Futboll

Barcelona dhe Bajerni nuk falin, arkivojnë trofeun e parë sezonal

Kur është fjala për të fituar një trofe, qoftë edhe ai edhe më pak i rëndësishmi, skuadrat e mëdha nuk falin. Barcelona dhe Bajerni i Mynihut kanë shtuar në palmaresin e tyre edhe një Superkupë, që është trofeu i parë i sezonit të ri, 2018-2019. Katalanasit kanë hasur jo pak vështirësi ndaj Seviljes, por fituan 2-1, kurse bavarezët kanë dominuar ndaj Eintrahtit të Frankfurtit, duke e mposhtur atë 0-5.

Superkupa e Spanjës u luajt në Tangeri të Marokut. Për herë të parë u luajt një ndeshje e vetme dhe për herë të parë jashtë kufijve të Spanjës. Barcelonës iu desh të djersinte fort, sepse u gjend në disavantazh pas golit të Sarabias. Por Pike dhe Dembele kanë përmbysur shifrat, ndërkohë që në minutën e fundit të kohës së rregullt portieri Ter Shtegen priti penalltinë e Ben Jader. Lionel Mesi numëronte më parë 32 trofe të fituar me Barcelonën, por kjo Superkupë e Spanjës është e veçantë për të, pse jo si një Champions League, pasi për herë të parë argjentinasi ka ngritur lart një kupë si kapiten e katalanasve. Pas ndeshjes ku nuk mundi të shënonte, kapiteni Mesi ka falënderuar Dembelenë për golin e fitores dhe Ter Shtegenin për penalltinë e pritur.

Barcelona feston golin e Pike

Ka bërë debutimin edhe VAR-i në një ndeshje zyrtare të futbollit spanjoll. Sevilja kaloi në avantazh pas 8 minutash me Sarabian. Arbitri Del Çerro e anuloi fillimisht golin për pozicion jashtë loje, por falë VAR-it u korrigjua gabimi. Skuadra e Valverdes u organizua dhe në fundin e pjesës së parë barazoi me mbrojtësin Pike. Në pjesën e dytë u futën në fushë edhe Koutinjo te Barcelona dhe Andre Silva te Sevilja. Katalanasit kanë sulmuar më fort, ndërsa Sevilja godeti traversën me Vazkez. Mesi nuk arriti të shënonte, por ishte Dembele që me një të djathtë potente nga jashtë zonës e dërgoi topin në trekëndësh dhe 2-1. Emocionet e fundit ishin ato të minutës së 90-të, kur Ter Shtegen shkaktoi një penallti, por portieri i Barcelonës bllokoi gjuajtjen e Ben Jeder dhe katalanasit fituan trofeun. Mesi, me 33 trofe të fituar me fanellën e Barcelonës, bëhet kështu lojtari me më shumë trofe në historinë e kësaj skuadre, me një trofe më shumë se Injiesta.

Bajerni i pamëshirshëm, tris i Levandovskit

Bajerni i Mynihut e ka pasur më të thjeshtë, ka fituar thellë 0-5 në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë ndaj Eintrahtit të Frankfurtit. Vendimtar ishte Robert Levandovski, autor i tre golave, dy në pjesën e parë dhe një në të dytën. Kjo është tripleta e parë në historinë e Superkupës së Gjermanisë. Golat e tjerë të bavarezëve u shënuan nga Koman dhe Thiago. Për Bajernin është Superkupa e tretë radhazi dhe e shtata në total. Ishte një “hakmarrje’ kjo për humbjen në Kupën e Gjermanisë, ku Eintrahti drejtohej nga trajneri aktual i Bajernit, Niko Kovaç. Robert Levandovski u është përgjigjur kështu kritikave se shënon pak në ndeshjet vendimtare.

Lojtarët e Bajernit festojnë në mënyrë origjinale trofeun

Për Eintrahtin e Frankfurtit, që para muajit maj kishte plot 30 vjet që nuk fitonte një trofe, ishte finalja e dytë e Superkupës së Gjermanisë. Të parën e ka humbur me rezultatin 2-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë