Politike

Amnistia penale në rend dite, Basha s’jep votat: Pazar i ndyrë, amnistohen drejtorët e korruptuar. Bardhi e PS: Asnjë i dënuar nga GJKKO s’ falet

Amnistia penale në rend dite, Basha s’jep votat: Pazar i ndyrë, amnistohen drejtorët e korruptuar. Bardhi e PS: Asnjë i dënuar nga GJKKO s’ falet

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha nuk do të japë votat për amnistinë penale, dokument për të cilin kanë rënë dakord paraprakisht PS-ja dhe PD e Rithemelimit. Lulzim Basha shpjegoi për mediat edhe arsyen se pse.

“Propozimi i Partisë Socialiste me mbështetjen e pazarxhinjve të Partisë Socialiste e kthen votën atyre që i thonë vetes opozitë në votë të një aneksi të Partisë Socialiste, një kamerdare për Edi Ramën.

Së dyti jep një sinjal të qartë kundër SPAK-ut. Pra, është aleanca anti-SPAK, sepse sinjali është ju i dënoni zyrtarët, ne i lirojmë me amnisti. Kur në fakt dënimi i zyrtarëve të çdo rangu, në veçanti për shembull hetimi dhe dënimi i drejtorëve të korruptuar, duhet të çojë në hetimin dhe dënimin e shefave të këtyre drejtorëve, përgjegjësve politik të korrupsionit. Sepse të gjithë e dimë që në këtë vend korrupsioni ka një përgjegjësi politike nga kryeministri dhe ministrat, deri te drejtorët.

Duke amnistuar drejtorët dhe zyrtarët të dënuar nga SPAK-u për korrupsion, dalin hapur petët e lakrorit, kuptohet se cili është pazari me Partinë Socialiste. Është një aleancë anti-SPAK ku shqetësimi i vetëm është SPAK-u, shqetësimi i vetëm janë të dënuarit për korrupsion.

Njëkohësisht dua t’i bëj një thirrje kujtdo që e konsideron veten opozitar në atë sallë, t’i largohet këtij pazari të ndyrë, pasi është një kamerdare për Edi Ramën. Kamerdare në një kohë kur qeveria e tij është e zhytur në skandale korrupsioni dhe është po kështu një aleancë anti-SPAK.

Partia Demokratike e refuzon këtë pazar dhe sigurisht nuk mund të jetë pjesë e kësaj pseudo-amnistie nga e cila përfitojnë zyrtarët e korruptuar, por nuk përfitojnë protestuesit që u ngritën kundër korrupsionit dhe kriminalizimit të shtetit”, tha Basha.

Më vonë gjatë seancës deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në seancën e të enjtes akuzoi PS-në dhe Rithemelimin për pazar, kur iu referua projektligjit për amnistinë që sipas tij ka të paktën 3 amendamente që godasin SPAK dhe drejtësinë e re.

“Kjo pamje sot kur të gjithë heshtin dhe bëhen gati të miratojnë një akt që ka brenda amoralitetin më të madh politik. Fundi i mandatit është i tillë sfidë a do jen më në këtë foltore. Si e si të ruajnë karrigen e tyre. E para dështuat reformën zgjedhore,  dyta gjasme komisionet hetimore e treta është kjo sot. Do jepet vota për ti ulur dënimi 1 vit e gjysmë burrave dhe 3 vite grave që janë dënuar nga drejtësia e re. Testi i parë i hidhur ri kësaj marrëveshjeje. Detyrimi juaj zonjë më së pari të bëni transparencë ta ktheni edhe një herë tek komisioni i ligjeve që edhe publiku ta kuptojë se çfarë gatuhet në këtë seancë. Votë për amnisti nga SPAK. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që nesër t’ju ndëshkojnë me votë. Ta ktheni në komision ta diskutojmë të bëjmë transparencë dhe të shohim interesat individuale. Janë 3 amendamente që godasin drejtpërdrejtë SPAK” tha Alibeaj. Gazment Bardhi nën anën tjetër kundërshtoi Alibeajn.

“.... Tre janë risitë sot, e para falen të gjithë protestuesit. Qofshin në protesta politike apo shoqërisë civile. Së dyti, asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk përfiton. Dhe e treta, asnjë subjekt i posaçëm në ndjekje penale nga SPAK apo i dënuar nga GJKKO nuk përfiton nga amnistia. Me amendamentin tonë dhe analizën e ekspertëve asnjë person zyrtar i lartë i dënuar për korrupsion, tendera, nuk përfiton nga amnistia. Kjo është e vërteta, çdo gjë tjetër është një gënjeshtër që kërkon vëmendje nga opinioni publik”, tha  Bardhi.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kërkoi që Alibeaj të mos e kthente çështjen në një debat politik.

 “Zoti Alibeaj mos bëni politikë me këtë çështje. Hapni sytë dhe lexojeni ligjin se jeni juristë. Asnjë i dënuar nga GJKKO nuk do të përfitojë. Madje janë depozitar dhe kërkesat e opozitës, për protestuesit, ata që janë proceduar në këtë vend, që ndiqen penalisht nga drejtësia”, tha ai.

Në draftin për amnistinë penale thuhet se bëjnë përjashtim nga amnistia, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë