Futboll

Belgjika si pengesë e Brazilit në “misionin 6”

Kampionati botëror “Rusi 2018” tashmë zyrtarisht ka hyrë në fazën e tij më interesante, aty ku një detaj i vetëm mund të bëjë diferencën dhe të vendosë fatin e ndeshjes. Me kualifikimin e Anglisë dhe të Suedisë, janë kompletuar 4 çiftet që do të përballen në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni.

Sfida e parë e përcaktuar dhe që do të luhet në datë 6 është ajo mes Uruguajit dhe Francës. Në të njëjtën datë luan edhe Brazili me Blegjikën, ndërsa një ditë më vonë në fushë do të zbresin, Rusia përballë Kroacisë dhe Suedia që do të sfidojë Anglinë.

Nga këto katër përballje shumë intersante, ajo që mund të veçohet, sigurisht që është përplasja e Belgjikës së mbushur me talente me pesë herë fituesit e Kupës së Botës, Brazilin.

Kutinjo, Nejmar dhe Gabriel Hesus

Kombëtarja braziliane, me Nejmar dhe Kutinjo në krye nuk kanë hasur në probleme serioze deri më tani në aventurën e tyre ruse. Me një grup, relativisht të lehtë që u kalua pa probleme si vendi i parë edhe Meksika në fazën e 1/16 nuk e kanë vënë në vështirësi kombëtaren “Selecao”. Në fillim të kampionatit botëror, ishte projektuar Nejmar lideri i këtij Brazili, por ai nuk ka qenë i vetëm në “mision 6”, pasi Kutinjo ka marrë shumë përgjegjësi duke ndihmuar shumë skuadrën në mesin e fushës. Deri tani, ky dualizëm në kombëtaren braziliane ka qenë i frytshëm, pasi skuadra ka luajtur deri diku mirë, gjithashtu edhe rezultatet kanë qenë pozitive. Por kjo gjendje mbetet për t’u parë, nëse do të kemi para sysh karakterin e Nejmar dhe nevojën e tij për të qenë protagonist dhe lider me çdo kusht.

Por, dy ndeshje para finales së madhe në “Luzhniki Stadium”, vjen prova e vërtetë për skuadrën e Tite dhe ajo quhet Belgjikë, një emër jo me shumë peshë dhe histori, por që tremb me përbërjen e saj. Në sfidën e së shtunës, në “Kazan Arena”, është e vështirë që ta gjesh një favorit kryesor, pavarësisht se shumë mendojnë që Brazili nuk mund të pengohet tashmë në rrugën e tij drejt titullit të gjashtë kampion bote.

Belgjika ka ndoshta brezin e saj më të mirë të të gjitha kohërave dhe do të kërkojë që të arrijë diçka, e cila të mbetet në histori. Me lojtarë, si Hazard, Lukaku apo De Brynje, që janë lider në ekipet e tyre, Belgjika në këto 5 vite më shumë i ka besuar frymës së grupit edhe se pse gradën e kapitenit e ka marrë Eden Hazard.

Në fazën e grupeve, Belgjika doli e para e grupit, duke fituar për më tepër një provë force me Anglinë, të cilën e mposhti me rezultatin 1-0. Por ndryshe nga tre ndeshjet e para, ku Belgjika dukej e frikshme, në sfidën e 1/16, “djatë e kuq” u dukën të brishtë, duke e kaluar Japoninë vetëm në minutat e fundit me shumë vështirësi.

 Romelu Lukaku, Dries Mertens dhe  Eden Hazard  (foto: Francois Nel/Getty Images)

Në “Kazan Arena” të premten do të zbresin dy nga skuadra me sulmin si pikë të fortë që shënojnë shpesh, por edhe me mbrojtje shumë të disiplinuar. Por ajo që mund ta bëjë diferencën në përballjen Brazil-Blegjikë do të jetë mesi i fushës. Belgjika ka lojtarë si De Brynje, Vitsel apo Karrasko që mund të bëjnë shumë mirë si në fazën e ndërtimit të aksioneve, por gjithashtu edhe në bllokimin e kundërshtarëve. Por edhe “Selecao” nuk janë më pak të pajisur, duke parë se kanë emra si Kasemiro, Paulinjo, apo Kutinjo.

Do të jetë shumë interesante për të parë disa duele në këtë ndeshje. Lukaku do të ketë betejë me Tiago Silva, Hazard me Marcelo, De Bryjne me Kutinjo, ndërsa Nejmar do të duelojë me Vertongen, Uilliam me Aldervaijëlld apo Kasemiro me Vitsel.

Në gjysëm finale fituesi i këtij çifti do të përballet me skuadrën që do të triumfojë në sfidën mes Francës-Uruguajit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë