Politike

Basha: Rama ose fatin e Gruevskit, ose para drejtësisë

Disa orë përpara protestës së 16 shkurtit, lideri i PD-së ka shtuar dozat e deklaratave duke bërë dhe premtime përpara qytetarëve.
I shoqëruar nga të rinjtë, Basha ftoi sot pasdite qytetarët në Tiranë të marrin pjesë në protestën e nesërme. Ai përshkoi në këmbë rrugën nga 21 Dhjetori drejt Unazës së Re, për t'u bashkuar protestës së banorë që kundërshtojnë ndërtimin e rrugës së re.
Ndryshe nga herët e tjera kryedemokrati ka bërë ditur se është i vendosur që ta dërgojë Ramën përpara drejtësisë.
"Para një viti nisi një rezistencë kundër prishjes së Teatrit, një afere prej 200 milionë eurosh, para 3 muaj e gjysëm, nisi qëndresa e banorëve të Unazës së Re, kundër prishjes së shtëpive të tyre, ku Edi Rama do i jepte një kompanie fantazëm 18 milionë euro. Të gjitha këto nisën si kauza të njerëzve të dëshpëruar. Kështu nis edhe përpjekja studentore. Falë qëndresës së intelektualëve dhe qytetarëve tek teatri, falë qëndresës dhe bashkimit tek unaza dhe falë lëvizjes studentore, gjerat kanë ndryshuar. Qytetarët nuk duhet të fshihen, Edi Rama duhet të fshihet. Ia ka mbathur për në Vlorë por edhe Vlora do ta përzë. Nesër shqiptarët do ta vendosin përpara dy alternativave, përpara drejtësisë ose në azil politik t’i bashkohet Gruevskit", deklaroi Basha.
Në takimet me të rinjtë, ai deklaori se qeveria i shpërfilli kërkesat e tyre dhe 16 shkurti do të jetë edhe dita e studentëve.
"Këta janë studentë të inxhinerisë dhe arkitekturës. Sicc e tha edhe një ish-student i dhjetorit, që dita e nesërme është dita e studentëve shqiptarë, jo vetëm për kërkesat e drejta që ju shtruat dhe u shpërfillën në mënyrë kriminale, sepse ato të drejta që ju takojnë ky kryeministër i konsideron pronë të tij dhe i ndan me një grusht oligarkësh. I shpërfilli sepse mënyra më e mirë sipas tij për ta mbajtur një popull është për ta mbajtur në injorancë dhe nuk ka njerëz që Edi Rama të ketë më shumë frikë se rinia e shkolluar, se studentët shqiptarë", theksoi kryedemokrati.
Ashtu si edhe herët e tjera, Basha theksoi se 16 shkurti do të jetë protesta më e madhe e këtyre 30 viteve dhe se shqiptarët do të marrin në dorë fatin e tyre.
"Ajo që unë kam parasysh është se fatin e Shqipërisë europiane do ta marrë në dorë rinia europiane", shtoi kreu i PD-së, duke sqaruar kështu edhe kontekstin e deklaratës që është pritur me shqetësim nga ana faktorit ndërkombëtar, i cili me anë të deklaratave ka bërë thirrje për një protestë paqësore më 16 shkurt larg dhunës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë