Analize

BE me propozim konkret për zgjidhjen e konfliktit Maqedoni-Bullgari, por Sofja e hodhi poshtë

Dy nga zyrtarët më të lartë të Komisionit Europian mbërritën të premten me një dosje të rëndë në Shkup dhe Sofje, në përpjekje për t’i bindur dy vendet të arrijnë një marrëveshje.

Ministri i Punëve të Jashtme i Portugalisë Augusto Silva, vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Europian dhe Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi ia bënë të qartë dy palëve se vendet anëtarë janë të gatshme për mbajtjen e konferencës së parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se pengesa e vetme është vetoja e Bullgarisë ndaj Shkupit. Ajo bllokoi procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE për çështje që lidhen me gjuhën si dhe të kaluarën historike.

Në mënyrë që hapja de facto e kapitujve të i integrimit të mos shtyhet edhe më shumë apo që negociatat të vazhdojnë vetëm me Tiranën, dy diplomatët shkuan në Bullgari me një propozim kontret.

Megjithatë, sic raportojnë mediat bullgare, ky propozim nuk është pranuar nga Sofja edhe pse të dy zyrtarët e Brukselit si dhe pala maqedonase mbeten optimistë se Bullgaria do të ndryshojë mendje.

Shtylla e këtij propozimi mbetet që autoritetet e Shkupit të pranojnë se “gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, por duke shmangur kërkesën e palës bullgare që të përcaktohet prejardhja e gjuhës maqedonase”. Propozimi vjen pasi kryeministri Zoran Zaev e ka bërë derisa herë të qartë në BE se gjuha dhe historia maqedonase mbeten të panegociueshme.

Megjithatë, ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë Svetlan Stoev u tha dy diplomatëve të BE-së se shteti që përfaqëson ai, nuk ka ndryshuar pozicionet e mëhershme kundrejt vendit fqinj.

“Nuk mund të pritet ndryshim në pozicionin nacional të Bullgarisë në raport me Maqedoninë e Veriut. Për ne parësore mbetet mbajtja e raporteve të mira fqinjësore dhe të merren garancitë e nevojshme për zbatim të marrëveshjeve për fqinjësi të mirë” ka theksuar ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë teknike në Bullgari.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe ish-Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, e cila pritet të rimarrë këtë post pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Bullgari.

Pas takimit me Varheleyi ajo tha se Bullgaria është e shqetësuar për anëtarësimin në familjen e madhe evropiane të shteteve të pa reformuara. Sipas saj, Maqedonia e Veriut nuk e ka zgjatur asnjëherë dorën e pajtimit. Zaharieva gjithashtu tha se Bullgaria dëshiron që zbatimi i Traktatit të Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017 të përfshihet në kuadrin negociues, i cili do të kërkonte një kapitull shtesë në kornizë, Numri 35.

Zaharieva tha se komisioneri i zgjerimit është një nga personat më të përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe një mik i madh i Bullgarisë, i cili e kupton plotësisht angazhimin e tyre për Ballkanin Perëndimor.

Pas vizitës së tensionuar në Sofje, Silva dhe Varhelyi e kanë shpalosur këtë plan para presidentit maqedonas Stevo Pendarovski, kryeministrit Zoran Zaev si dhe ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Ministri portugez nga ana e tij tha se procesi i zgjerimit është një prioritet i presidencës portugeze duke u ndalur tek miratimi i kornizës për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Ndryshe nga pala bullgare, për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, propozimi i ofruar nga zyrtarët e lartë të Brukselit, për tejkalimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, paraqet një bazë të mirë për kapërcimin e pengesave, pasi në këtë dokument nuk preket çështja e identitet maqedonas.

“Komisionari Oliver Varhelyi dhe ministri i Jashtëm portugez sot sollën një projekt-zgjidhje që synon tejkalimin e problemit mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë” ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Vizitat e diplomatëve të lartë të Brukselit në Sofje dhe Shkup vijnë në vigjilje të takimit të Këshillit Europian më 22 qershor, ku mes tjerash pritet të vendoset për fillimin e bisedimeve si dhe mbledhjen e parë ndërqeveritare, me çka Maqedonia e Veriut do të niste edhe formalisht bisedimet për anëtarësim në BE.

Pas një debati të gjatë dhe të vështirë midis vendeve anëtare të BE-së si rezultat i ndryshimit të politikës së zgjerimit nga Franca, nisja e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet miratohej nga Këshilli i BE-së disa javë më parë. Metodologjia e re e pranimit kishte për qëllim ta ndryshonte  procesin politik duke përfshirë vendet anëtare në procesin e anëtarësimit.

Por sipas zyrtarëve europianë, Bullgaria do të dëmtojë edhe më tej imazhin e BE-së dhe interesat e saj më të gjera në rajon.

Cilat janë mosmarrëveshjet?

Mosmarrëveshjet bilaterale me Maqedoninë e Veriut nuk janë pjesë e kritereve për anëtarësimin në BE ose fillimin e procesit të negociatave dhe kjo është edhe arsyeja përse të gjitha vendet e BE-së po kritikojnë ashpër Sofjen.

Bullgaria dëshiron mes të tjerash që të përcaktohet në udhërrëfyesin e negociatave se pretendimet për një pakicë maqedonase në Bullgari nuk do të mbështeten në asnjë formë. Edhe pse i Bullgaria konsideron popullsinë sllave të Republikës së Maqedonisë së Veriut vëllezërit e saj me të cilët është ndarë nga historia, Sofja hedh poshtë konceptin e "pakicës maqedonase" në Bullgari.

Sipas regjistrimit të vitit 2011, 1,600 shtetas bullgarë e kanë quajtur veten maqedonas. Sipas historianëve bullgarë, këta njerëz nuk janë pakicë, por refugjatë që migruan në territorin bullgar pas luftës ballkanike në 1913.

Qëndrimi kokfortë i Bullgarisë nuk ishin surprizë për asnjë nga ministrat e jashtëm të BE-së, pasi pak muaj më parë më parlamenti bullgar miratoi njëzëri një deklaratë të ashpër, duke paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se Sofja nuk do të tolerojë shtrembërimin e ngjarjeve historike, dokumenteve dhe artefakteve, si dhe rolin dhe pikëpamjet e personaliteteve nga historia bullgare.

Shkupi ndërkohë këmbëngul në versionin e saj të historisë, bazuar në ngjarjet e mesjetës dhe më tej. Një komitet historik dypalësh u krijua nën kushtet e traktatit të miqësisë 2017 për të zgjidhur problemet e interpretimit të historisë së përbashkët, por që të dy palët kanë akuzuar tjetrën që nuk lejon asnjë përparim.

Figura historike Gotse Delchev, i konsideruar si një hero kombëtar si në Bullgari ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, tani duket se qëndron në rrugën e Shkupit për në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë