Analize

Bashkësia politike europiane, çfarë dimë për nismën dhe a na duhet tani?

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin vjetor në Parlamentin Evropian, insistoi që shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, duhet të bëhen pjesë e familjes evropiane, përmes formimit të një Bashkësie Politike Evropiane.

Propozimet për këtë temë do të paraqiten gjatë samitit të bllokut evropian në muajin tetor në Pragë ku do të marrin pjesë edhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

Idenë për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane e ka hedhur fillimisht në “tregun europian” presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Lufta që po zhvillohet në Ukrainë në fakt po riformëson më shumë këtë ide edhe pse në vetvete sjell debate jo të vogla.

Propozuar më 9 maj në Strasburg, "Bashkësia politike evropiane" e Emmanuel Macron është përcjellë nga analistët si një qasje premtuese por me shume dilema

I frymëzuar nga ideja fillestare e ish-presidentit francez François Mitterrand për një konfederatë evropiane, ai përshkroi një forum evropian që do të ishte i ndarë nga Bashkimi Evropian.

Ky forum nënkuptonte një organizatë të re evropiane që do t'u mundësonte disa shteteve të gjejnë një fushë të re bashkëpunimi politik, sigurie, bashkëpunimi në energji, transport, investime, infrastrukturë dhe lëvizjen e njerëzve.

Ideja e një konfederate evropiane lindi në vitin 1989 në një Evropë ende të ndarë. Sado premtues të ishte, projekti shpejt ngriti një sërë shqetësimesh, veçanërisht se ai do t'u ofronte vendeve të Evropës Lindore vetëm perspektivën e një Evrope me dy nivele.

Ndaj dhe propozimi i Emmanuel Macron-it (që është pak a shumë vijimi i idesë së Konferederatës) është komentuar deri diku si një paradhomë e re në të cilën vendet e Lindjes (Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia) dhe ata të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia) do të ftohen të presin edhe shumë vite të tjera për tu anëtarësuar.

Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv i rëndësishëm, shkruan në një analizë të gjatë për këtë cështje “The Conversation” por nëse kriteret e anëtarësimit të Kopenhagës nuk rishikohen, ai mund të jetë vetëm afatgjatë, i pasigurt, të cilin vetë vendet anëtare nuk hezitojnë ta bëjnë më të vështirë për t'u arritur.

“Dogma e Kopenhagës dhe logjika ndërqeveritare që ka mbizotëruar që nga Traktati i Lisbonës e bëjnë çdo rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit krejtësisht jorealiste. Politika e zgjerimit të BE-së, në parim e bazuar në merita, është sot mbi të gjitha një burim zhgënjimi të madh në Ballkanin Perëndimor”, shkruan “The Conversation”.

A është bashkësia politike europiane trampolina për zgjidhjen e  këtij debati?

Referuar propozimit të presidencit francez Macron bashkësia e  propozuar do të ishte një kornizë për anëtarët e BE-së dhe ato joanëtare për të diskutuar interesat e përbashkëta.

Qëllimi i tij kryesor do të ishte “stabilizimi i kontinentit evropian”

Për Presidentin francez Macron,  kjo do të ishte rruga e domosdoshme për të lejuar Ukrainën, Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën që t'i bashkohen grupit evropian edhe pse nuk janë gati për anëtarësim në BE.

Por bashkësia, sipas tij, do të ishte e hapur për të gjitha vendet demokratike evropiane, si Norvegjia (anëtare e tregut të vetëm), Islanda gjithashtu,  Zvicra (e lidhur me BE-në nga një mori marrëveshjesh dypalëshe) dhe Mbretëria e Bashkuar (një ish -anëtar)  

Grupi mund të përfshijë gjithashtu edhe ish-republikat sovjetike të Kaukazit, Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit.

A e zëvendëson zgjerimin kjo nismë?

Sipas Macron jo. Por ‘Po’ do të rrisë afrimin e bashkëpunimit mes vendeve.

Ndryshe nga ideja fillestare e Miterrand që dështoi për shumë arsye në më shumë se tre dekada më parë, sot në një kohë të trazuar gjeopolitike gjithçka merret seriozisht siç do të ndodhë edhe në trajtimin e nismës në samitin e tetorit në Pragë, për të cilën paraprakisht Rusia është shprehur se ideja e Macron është në thelb e qëllimshme dhe konfrontuese.

Burimi: “The Conversation”,  “France24”, “Euroactiv”/ Përgatiti: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë