Muzike

Beatles, 60 vjet më vonë ‘Revolver’ vazhdon të qëllojë

Më 5 gusht 1966, "Fab Four" publikuan albumin e tyre të shtatë historik, duke ndërthurur ndikime të ndryshme dhe duke krijuar një vepër që ngjan me shiritin e Moebiusit – pa fillim e pa fund, siç u ka hije kryeveprave të vërteta

Gazeta Si – “Hiqe mendjen; relaksohu dhe lëshoje veten nga erërat; ​​nuk është vdekje. Lëri mënjanë të gjitha mendimet; dorëzoji veten zërit: ai shkëlqen. Që të mund ta shohësh kuptimin e asaj që gjendet brenda: është vetë qenia”.

Edhe sot – plot gjashtë dekada më vonë – zëri dhe fjalët e John Lennon-it ofrojnë mënyrën më të mirë për të përjetuar ndikimin e katërmbëdhjetë “plumbave të kënduar” që përbëjnë “Revolver”-in, albumin që “The Beatles” publikuan më 5 gusht 1966.

Megjithatë, fjalët e cituara në fillim – nga kënga “Tomorrow Never Knows” – nuk flasin për një gjendje shkëputjeje pa mendime, por përkundrazi për një zgjedhje të vetëdijshme për të kërkuar një dimension të ri perceptues dhe ekzistencial.

Ashtu si te The Matrix, dëgjuesi e sheh veten të pasqyruar te anëtari i Beatles-it që kthehet papritur në realitet te kënga “I’m Only Sleeping”, ku vrullet muzikore, duken si pilula blu të gëlltitura njëra pas tjetrës – hapa që të afrojnë me vrimën e Lepurit të Bardhë, e cila është sa magjepsëse, aq edhe frikësuese, njëlloj si vetë Revolver-i.

1966: Grupi britanik i muzikës pop “The Beatles”, duke qëndruar para katër mikrofonave në një konferencë shtypi ku diskutuan për koncertin e tyre në stadiumin “Shea” në Nju-Jork. Nga e majta në të djathtë: Ringo Starr, Paul McCartney, John Lennon (1940–1980) dhe George Harrison (1943–2001).

Më të famshëm se Jezusi – Albumi u shfaq më pak se një vit pas Rubber Soul, duke e shtuar ndoshta edhe më shumë ndikimin revolucionar dhe tronditës të atij disku të mëparshëm.

Ai shënoi një ndryshim të qartë drejtimi – një lëvizje e mundshme vetëm për një grup që zotëronte nivelin e vetëbesimit që kishin “The Beatles” në atë kohë.

“Katërshja e famshme” e dinte se po kalonte një periudhë shkëlqimi krijues dhe nuk ngurroi t’i thoshte shtypit amerikan – pak para publikimit të krijimit të tyre më të fundit – se ishin “më të famshëm se Jezusi”.

Në atë kohë, një deklaratë e tillë shkaktoi indinjatë te një pjesë e publikut amerikan, por cilësia e jashtëzakonshme e veprës bëri që akuzat për blasfemi të humbisnin shpejt rëndësinë e tyre.

Në fund të fundit, bëhej fjalë për grupin “The Beatles” të vitit 1966 – ambicioz, por ende të bashkuar – një grup i aftë për të gjetur pikëtakimin e përsosur mes ndjeshmërive të tyre të larmishme.

“Gjëja e parë që ndodhi me albumin e ri”, i tha John Lennon revistës Melody Maker”, “ishte se unë dhe Paul vendosëm që duhej të bashkoheshim. Takoheshim privatisht, por vendosëm se kishte ardhur koha t’i përkushtoheshim punës serioze. Takimi është hapi i parë dhe jo gjithmonë më i lehti. Më pas, sapo bëhemi bashkë – te unë ose te Paul-i – fillojmë të mendojmë për këngët”.

Shkurtimisht, hierarkia e punës ishte e qartë: një mekanizëm i akorduar në mënyrë të përsosur, ku çdo ingranazh lëvizte në harmoni të plotë.

John dhe Paul shkëmbenin ide dhe krijonin së bashku, e më pas shkonin në studio, ku George dhe Ringo sillnin frymëzimet e tyre, duke i integruar ato në atë shkrirje fillestare të ideve krijuese.

Të gjitha ngjyrat – “Revolver” u pozicionua në gjysmë të rrugës midis Rubber Soul – i cili ruante një frymë akustike-folk të thjeshtuar, por autentike – dhe Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band, një album që ishte psikodelik, por edhe ambicioz e barok, madje edhe për sa i përket dizajnit të kopertinës.

Ndonëse nuk arriti madhështinë e pasuesit të tij, albumi i vitit 1966 ishte gjithsesi aq novator, saqë i shtyu “Fab Four” të merrnin një vendim të guximshëm: të mos performonin më “live”, të paktën derisa të gjenin një mënyrë për t’i realizuar disa këngë jashtë mjediseve të studios “Abbey Road”.

Në fakt, “The Beatles” kishin filluar ta përdornin studion në një mënyrë të re, duke eksperimentuar me teknika si shtresëzimi i vokaleve.

Ajo nuk ishte më thjesht një hapësirë ​​regjistrimi, por një laborator i vërtetë ku gjenin vend tingujt indianë, chamber pop-i, psikodelia, roku, xhazi dhe muzika soul e frymëzuar nga stili “Motown”.

All the lonley people” – Ekzistonte rreziku real që gjithçka të shkrihej përfundimisht në një përzierje të rëndë e të patretshme – veçanërisht për veshët e atyre që nuk ishin ndeshur kurrë me diçka të tillë.

Merrni për shembull këngën “Eleanor Rigby”: ajo jo vetëm që përfshinte elemente orkestrale, por vendoste në qendër të rrëfimit një person të moshuar e të vetmuar – një temë që është gjithçka tjetër veçse tërheqëse apo e zakonshme në muzikën pop, madje edhe sot.

Paul McCartney ishte i vetëdijshëm për këtë, por nuk e shihte si problem; përkundrazi, ai krijoi me dashje një baladë për një grua të pamartuar, ndoshta duke parë një pasqyrim të vetvetes te personazhi i At McKenzie-t, i cili “shkruan fjalët e një predikimi që askush nuk do ta dëgjojë”.

Ishte një lëvizje e guximshme – një lëvizje që edhe vetë kolegët muzikantë nuk e kuptuan menjëherë. Ray Davies i grupit “The Kinks” e krahasoi këngën me një ushtrim të thjeshtë stilistik, duke shkuar deri aty sa të thoshte: “E përfytyroj dot John-in duke thënë: ‘Do ta shkruaj këtë për mësuesin tim të vjetër të shkollës'”.

Me pak fjalë, akuza ishte se ai kishte krijuar një eksperiment akademik – një ndërthurje të llogaritur mes stilit të Haydn-it dhe atij “hungarez” të Brahms-it.

Pollocku mbi Pikason – Megjithatë, po ta shohim në retrospektivë, do ta hidhnim poshtë idenë se “Revolver” ishte një vepër e konceptuar qëllimisht për t’u marrë seriozisht.

Sikur të kishte qenë kështu, ata nuk do të kishin përfshirë krijime të lehta e lozonjare si “Good Day Sunshine” apo “Got to Get You Into My Life” të McCartney-t – një këngë aq e ndikuar nga stili soul i shtëpisë diskografike Motown, saqë fillimisht ishte planifikuar të regjistrohej pikërisht në studiot e saj.

“Got to Get” përfshinte elemente nga James Brown, free jazz-i dhe Otis Reddingu – e mbi të gjitha, një seksion instrumentesh frymore.

Në mënyrë domethënëse, kënga u interpretua më vonë nga grupi Earth, Wind & Fire, në një rast interesant riapropriimi kulturor që kulmoi kur grupi i njohur për hitin “September” e shndërroi këngën në një himn për marihuanën.

Në këtë kontekst, ia vlen të përmendet edhe momenti më i lehtë e gazmor i albumit: “Yellow Submarine”. Në thelb një këngë për fëmijë, ajo u cilësua si “një grumbull plehrash” nga Daviesi, i cili njihej për natyrën e tij tejet kritike.

Asokohe, shumë njerëz i konsideronin disa këngë si shmangie nga stili – momente që cenonin ekuilibrin e albumit.

Sot, megjithatë, albumi duket krejtësisht i balancuar pikërisht falë këtyre elementeve të gjalla e anarkike – që të kujtojnë teknikën e action painting të Pollockut, e cila përmbyste perspektivat gjeometrike të Pikasos kubist.

Vetëm për sot, The Beatles – Më pas ishin ndikimet indiane të sjella në grup nga George Harrison, i cili krijoi kompozime të frymëzuara nga Lindja për albumin, duke përdorur sitarin.

Disa instrumente rezultuan thelbësore në ndryshimin e koordinatave hapësinore brenda të cilave operon “Revolver” – një album që, rastësisht, lindi nga dashuria për veprën themelore “The Psychedelic Experience”, të shkruar nga studiuesit e psikedelisë, Timothy Leary, Ralph Metzner dhe Richard Alpert.

Ajo libër përmendet shprehimisht në këngën e lartpërmendur “Tomorrow Never Knows”, e cila nis duke ndërthurur zhurmat natyrore me tinguj të stilit lindor, për t’i integruar ato më pas në mënyrë të natyrshme në peizazhin e veçantë muzikor të “Beatles”-ave.

Një album me një larmi të tillë, i mbështetur nga një psikedeli kaq anarkike (dhe i përforcuar nga eksperimente kinematografike si filmi Yellow Submarine), ishte unik – një dritare drejt një bote që mund të ekzistonte vetëm në atë çast kalimtar kohor.

Bob Dylan ndoqi të njëjtën rrugë në mënyrën e tij me “Blonde on Blonde”, por shpejt mori drejtime të tjera, ashtu siç bënë edhe “Beach Boys” dhe “Rolling Stones”.

Ruajtja e një niveli të tillë krijimtarie të pakufishme ishte një sfidë komplekse – si për ata që e shndërronin atë krijimtari në art, ashtu edhe për ata që e përjetonin vetë artin.

Albumi Revolver i grupit The Beatles nuk kishte municion të pafundëm, por për sa kohë që “qëlloi”, ai preku drejtpërdrejt zemrat e shumë njerëzve.

Robert Rodriguez, autori i librit “Revolver: How the Beatles Imagined Rock ‘n’ Roll”, bën pjesë natyrshëm mes fansave të albumit dhe e cilëson atë si “kulmin artistik” të grupit: “I çliruar nga vetëdija e sforcuar dhe tashmë e vjetëruar e albumit Sgt. Pepper, ‘Revolver’ është i mbushur me frymëzim, ndërsa Pepper duket si një vepër e llogaritur. Një bashkëpunim i vërtetë katërpalësh, ku çdo anëtar i grupit punonte në të njëjtin drejtim; kurrë më parë në karrierën e tyre ata nuk kishin ndërmarrë një hap kaq të guximshëm drejt së panjohurës, duke zbuluar atë që shtrihej përtej horizontit të paradigmës ekzistuese të muzikës rock. Është një koleksion i përjetshëm stilesh eklektike, ku secili prej tyre dëshmon mjeshtërinë e grupit në zhanre të ndryshme – madje edhe në ato që po i krijonin vetë në atë kohë”.

Për askënd – Sot, kritikët e muzikës priren ta shohin këtë album të vitit 1966 si fillimin e epokës së “pjekurisë” së grupit “The Beatles”.

Kur njerëzve u lodheshin veshët nga meloditë e hershme e të gëzueshme të “Fab Four”-it, ata vinin në pllakë “Revolver”-in.

Pa këtë album, nuk do të kishim as Britpop-in, as indie rock-un. Në thelb, e gjithë muzika e viteve ’90 e dominuar nga kitara – nga Stone Roses te Oasis, duke kaluar përmes Pavement, Radiohead dhe Dinosaur Jr. – i detyrohet shumë kësaj vepre.

John Lennon e mbylli albumin me një ftesë për të mos e kufizuar atë – apo muzikën në përgjithësi – në një kohë dhe vend të caktuar: “Pra, luaje lojën e ekzistencës deri në fund, të fillimit, të fillimit”.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, “Revolver” mbetet si një shirit i Mobiusit, pa fillim e pa fund. Është një magji që përsëritet, pa u shqetësuar për ndikimin e saj të kaluar apo për jehonën që do të vazhdojë të nxisë në të ardhmen. Sepse, në fund të fundit, e nesërmja mbetet e paparashikueshme. Dhe kjo është krejt në rregull.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë