuk arritën dot të shkojnë në finalen e këtij kampionati botëror. Gjithësesi performanca e deritanishme e skuadrës së Martinez është parë si pozitive. Belgët larguan Brazilin nga kjo Kupë Bote dhe tashmë do të kërkojnë të marrin medaljen e bronzit të “Rusi 2018”, pse jo të ndihmojnë edhe Romelou Lukakun të fitojë Këpucën e Artë të këtij botërori. Në këtë sfidë të fundit në këtë botëror, Martinez pritet të rezervojë një shans për lojtarët që luajtën më pak në ndeshjet e rëndësishme në fazën me eleminim direkt.
“I’ts coming home” ishte refreni i medieve angleze për më shumë se një javë që i referohej trofeut, para se Anglia të skualifikohej në gjysmë-finale dhe vërtet ata u kthyen, por duarbosh, ashtu siç kishte ndodhur në botërorët e 50 viteve të fundit. Përveç gjithë të tjerave mund të ketë qenë edhe ky pompozitet shumë i madh mediatik që mund të ketë dhënë efektin e tij në largimin e “tre luanëve” nga Kupa e Botës. Në këtë sfidë të fundit anglezët janë të demotivuar dhe kjo kuptohet që nga titujt e gazetave në Ishull, por edhe profilet e rrjeteve sociale të futbollistëve që nuk janë të njëjtë si para tre ditës.
Për kombëtaren e Southgejt përveç prestigjit dhe medaljen e bronzit do të kërkojë të fitojë këtë ndeshje edhe për tu hakmarrë për humbjen e para disa ditëve. Belgjika e mundi Anglinë me formacionin e dytë, të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë edhe kombëtarja e “tre luanëve”, që pritet të aktivizojë lojtarët rezervist në këtë përballje.
Kjo do të jetë ndeshja numër shtatë mes këtyre dy skuadrave, ku belgët kanë fituar vetëm atë të fundit, sakaq dy janë mbullur në barazim dhe të tjerat janë triumfe për britanikët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.