Futboll

Basti i fituar për Nejmar

3 gushti i vitit 2017, ishte momenti kur bota e futbollit u trondit nga një investim i madh financiar. Pas një negociate të gjatë, Nejmar zgjodhi përfundimisht të kalonte nga Barcelona te PSG, për një shifër rekord që nuk ishte dëgjuar më parë dhe një pagë “faraonike”. Nuk bëhet fjalë për një lëvizje të një futbollisti nga një klub në një tjetër, por një transferim që ndryshoi përgjithmonë futbollin botëror dhe lidhjen e tij me paranë. Më herët askush nuk do e kishte besuar që presidenti i PSG Naser Al-KelaIfi do të paguante 222 milionë euro për të blerë një futbollist, por ajo ndodhi dhe për sheikun arab, ishte gjëja më e natyrshme në botë.

https://www.youtube.com/watch?v=DIl0kMrEmHg

Një vit më vonë

12 muaj pas këtij transferimi, bilanci është kontrovers. Në fushë Nejmar nuk ka dhënë atë që mund të ishte pritur nga trajneri, presidenti apo tifozët, i ndikuar edhe nga një dëmtim në muajin shkurt. Sigurisht, kampionati francez u fitua nga PSG, por Liga e Kampionëve, objektivi i vërtetë i Naser Al-Kelaifi, nuk shkoi ashtu siç duhej, me francezët që u eliminuan nga Real Madrid. Por nëse për atë që ka ndodhur në fushën e blertë dhe kontributin e “O Ney” do të ketë debat gjithmonë, për një tjetër anë të këtij transferimi nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë debat.

Kalimi i Nejmar te PSG ka qenë sukses financiar absolut për klubin parisien. Shenja e parë ishte direkt në gushtin e shkuar, kur PSG shiti më shumë fanella seç kishte shitur gjithë vitin nga të gjithë lojtarët. Dyndja në dyqane për të blerë fanellën e Nejmar në Paris filloi të quhej edhe si “O Ney-Mania”. Në total për të gjithë sezonin futbollistik 2017-2018, PSG kishte një rritje prej 78% të të ardhurave nga marketingu dhe shitja e bluzave. Por jo vetëm kaq, pasi gjatë gjithë ndeshjeve në kampionat, stadiumi “Parc des Prince” ishte i mbushur me kapacitet të plotë, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Nejmar ishte imazhi i PSG në thithjen e sponsorëve të rinj, por edhe në përmirësimin e kontratave me sponsorët aktual. Te PSG u afruan dy sponsorë te rinj, kompania e makinave, Renoult dhe ajo e basteve Unibet, gjithashtu u përmirësua me 25% marrëveshja me Fly Emirates.

Basti i fituar i Naser Al-Kelaifi

Me këtë panoramë, investimi kolosal dhe i rrezikshëm prej 562 milionë eurosh i presidentit të PSG Naser Al-Kelaifi, duket se është kthyer mbrapsht. Rritja e PSG në tregun e investimeve ishte e ndjeshme, madje mediet franceze shkruanin se një pjesë e të ardhurave që financian pagesën për Mbape këtë verë kanë ardhur nga “fabrika e parave Nejmar”. Por ky i fundit mund të kthehet në një tjetër “minierë ari” për klubin francez, për shkak se pas formës që tregoi në kampionatin botëror, ato 180 milion euro të shpenzuara që vjet, tashmë duken shumë pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë