Rend dhe Ligj

Bastet on-line, qeveria ka vënë bast për vete

Sabina Veizaj - Më 1 janar ka hyrë në fuqi ligji që ndalon funksionimin e të gjitha pikave të basteve fizike në të gjithë vendin. Kjo do të thotë që të 4300 pikat e basteve të licencuara prej Ministrisë së Financave që nga dita e parë e Vitit të Ri 2019 nuk e ushtrojnë më aktivitetitin e tyre.

Por beteja e radhës e qeverisë në lidhje me bixhozin janë lojërat on-line, përmes të cilave mendohet se pastrohen paratë jashtë kufijve.
Me ardhjen në pushtet në 2013-ën Kryeministri, Edi Rama i deklaroi luftë të hapur basteve sportive on-line.

Në një konferencë për shtyp të datës 25 tetor 2013, kreu i qeverisë do të deklaronte se qeveria do të kërkojë bllokimin e basteve sportive on-line. Sipas tij, lufta ndaj krimit ekonomik të shkaktuar nga Lojërat e Fatit do të vijonte më fuqishëm se kurrë. “Shqiptarët nuk mund të humbasin më para që derdhen jashtë shtetit me baste on-line në uebsajte të huaja në internet. Kemi marrë vendim që përmes Ministrisë së Inovacionit të kërkojmë bllokimin e uebsajteve ku derdhen kursime të emigracionit për familje shqiptare në Shqipëri. Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë humbasin në aventurën e basteve on-line në destinacione jashtë Shqipërisë brenda 1 viti, varion nga 700 deri në 500 milionë dollarë. Kjo është shifër dhe formë e papranueshme për një vend europian. Qeveria nuk do të ndalet, përkundrazi, do të intensifikojë përpjekjet në betejën pa kompromis dhe në tolerancë zero kundër krimit dhe kundër çdo shfaqje të krimit dhe çdo forme. Do të flas posaçërisht për atë formë të krimit që shfaqet si krim ekonomik përmes aktivitetit të Lojërave të Fatit”, do të deklaronte pesë vite më parë kryeministri Rama.

https://www.youtube.com/watch?v=qnlk9oHa5-w

I pyetur në atë kohë se si është përllogaritur shifra për sasinë e parave që vihen në baste dhe dalin jashtë vendit, kreu i qeverisë sqaroi se nuk ekziston një shifër e saktë, por bëhej fjalë për deduksione të bazuara në një studim analitik të kryer dhe nga konsulta me ekspertë të huaj dhe vendas.

Pesë vite më vonë nga deklarata e kreut të qeverisë, nuk ka një analizë të mirëfilltë dhe të dhëna të sakta se sa janë personat që luajnë në kompani të huaja, sa është shuma, cilat janë kompanitë dhe ku ndodhen. Aq më pak ka një studim se cilat janë bankat përmes të cilave kalojnë paratë e shqiptarëve që luajnë bixhoz on-line. Nga ana tjetër, Ministria e Inovacionit që do të jepte kontributin e saj në reduktimin dhe eliminimin e bixhozit on-line, nuk ekziston më.
Megjithatë edhe pas pesë vitesh, qeveria ka ripërsëritur premtimin; “Luftë ndaj basteve on-line”

I pyetur nga Gazeta “Si” nëse qeveria ka një strategji për këtë luftë dhe a është e mundur teknikisht të reduktohet dhe eliminohet bixhozi on-line me kompani të huaja, Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj u përgjigj se kjo do të bëhet në formë aksioni përmes ngritjes së një Task Force.

Arben Ahmetaj,
Ministri i Ekonomisë dhe Financave

“Siç e patë, bastet në 1 janar u mbyllën të gjitha. Patjetër që pjesa on-line është një betejë e vazhdueshme. Ne dje kemi mbyllur disa domain-e. Dhe patjetër që do të vazhdojë me krijimin e Task Force anti-baste. Pra, më besoni, edhe ata që përdorin ipadet poshtë e lartë janë reduktuar në minimum. Janë 1/100 e asaj që kanë qenë. E aq më tepër biletat 2000 dhe 5000 lekë të vjetra përbënin 95 % të basteve”, sqaroi Ahmetaj Gazetën “Si”.

Për Ministrin e Financave kategoria e personave që luajnë on-line zë një përqindje minimale. Por për të beteja vazhdon dhe nuk ka fund. “Për këtë pata dje edhe një takim të detajuar me ministrin Lleshi. Janë në vëzhgim të plotë. 10 ditët e ardhshme do të vazhdojë goditja edhe në kafenetë e vogla ku përdorin tabletat”, u shpreh Ministri Ahmetaj, por nuk përmendi nëse ka një analizë paraprake, të dhëna të sakta me këtë kategori lojtarësh dhe një strategji të mundshme në proces se si do të përvijojë lufta kundër basteve on-line.


Artan Shyti, kreu i Shoqatës së Basteve Sportive thotë për Gazetën “Si” se meqënëse qeveria do të ngrejë një task force, procesi nuk qenka aq i thjeshtë.

Artan Shyti, kreu i shoqatës së basteve sportive

“Duhet studiuar, analizuar dhe vlerësuar për ta kontrolluar këtë treg të paligjshëm. Loja on-line me kompanitë ndërkombëtare që nuk janë të regjistruara në Shqipëri, ka qenë i pamundur për t'u bërë edhe gjatë kohës që ekzistonin bastet sportive në vend. Ka qenë diçka e paligjshme. Në atë kohë, para 31 dhjetorit 2018, duhej të luaje vetëm me kompani shqiptare. Edhe në atë kohë transferimi i parave përmes lojërave on-line ishte i jashtëligjshëm. Ka qenë e dënueshme, por asnjë nuk është marrë në atë kohë. Por ka funksionuar. Ne e dimë që ka funksionuar. Nëse qeveria do të zotohet për ta ndërprerë, ashtu qoftë!” - shprehet z. Shyti. Ai e sheh si diçka me të cilën nuk është marrë njeri deri më sot.

“Duhet gjykuar bazuar në parametra, standarde. E dimë ne sot sa janë? Si do të gjykosh nëse është reduktuar apo hequr?! Duhen identifikuar sa janë, kush janë, me kë luajnë, në ç’kanale luajnë. Kjo duhej bërë. Thua "do mbyllim bastet në Shqipëri, on line-in e huaj". Kishte 4300 kompani. Po këto çfarë ishin? Kishe vetëm një kompani të licencuar on-line "Bast Arena". Por ne të gjithë e dimë, jo të faktuar, por shumat e mëdha të parave on-line luhen me kompani jashtë Shqipërisë, kompani ndërkombëtare. Se si ka funksionuar, nuk e di. Por edhe qeveria vetë e ka thënë që luhet. Por kjo ka qenë e paligjshme gjithmonë që prej 2015-ës. Në 4 vite nuk është bërë ndonjë gjë për ta ndaluar”, thotë kreu i Shoqatës së Basteve.

Ai evidenton se as me bankat nuk është bashkëpunuar dhe as llogaritë nëpër banka të tjera ndërkombëtare nuk janë kontrolluar. “Ato janë kompani ndërkombëtare, duhet të kesh llogari jashtë ose tek banka jote që përmes lojërave, paratë të transferohen jashtë. Nuk është bërë deri tani asgjë nga këto. Di që edhe do të krijoheshin programe për kualifikimin e njerëzve për t'i punësuar, por deri më sot, asgjë nuk është bërë”, vëren z.Shyti.

I pyetur nga Gazeta “Si” nëse në një të ardhme Shoqata do të kërkojë rihapjen e bizneseve të basteve ai u përgjigj se “Shoqata duhet të ndahet në funksionimin e saj. Shoqata është një vend ku diskutohet për sportin, programe edukimi, problematika ligjore, etj. Unë di këtë: për mua personalisht si njeri i sportit, bastet duhet të rihapen, duhet të vihen nën kontroll dhe paratë që shteti merr nga bastet duhet të shkojnë për sportin, kulturën, çështjet sociale. Politika të merret me sistemimin, edukimin, largimin e nejrëzve që kanë lënë lekët në bixhoz”, shprehet z.Shyti.

Ai sqaron se lekët që luhen on-line me kompanitë ndërkombëtare janë para që ikin jashtë. Shteti nuk fiton prej tyre, kurse me bastet fitonte. "Ka gjykatës që thonë kam fituar 70 mln euro në baste. Ku, qysh, tek?! Kjo nuk do të thotë që t'i mbyllësh për t'i kontrolluar. Në 5 vite qeveria nuk ka harxhuar asnjë qindarkë për këto familje të prekura nga bixhozi, kur nga ky biznes merrte 45 mln euro në vit. Pse duhet ta mbajë këtë kosto, këtë detyrë, kompania. Kompania nuk e ka për detyrë të shërojë njerëzit nga bixhozi", thotë z.Shyti.

Për të bastet nuk u mbyllën se u mërzitën kompanitë, as sepse kompanitë nuk mund t'i menaxhonin apo se nuk kishin mundësi të funksiononin. “Bastet u mbyllën për një vullnet politik të qartë, të shprehur, të shkruar, pa një analizë të mirëfilltë sociale, sportive, ekonomike. Ne që merremi me sportin do të donim që ato lekë që për t'u luajtur janë, të shkonin për sportin. Ti freno dëmin e pariparueshëm. Siç jam tallur unë, hajde mbyllim parukeritë. Ose duhanin. Shqiptarët djegin 650 mln euro çdo vit. Ne jemi të gatshëm, pra kompanitë, të rishikohet në kushte ligjore të rrepta. Ligjin nuk e kanë shkelur kompanitë. Nëse qeveria thotë se janë hapur 4300 pika, kush i ka dhënë licensat? Nuk janë të paligjshme ato. Janë 4300 pika që i ka hapur Ministria e Financave. Autoriteti i menaxhimit të lojërave i ka dhënë licensat. Duhej të ishin 1000, pse janë 4300? Ne themi që janë mbyllur lojërat e fatit. Por nuk janë mbyllur lojërat e fatit përderisa ka Llotari Kombëtare, Telebingo, derisa ka on-line të paligjshëm përmes bankave”, thotë kreu i Shoqatës së Basteve.

Por si luhet on-line?

Për të luajtur bixhoz on-line mjafton që të kesh një kartë krediti dhe nëpërmjet llogarisë bankare personale regjistrohesh në një nga kompanitë e huaja të basteve që operojnë jashtë Shqipërisë.
Procedura e transaksionit të parave bëhet kryesisht nëpërmjet bankave të nivelit të dytë ose edhe agjencive të huaja që veprojnë si banka dhe janë në funksion të basteve.
Nëse humb, kompania e huaj tërheq paratë nga llogaria jote personale. Nëse fiton, kompania kalon shumën e parave në llogarinë tënde. Paratë e fituara tërhiqen nëpërmjet bankës që ka ofruar kartën e kreditit.
Kompanitë e fuqishme, sapo informohen se një shtet ka mbyllur një ID (adresë interneti ku personi i huaj luan, në këtë rast një shqiptar), pas dhjetë minutash hapin një adresë të re dhe ua dërgojnë klientëve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë